Tendenca historike

Aug 3, 2011 | 10:44

YLBER LILI

1-Humbjet në fushën e betejave serbët gjithnjë kanë tentuar t’i shndërrojnë në fitore në tavolinë. Pak a shumë kështu vepron sot e gjithë kohën politika dhe diplomacia serbe. Ndonëse Serbia e ka humbur Kosovën, ajo zhvillon në mënyrë të pandërprerë beteja diplomatike duke stërkequr imazhin e perspektivës shqiptare në Ballkan dhe duke ngritur një sistem imagjinar akuzash ndaj kauzës shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar, kryesisht kundër SHBA-ve. Sipas politikës dhe diplomacisë serbe, shqiptarët janë rrezik permanent jo vetëm për rajonin, por për gjithë Europën, duke na etiketuar si kriminelë, agresorë, terroriste, fondamentalistë islamikë etj. Por, nëse deri “dje”, propaganda serbe ishte depërtuese në poret e kancelarive ndërkombëtare, tashmë betejat e tyre imazhologjike nuk e kanë më atë magjinë e dikurshme. Me gjithë pandehmën serbe për ta përdorur ngjarjen e Veriut të Mitrovicës si trampolinë për të riaktualizuar betejën në tavolinë, Këshilli i Sigurimit e shpërfilli me përbuzje. Në epokën e globalizmit, bota është një “fshat”, ndërsa Ballkani një “sokak” ku dallohet ashiqare i miri nga i ligu, grindaveci nga i urti, irracionalja nga racionalja. Duke marrë parasysh metodologjinë e veprimeve serbe, riaktualizimi i akuzave që lidhen drejtpërdrejt me ngjarjet në Veriun e Mitrovicës nuk janë befasuese për askënd, as për shqiptarët dhe as për faktorët potencialë të paqes dhe stabilitetit në botë. Presidenti serb Tadiç dhe mburravecët e vjetër apo rioshët e pushtetit të Beogradit që tregojnë “muskujt”, janë në simfoni të plotë me arkitektët e projekteve të nacionalizmit serbomadh.

2-Duke iu rikthyer edhe njëherë ngjarjeve më të fundit të Veriut të Mitrovicës, Beogradi tenton të vërtetojë tezën se edhe kur humbet, rreket të përfitojë diçka. D.m.th., ndonëse Kosova është një kapitull i mbyllur dhe nuk ka kthim prapa, Beogradi me shpirt nëpër dhëmbë mëton të fortifikojë enklavat e saja si kolonë e pestë brenda territorit të shtetit të Kosovës për të pamundësuar sovranitetin e plotë, funksionimin normal të shtetit ligjor, demokracinë dhe zhvillimin normal të shqiptarëve në Ballkan. Megjithatë, serbët edhe të humbur, punojnë dhe veprojnë përditë, ndonëse në kah të kundërt me tendencat historike. Në këto kushte aktualizohet një pyetje e thjeshtë: ku buron arroganca dhe qasja irracionale e politikës serbe në raport me shqiptarët dhe faktorin ndërkombëtar (SHBA)? Krahas të tjerave, ata përfitojnë ca prej përkëdheljes së disa shteteve që hyjnë në korpusin e BE-së, shumë prej mentores së saj Rusisë dhe jo pak prej mungesës së unifikimit institucional të hapësirës shqiptare. Sidoqoftë, problemi nuk qëndron gjithaq te faktorët e jashtëm ngaqë qendrat e vendosjes, ku paraprijnë SHBA-të, e kanë dhënë verdiktin e tyre, por çështja është se ç’bëjmë për veten tonë. T’i biem troç, turravrapi diplomatik i Beogradit ”jep shpirt” kur korpusi politik, kulturor, ekonomik dhe etnik shqiptar zhvillohet mbi premisat e një platforme të institucionalizuar, të një projekti kombëtar që të jetë në vijë të funksionimit të standardeve moderne dhe vlerave qytetëruese në kontekstin e ri historik dhe perëndimor. E thënë ndryshe, atëherë kur hapësira etnike shqiptare lë mënjanë kapriçot e politikës ditore, zhvillimin e betejave politike në kuadër të relacionit mik-armik, interesat individuale, grupore, betejat për të pasur kontroll të territoreve të parcelizuara për përfitime financiare.

