
Raporti në Kuvend: Biznesi u ankua në 491 raste. Si abuzohet me prokurimet dhe koncesionet.
Qoshja: Në 110 raste është kërkuar rivlerësim i ofertave.
Sistemi elektronik nuk ka mundur të zgjidhë si me magji problemet në prokurimet publike. Vit pas viti, në çdo raport vjetor të këtij institucioni, nga Avokati i Prokurimeve nxirren pika të veçanta mbi problematikat që ekzistojnë me tenderët në Shqipëri. Edhe për vitin 2011, Avokati i Prokurimit gjykon se favorizimet, zvarritjet e proceseve, ofertat e ulëta apo personeli me njohuri të limituara janë probleme të këtij sektori. I pranishëm dje në Komisionin e Ekonomisë për të mbrojtur raportin mbi aktivitetin e Avokatit të Prokurimeve, kreu i këtij institucioni, Altin Qoshja, u shpreh se për problematikat e hasura janë dhënë rekomandime.
Në fjalën e tij, Qoshja u shpreh se problematika e parë që haset është ajo e mosrespektimit të afateve ligjore të publikimit të procedurave të prokurimit. Nga hetimet dhe monitorimet e zhvilluara, ka rezultuar që afatet e procedurave në disa raste kanë qenë më të shkurtra sesa e parashikon ligji duke mos ju lënë kohë të mjaftueshme operatorëve ekonomikë për t’u bërë pjesë. Problematika e dytë lidhet me dokumentacionin dhe kriteret kualifikuese që nuk janë në përputhje me ligjin. Kjo, sipas kreut të AP-së, ndikon direkt në krijimin e kushteve për shmangien e konkurrencës dhe favorizimin e subjekteve të caktuara. Një tjetër problem është edhe ai i zhvillimit me mangësi të procesit të shqyrtimit e vlerësimit të ofertave. Kjo në fakt lidhet me komisionet e vlerësimit të ofertave, ku në disa raste është konstatuar që këto komisione të kenë skualifikuar operatorë që përmbushin kushtet, apo kanë kualifikuar operatorë që nuk i përmbushin ato. Sikurse dhe një vit më parë, ofertat e ulëta janë një tjetër pikë problematike, pasi ose janë hedhur poshtë pa argumentim, ose janë marrë parasysh pa parë efektin në punën e dobët që mund të bënin. Rishikimi i vendimeve për prokurime të ndryshme, apo ankimimi dhe ndjekja e tyre janë një hallkë tjetër që cilësohet se çalon nga institucioni i Avokatit të Prokurimeve, kurse e fundit mbetet kualifikimi i pamjaftueshëm i personelit prokurues. Gjithsej, përgjatë vitit 2011 janë shqyrtuar nga Avokati i Prokurimeve 491 ankesa për tenderët nga operatorët ekonomikë. Për 314 raste është filluar hetim administrativ i procedurave, kurse për 110 raste është kërkuar që të bëhet rivlerësim i ofertave.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











