Temperatura e lartë i merr jetën foshnjës 5 muajshe

Feb 10, 2012 | 11:18

Familjarët e foshnjës pas vdekjes së saj

KORÇE/ Prindërit: Mjekja nuk na e bëri gjendjen alarmante. Donte para.

Temperatura e lartë i merr jetën një foshnje 5 muajshe. Ngjarja është regjistruar në lagjen Numër 8 të qytetit të Korçës, kur fëmija me inicialet F.K. është çuar i pajetë në ambientet e spitalit të pediatrisë. Ajo ishte vizituar në spital një ditë më parë, ku e ëma, pasi ka marrë një recetë me barna në kushtet e shtëpisë, është larguar. Por, mesditën e djeshme fëmija ka humbur jetën. Pasi e kanë parë pa ndjenja, prindërit e foshnjës e kanë çuar atë menjëherë në pediatrinë e Korçës, por për të ka qenë tepër vonë. Vetë prindërit dhe halla e foshnjës kanë ngritur akuza ndaj mjekes, që sipas tyre nuk i ka vënë në dijeni në lidhje me gjendjen kritike të fëmijës. Prindërit e bebes, nëna 16-vjeçare F.Kërcelli dhe babai 35-vjeçar, Fatosi, pohojnë se janë në kushte të vështira ekonomike dhe kjo mund të ketë qenë një arsye që vajza të ftohej, por edhe për vdekjen e saj, pasi mjekët u kanë kërkuar lekë. “E çuam dje vajzën, se e kishim të sëmurë, por doktoresha është tallur me ne. Ajo s’ka kryer shërbimin siç duhet. Nisi ta vizitojë dhe e ka lënë lakuriq, pasi po fliste në telefon. Kur e pyeta si është vajza, nuk më ka kërkuar që të shtrohet. Vetëm më pyeti e ke sjellë për të shtruar apo jo, por nuk më tha se vajza ishte rëndë dhe se mund të vdiste. Çdo gjë e kanë bërë për lek, sepse ne nuk kishim mundësi t’i paguanim, ndaj na e lanë vajzën të vdiste”, shprehet nëna e fëmijës. Mësohet se fëmija 5 muajshe e familjes Kërcelli, sipas mjekëve, vuante nga bronkopneumonia dhe ky mund të ishte shkaku që ka çuar në vdekjen e saj. Fillimisht ajo ka pasur një gjendje gripale, ndërsa komplikacionet e mëtejshme kanë shfaqur tek ajo bronkopneumoni dhe temperaturë të lartë, duke i marrë jetën. Në spital mësohet se mjekja, e cila ka kryer vizitën, Silvi Tare, i ka kërkuar nënës shtrimin e foshnjës, por kjo e fundit ka refuzuar, gjë e cila është pasqyruar edhe në regjistrin e vizitave. Vetë shefi i shërbimit pediatrik, Luan Belortaja, ka sqaruar: “Ditën e djeshme është sjellë për vizitë foshnja në fjalë dhe pas vizitës mjekësore, nëna e saj ka refuzuar shtrimin, ndërsa ka marrë një recetë me medikamente për t’ia bërë fëmijës në shtëpi. Teksa largohej, i ka thënë personelit se nëse gjendja e fëmijës përkeqësohej do ta sillte përsëri”.
Burime nga Policia bëjnë me dije sa kanë nisur hetimet kryesisht për rastin.

Pas tri ditësh, helikopteri ngrihet mbi Shalë
SHKODER – Pas tri ditësh pritjeje dhe anulimi operacionesh, paradreken e ditës së enjte dy helikopterë, një i Ministrisë së Brendshme, si dhe një tjetër i Ministrisë së Shëndetësisë kanë lëvizur në drejtim të zonave të izoluara nga dëbora. Gjatë këtyre operacioneve janë transportuar 4 të sëmurë nga komuna e Shalës, si dhe një të vdekur, i cili ka ndërruar jetë prej ditësh në fshatin Gimaj. Vetë kryekomunari i Shalës bëri apel dy ditë më parë, duke deklaruar se për shkak të bllokimit të rrugëve, i vdekuri mbeti i pakallur në varrezat e Shkodrës, ku jetonin dhe familjarët e tij. Spitali rajonal i Shkodrës, i njoftuar për emergjencat mjekësore, ka vënë në dispozicion personelin mjekësor, si dhe dy salla të reanimacionit pranë urgjencës së tij, për të asistuar të sëmuret me patologji të ndryshme. Sipas mjekëve të repartit të urgjencës pranë spitalit rajonal në Shkodër, situata shëndetësore e të transportuarve nga Dukagjini nuk ka qenë kritike për jetën e tyre. Ata mësohet se kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në kushtet e zonave ku ndodheshin nga personeli mjekësor që ishte me shërbim në fshatrat e tyre. Të sëmurët, pas konsultave dhe vizitave të para, janë shpërndarë në pavijone të ndryshme, pasi paraqisnin probleme të ndryshme, sëmundje kardiake, pneumoni, dehidratim etj. Vetë të sëmuret dhe familjaret e tyre kanë deklaruar se në zonat e thella ku banojnë ka të tjerë të sëmurë që e kanë të domosdoshëm transportimin drejt Shkodrës, pasi bllokimi i rrugëve nga dëbora e bën të pamundur ndërhyrjen e personelit mjekësor të instaluar në këto komuna. Sot, krahas transportimit të të sëmurëve në disa fshatra të komunës Shalë dhe Pult, janë transportuar dhe medikamente.     r.d

