Temperaturat e larta, 50 pacientë në ditë në spital

Jun 11, 2012 | 13:27

Vapa e menjëhershme ka shtuar ndjeshëm numrin e urgjencave në spitalin “Nënë Tereza”. Dy ditët e fundit kanë ardhur në spital me komplikacione kardiake 40-50 pacientë. Mjekët bëjnë apel për marrjen e masave për të evituar sa më shumë diellin, sidomos gjatë orëve më të nxehta të ditës. Po kështu, sipas bluzave të bardha, të sëmurët kronikë të zemrës duhet të bëjnë kujdes me ilaçet gjatë verës. “Personat që marrin ilaçe zemre, duhet të konsultohen me mjekët e familjes për t’i reduktuar ato gjatë verës. Ndërsa pacientët që përdorin aspirinën, nuk duhet të ndalojnë marrjen e saj”, thonë mjekët. Sipas tyre, të sëmurët nuk duhet të bëhen mjekë të vetes, pasi rrezikojnë të përkeqësojnë sëmundjet. Pasojat më të shpeshta që mund të vijnë si rezultat i temperaturave të larta, sidomos te këta të sëmurë, janë goditja nga dielli si rezultat i qëndrimit të gjatë nën rrezet e tij dhe  intoksikacionet për shkak të ushqimeve. Goditja nga dielli manifestohet me djersitje, humbje të lëngjeve të organizmit, dhimbje koke, marrje mendsh, ulje të presionit të gjakut, rënie të aftësive mendore e fizike. “Evitoni qëndrimet për një kohë të gjatë në diell sidomos gjatë orëve 11-14 të mesditës, kur rrezet e diellit janë më të forta. Përdorni çadra dhe kapele, kur ju duhet të lëvizni gjatë ditës”, thonë mjekët.

Kanceri i lëkurës, shtohen rastet te moshat e reja
Melanoma apo siç njihet ndryshe kanceri i lëkurës po shtohet ndjeshëm në moshat 20-25 vjeç. Mjekët dermatologë ngrenë alarmin. Sipas tyre, vetëm në një vit janë diagnostikuar 50 raste të reja. Shkaqet sipas tyre janë të ndryshme, por ndër më të shpeshtat janë ekspozimi i tepërt në diell dhe përdorimi i aparaturave të solarëve artificialë. Ky lloj kanceri i lëkurës jo gjithmonë shfaqet me shenja të dukshme. “Transformimi në ngjyrë, madhësi dhe formë i një nishani është një nga shenjat e dukshme. Po ky kancer mund të shfaqet edhe në një mënyrë fare të padukshme, që mund të jetë dhe një njollë fare e vogël në thonj”, thonë mjekët. Kanceri i lëkurës renditet i pesti në rendin e llojeve prej të cilave mund të humbësh jetën, pasi nëse nuk kapet në kohë, përhapja e tij është shumë agresive dhe në kohë të shpejtë. Megjithatë, nëse kapet në kohë, është më i mundshmi për të ndërhyrë me kirurgji dhe më pas nuk lë asnjë pasojë. “Melanoma mund të shfaqet në një nishan ekzistues, por mund të shfaqet edhe në një lëkurë të pastër. Në një nishan ekzistues kemi ndryshime të formës, të madhësisë, të ngjyrës, të dimensionit. Ai ka disa ngjyra. Melanoma mund të shfaqet dhe në vende që nuk ka asnjë element lëkure, shfaqet një njollë e re që mund të jetë kafe, mund të jetë e zezë, e kuqe. Ka dhe melanoma pa ngjyrë që mund të shfaqen dhe në thua”, thonë mjekët.

© Panorama.al

Te lidhura