Teli e Agolli “mbajnë peng” listën e Kuzhesë

Jun 15, 2011 | 10:16

Nuk ka ende një listë zyrtare për ata lojtarë që do të grumbullohen për miqësoren ndaj Argjentinës.Të paktën edhe ditën e djeshme zyrtarët e FSHF-së nuk kanë mundur që të publikojnë një listë lojtarësh. Një arsye është fakti se Kombëtarja ka mbetur thuajse pa mbrojtës, kjo, pasi, as Teli dhe as Agolli nuk kanë mundësi që të shkojnë në këtë miqësore. Klubi azerbajxhans i Karabakut, ku këta lojtarë aktivizohen, nuk u ka dhënë leje për këtë ndeshje, duke i prishur kështu të gjitha planet trajnerit të Kombëtares shqiptare për këtë miqësore. Ndonëse të dy futbollistët kishin pohuar që pas takimit në Bosnjë se do të ishin në miqësoren ndaj latino-amerikanëve, duket se dëshira e tyre nuk ka qenë në përputhje me atë të drejtuesve të klubit të Karabakut. Në këtë kontekst, Kuzhe duhet të rimodelojë totalisht mbrojtjen.
Grumbullimi – Veç Telit dhe Agollit që tashmë janë të sigurt se nuk do të jenë pjesë e skuadrës kuqezi, edhe shumë lojtarë të tjerë të formacionit bazë kanë pohuar se nuk do të jenë të pranishëm në këtë ndeshje. Kështu, duke nisur që nga Lorik Cana, Debatik Curri, Altin Lala, Ervin Skela, Klodian Duro e deri te Hamdi Salihi dhe Erjon Bogdani, asnjëri prej këtyre lojtarëve nuk duket të jetë i predispozuar për të udhëtuar 14 orë përtej Atlantikut. Në këto kushte, pritet që ekipi që do të grumbullojë Kuzhe për këtë ndeshje do të jetë me lojtarë kryesisht të rinj, që kanë luajtur pak ose aspak me ekipin tonë përfaqësues. Kjo, do t’ia bëjë natyrisht më të lehtë argjentinasve që të marrin një fitore me goleadë ndaj kuqezinjve, duke qenë se trajneri Batsita do të luajë me skuadrën më të mirë për ta kolauduar para Kupës së Amerikës, që starton në fillim të muajit korrik.
Lista – Përpos problemeve që ka Kuzhe ajo që të binte në sy dje, ishte mungesa e informacionit nga ana e Federatës. Menaxheri i Kombëtares ishte i pakapshëm (si gjithnjë) në telefon, ndërsa zyrtarët e tjerë pohonin se nuk kishin dijeni për listën dhe ishin ende në pritje të asaj që do të sillte zyrtarisht për shpallje pikërisht trajneri Kuzhe, nëpërmjet menaxherit të Kombëtares. Në fakt, kjo mesele, ndodh thuajse gjithnjë para shpalljes së listës së Kombëtares, mjaft të kujtojmë se para ndeshjes me Bosnjën u publikuan dy të tilla.

Para Argjentinës

Ekipi ynë përfaqësues do të mblidhet nesër e pasnesër dhe do të zhvillojë një seancë stërvitore për ndeshjen miqësore me Argjentinën, më 20 qershor. Sipas informacioneve, trajneri Josip Kuzhe do të bëjë sot publike listën e lojtarëve që do të ketë për këtë takim dhe më pas do të vërejë kondicionin e secilit në stërvitjen që do të zhvillojë. Ndërkaq, skuadra do të niset më datë 17 qershor drejt Argjentinës, ku në përbërje të delegacionit do të jenë rreth 35 persona, përfshi këtu edhe lojtarët. Sipas informacioneve, një pjesë e mirë e shpenzimeve paguhen nga ana e Federatës argjentinase, e cila e kërkoi këtë ndeshje.

© Panorama.al

Te lidhura