3-Tashmë është koha e prioriteteve: kauza kombëtare, interesi nacional, demokracia funksionale, unitet i gjithmbarshëm politik, harmonizim dhe unifikim kulturor, arsimor, ekonomik, ngritjen e sistemit të vlerave të përbashkëta në harmoni me standardet demokratike perëndimore. Bie fjala, një sistem të përbashkët të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, një sistem të përbashkët arsimor dhe kulturor, ekonomik e kështu me radhë. Por, këto prioritete nuk mund të realizohen përmes retorikës shterpë, populizmit dhe gjesteve gati folkloriste. Nuk mund të realizohen duke zhvilluar politikë asgjësuese ndaj njëri-tjetrin, as duke formatuar “republika principatash” që e fragmentarizojnë kauzën kombëtare, as duke lejuar, toleruar dhe bërë sehir ndaj kafshimeve të sofistikuara ndaj identitetit kulturor, për rrjedhojë, atij kombëtar të shqiptarëve, as duke ndezur sirenat e alarmit vetëm atëherë kur na vrasin e djegin (rasti i Mitrovicës), as duke demonstruar inferioritet ndaj ndonjë ish-perandorie, qoftë asaj turke, e cila kërkon të riktheje epokën e otomanizmit në këto hapësira, as duke i bërë fresk ndonjë fqinji, bie fjala grekëve apo maqedonasve. Prioritetet tona nuk mund të realizohen duke i marrë me lehtësi gjestet e ca xhambazëve që për një grosh duan të implikojnë identitetin kombëtar me koncepte religjioze. Sikundër prioritetet tona nuk mund të realizohen as nga disa syresh që sipas motit (interesave të tyre), bien në gjumë si kozmopolitanë të thekur dhe gdhihen si patriotë të flaktë, as përmes retorikës tashmë bajate në emër të integrimeve. Jo, kurrsesi! Ne duhet të jemi kooperativë, konstruktivë, produktivë përmes institucionalizimit të ideve dhe projekteve të gjithmbarshme si garanci për integrimin e hapësirës mbarëshqiptare. Nuk njoh ndonjë projekt tjetër të realizuar përveç Rrugës së Kombit që garanton komunikimin dhe integrimin e njëmendtë, ndonëse në kuadër të kornizës së hapësirës etnike shqiptare duhet të finalizohet edhe Rruga e Arbrit. Çfarë duhet bërë më tej? Duhen vendosur interesat kombëtare mbi ato grupore dhe politike. Në mënyrë emergjente duhet të dëshmojmë pjekuri, dinjitet dhe kurajë për t’u divorcuar nga mllefet dhe grindjen ditore, nga epshi për pushtet e pasuri. I duhen dhënë garanci të forta faktorit ndërkombëtar se respektojmë me përpikëri kodet e civilizimit perëndimor, garanci se politika mbarëshqiptare të gjitha energjitë e veta i shpenzon për funksionimin e shtetit ligjor, të demokracisë liberale etj.

4-Sfidat tona janë të shumëfishta! Për rrjedhojë, hapësira mbarëshqiptare duhet të zgjidhë përfundimisht problemet e brendshme të antagonizmave politikë, ngaqë çdo problem që shfaqet për faj të politikës në Tiranë ndikon edhe në kryeqendrat e tjera shqiptare dhe anasjelltas. Një tjetër sfidë është që të bindim Perëndimin që nuk kanë derdhur energji kot, duke qenë sponsorë kryesorë të perspektivës së shqiptarëve. Ndonëse ata (ndërkombëtarët) po zhgënjehen, të paktën nuk duhet të lejojmë që të na braktisin. Ne duhet ta bindim Perëndimin, tashme jo për të drejtën e vetëvendosjes, sepse këtë ata e kanë të qartë, por që jemi një shoqëri që dimë të ndërtojmë shtete demokratike funksionale, që dimë t’i kanalizojmë energjitë tona në funksion të forcimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve konform standardeve dhe vlerave perëndimore. Ne duhet ta bindim Perëndimin se një shtet i përbashkët shqiptar është stabilizues, dhe jo e kundërta. Përmes analizave të thella shkencore, historike, sociologjike, politike, kulturore dhe etnike duhet të ecim në shinat e tendencës historike. Kështu që nuk duhet të kemi drojë kur duhet thënë e vërteta. E kjo e vërtetë është se në Ballkan ekziston, de fakto, një hapësirë e përbashkët jo thjesht kulturore, por edhe etnike. Askush me një barrë mend nuk mund ta kontestojë një realitet të tillë ngaqë etapat historike kanë vërtetuar se shqiptarët janë dhe mbeten të paasimilueshëm, pavarësisht kufijve artificialë që ekzistojnë mes nesh. Tashmë kur faktori ndërkombëtar është në dilemë se çfarë duhet të bëjë me Mitrovicës, Kosovën, Serbinë e rajonin në përgjithësi, ne duhet të vëmë të gjitha potencialet, kapacitetet, për t’i bindur perëndimorët se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, apo krijimi i shteteve etnike, nuk janë lajthitje e momentin, por teza konform tendencës historike. Përmes këtyre argumenteve, në kuadër të një platforme të unifikuar, ne duhet t’i i japim Serbisë dhe qendrave të tjera sllave një leksion të thjeshtë: kauza shqiptare ndryshon nga projektet e tyre për Serbi të madhe ngaqë kauza shqiptare është në vijë të së drejtës së saj historike, në vijë të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Ndërkaq, kauzat serbe, greke, apo të ngjashme janë thjesht fiksione kolonializuese dhe gjenocidale. Në këto rrethana, elitat shqiptare nuk duhet të mbeten në kuadër të retorikës së hapësirës mbarëshqiptare, por, mbi të gjitha, elitat tona duhet të hartojnë dhe institucionalizojnë projekte mbi premisat e garancive në funksion të respektimit të standardeve dhe vlerave në kontekstin e ri qytetërues europian dhe perëndimor. Fati i perspektivës kombëtare tashmë është në duart e elitave tona politike. Për çdo shkarje, pesha e fajit bie mbi ta! Si përfundim, e ardhmja dhe perspektiva e kombit shqiptar duhet parë në optikën e ideve brilante të politikanit të shquar dhe intelektualit vizionar Arbën Xhaferi. Kur shumë të tjerë rrotulloheshin brenda unazës së kozmopolitizmit e ca syresh pas gjethes integruese, ai pati kurajën të dalë hapur me analiza të thella, shkencore, politike e filozofike si për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, ashtu dhe për krijimin e shtetit etnik. Në rrethanat e krijuara, ne gradualisht po ecim pas gjurmëve të ideve të tij.

© Panorama.al

Te lidhura