Tenderët, 355 ankesa në gjashtë muaj

Jul 23, 2012 | 11:09
Avokati i Prokurimeve, Altin Qoshja

Ankimimet pranë Avokatit të Prokurimeve lidhur me tenderët janë rritur përgjatë këtij viti, krahasuar me një vit më parë. Mjafton që për këtë t’u referohesh shifrave të 6-mujorit të publikuara nga Avokati në regjistrin e ankimimeve. Në total, përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit janë regjistruar 335 ankimime, ndërsa një vit më parë ankimimet për të njëjtën periudhë kohe ishin 316. Nga ana e Zyrës së Avokatit të Prokurimeve vihet re edhe një rritje e numrit të monitorimeve, të cilat janë nisma që kjo zyrë i merr në mënyrë vullnetare, pas sinjalizimeve që mund të marrë nga burime të ndryshme. Vit pas viti po vihet re një rritje e numrit të ankesave që bëhen për procedurat e prokurimit publik. Nëse krahasimin e bëjmë sipas muajve, rezulton që në muajin janar të këtij viti të jenë bërë 23 ankimime, kurse një vit më parë 22 të tilla. Për shkurtin, të dhënat tregojnë 45 ankimime, ndërsa për shkurtin e 2011-s ky numër ishte 31, po kështu në mars ankesat ishin 55 dhe, marsin e një viti më parë, 44. E njëjta situatë vlen edhe për muajt e tjerë ku respektivisht për prillin janë bërë plot 61 ankesa, për majin 97 ankesa dhe për qershorin 79 të tilla. Përgjatë këtij viti është vënë re edhe një rritje e ankesave për tenderë me vlerë të konsiderueshme, siç janë ato për projekte hidrocentralesh apo infrastrukturë, pasi më herët operatorët preferonin të mos bënin ankimim.

© Panorama.al

Te lidhura