Dëbora, ja komunat e bllokuara prej javësh në Veri dhe Lindje
Sasia e madhe e dëborës së rënë prej 2 javësh, temperaturat e ulëta, të papara që nga viti 1985, infrastruktura rrugore e amortizuar dhe e ndërtuar prej vitesh, kanë bërë që një pjesë e mirë e akseve rrugore të zonave rurale të jenë të bllokuara. Për pasojë, janë një sërë komunash të zonave të thella malore të qarkut Shkodër që kanë mbetur të izoluara për shkak se lëvizja me të gjitha llojet e mjeteve të transportit është e pamundur. Madje, gjatë dy ditëve të fundit, si rezultat i erërave të forta, ka qenë i pamundur edhe lëvizja me helikopterë në drejtim të zonës së Dukagjinit. Në rrethin e Shkodrës janë të bllokuara komunat e thella malore, si ato të Shalës, Shoshit, Pultit, ndërsa në rrethin e Malësisë së Madhe, problem mbetet komuna e Kelmendit. Rrethi i Pukës është më problematik, pasi pothuajse të gjitha komunat malore të këtij rrethi janë të bllokuara. Firmat e rrugëve nacionale, punonjësit e ndërmarrjeve të rrugëve, si dhe mjetet private të marra nga shtabet e emergjencave e kanë të pamundur mbajtjen hapur të këtyre akseve. Në Kukës, moti i mirë i pak orëve të mesditës së djeshme i la sërish vendin reshjeve të dobëta të dëborës dhe rënies së temperaturave. Problematike në gjithë rajonin verilindor mbetet hapja e rrugëve, sidomos atyre që lidhin fshatrat me qendrat e komunave dhe komunat me qendrat e rretheve. Aksi kryesor Morin-Kalimash në drejtim të Tiranës është i qarkullueshëm pa zinxhir. Vazhdimisht problem këtu ka pasur nga fshati Kolsh deri në tunel, ndërkohë që pjesa tjetër nga Morini në Kolsh është pastruar dhe mirëmbajtur shumë më mirë. Edhe në aksin e vjetër kombëtar, sërish vërehen ndryshime. Nga Kukësi deri në Qafë-Shllak kjo rrugë përgjithësisht është mirëmbajtur dhe është pastruar, por nga Qafë-Shllaku në drejtim të Fushë- Arrësit është tërësisht e bllokuar, pasi pjesa që i përket Pukës nuk pastrohet. Era e fortë që trazon dëborën është pengesë serioze në pastrimin e rrugëve nacionale Kukës-Shishtavec dhe Kukës-Dibër. Ajo punë që bëhet për 10 orë shumëzohet me zero nga era për 10 minuta. Terreni këtu është shumë i vështirë. Po kështu, dhe rruga që lidh Bajram Currin më Kukësin, që ka si nyje të ndërmjetme Krumën, ende është e bllokuar në pjesën e Tropojës, sepse nuk ka mjetet e duhura për ta mbajtur të hapur. Komuna të tilla, si Shishtaveci, Zapodi, Arrni, Gryka e Çajës, Lekbibaj e Kalisi thuajse nuk dalin asnjëherë nga harta e izolimit dhe me pak reshje, qoftë edhe me shi. Ndërmarrjet rurale të rrugëve nuk kanë kapacitet e duhura që në këtë situatë të pazakontë të ndërhyjnë. Shumë pak njësi vendore kanë makineri për zhbllokimin e rrugëve, madje dhe aktivizimi i privatëve gjatë dimrave të kaluar dhe mospagesa e tyre i mban larg përfshirjes në këto operacione. Një tjetër qark me probleme të mëdha është ai i Dibrës, ku komunat Selishtë, Lurë e Kala e Dodës në rrethin e Dibrës dhe Ostren e Trebisht në rrethin e Bulqizës janë të izoluara totalisht. Rrugët që lidhin qendrat e këtyre komunave janë të bllokuara për shkak të dëborës që ka rënë ditët e fundit. Megjithëse drejtuesit e njësive vendore, bashkive e komunave janë në dijeni se ka një vendim të qeverisë se në kohë emergjencash mund të merren mjete private me qira, kjo nuk ka ndodhur për pesë komunat e izoluara plotësisht.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura