
Ka hezituar t’i përgjigjet thirrjes së Sigurimit të Shtetit për të bashkëpunuar, po është ndëshkuar me shtatë vjet burg.Ngjarja e viteve ’70, me protagonist mjeshtrin e arenës Telat Agolli, është zbardhur në hetimet e Kadri Hazbiut dhe krerëve të tjerë të Sigurimit pas 10 vjetësh. I thirrur në hetuesi në procesin e vitit ‘83, Artisti i Popullit Agolli rrëfente dramën e persekutimit të tij në ferrin e burgjeve komuniste. Ballafaqimi me Feçor Shehun, që kishte urdhëruar arrestimin e Agollit pas një turneu artistik në Maqedoni, marrë nga libri i ri i Kastriot Dervishit, sqaron jo vetëm pozitën e mjeshtrit të arenës së cirkut, por edhe thelbin e mekanizmit represiv të Sigurimit. Kryqëzimi i Telat Agollit ishte menduar prej ish-ministrit të Brendshëm si një zgjidhje interesante për të thithur informata nga bashkëpunëtorët e UDB-së që operonin në Shqipëri. Po Shehu që nuk e kishte menduar dështimin e misionit, nuk mund ta linte pa gjë mjeshtrin e shquar të cirkut. Hakmarrja ishte e menjëherëshme. Telat Agolli duhej të mbetej banor i qelive të Spaçit, jo pse nuk iu përgjigj thirrjes për t’u bërë spiun, por se kishte ironizuar pushtetin popullor dhe udhëheqësit e Partisë (!)me barcoletat e Skënder Sallakut. Mjaftoi kaq dhe shtatë vjet burg për ta zhdukur përgjithmonë emrin dhe lavdinë e mjeshtrit të cirkut. Po si është shprehur Agolli në përballjen me Feçor Shehun në shkurtin e vitit 1983…
Hetimet e 28 shkurtit 1983
Dëshmia e Telat Agollit

Telat Agolli, i vitlindjes 1932, dëshmonte mbi pyetjet që i kishte bërë Feçor Shehu në Hetuesi në nëntor 1976 për vizitat në Jugosllavi dhe dyshimet për njerëz të farefisit të Nexhmije Hoxhës. Ja çfarë pohonte Agolli para njerëzve të akuzës. Në vitin 1971 shkova në Jugosllavi tek njerëzit e mi, meqë jam nga Dibra për të marrë një çadër cirku. Porsa erdha prej andej më sinjalizuan se ty duan të të arrestojnë. U habita, megjithatë nuk ndjeva asnjëfarë shqetësimi. Pas një farë kohe konstatova se po survejohesha. Gjithandej njerëzit thoshin çfarë thotë Telati, ku është Telati. Për këtë kam dëshmitarë të cirkut, të cilët i kishin thirrur dhe i kishin pyetur për Telatin. Për të mos u zgjatur, në qershor ’76 më lidhin këmbë e duar në Sarandë, ku ishim në turne me trupën e cirkut dhe më sjellin në burgun e Tiranës. Pastaj, pa ardhur mirë, akuzohem si agjent edhe si tradhtar i vënë në shërbim të UDB-së. Që në fillim fare më kërkohet llogari ç’porosi të ka dhënë UDB-ja (e kishin fjalën për kohën që kisha qenë te njerëzit e mi në Dibër). Na thuaj, kërcënonin, se ne e dimë. Çfarë pune kam unë me jugosllavët mo, çfarë thoni, çfarë thoni mo, unë në Dibër kam shkuar te njerëzit e mi. Për këtë më ka nisur vetë armiku Feçor Shehu. Kemi qenë mu përpara Gjykatës së Tiranës, bashkë me Miço Papadhopullin me një shishe raki duke shkuar te Skënder Sallaku, kur më thirri Feçori e më thotë se duhet të shkoja në Jugosllavi. Unë në Jugosllavi s’kam bërë ndonjë kërkesë i thashë. Unë kam kërkuar të shkoj për çadrën e cirkut me shërbim kur të jepet rasti. Jo tha ti je njeriu ynë, ti ke njerëzit e tu atje prandaj shko. O po ky, thashë çarë është kjo, thashë. Ti bëj pasaportën, tha Fiçori, vjen këtu menjëherë ky njeriu dhe të mbaron punë. Shkova mo e sa u ktheva këtu siç u thashë në fillim, nisi belaja, jo UDB-ja jugosllave kështu, jo ajo puna e agjentëve ashtu. Mor jini në vete, ça do të bëj. Një Kadri Gojashi i famshëm më vjen e më thotë mor të na ndihmosh; çfarë të të ndihmoj mor i thashë je në vete. Të ndihmosh Sigurimin; bam-bum, unë nuk e mora vesh fare atë punë se ç’deshnin prej meje. Kur më ndërrojnë hetuesin dhe më vjen një Koço Josifi. Ore më tha merr vesh apo s’merr vesh, rrahin telefonat per ty tha. Që nga aty lart interesohen për ty tha, a merr vesh apo s’je në terezi. Kush të dënon ty për dy llafe mor tha, a e kupton se fundi-fundit ty të çonin në bujqësi, tha. Po çfarë doni nga unë, çfarë kam bërë mo. Mor po lëre atë tha. Kur një dite më erdhi në qeli i pandehuri Feçor Shehu. Hë mor thotë Perlat Agolli, (me sa duket Feçori i ngatërronte emrin) çfarë bën more hala ti. Ça ka mo, çfarë do nga unë, unë thash shyqyr që erdhe, ti thua çfarë bëhet me mua. Si mor tha ti akoma s’po na ndihmon. Çfarë të të ndihmoj mo. Ore tha po neve Jugosllavet i kemi…..,po neve këto gjëra i kemi për arkiv, tha që nesër pasnesër do t’i demaskojmë tha. Çfarë di unë more, unë s’di gjë. Po lëri këto muhabete tha. Çfarë të ka kërkuar UDB-ja jugosllave të na thuash ne, pyeti. Ne e dimë se ti je dibran dhe ke edhe miqësi me fisin e ….Po mo, thashë, kam miqësi, kam marrë motrën e tij për dajon tim atje dhe janë njerëz shumë të ndershëm, kanë ardhur dhe janë riatdhesuar këtu. Mor po lëre atë ti, tha e dimë ne se kush janë ata, ata janë kushërinjtë e Nexhmijes, (gruas së Enver Hoxhës-shënim) prandaj çfarë të kesh tha, qoftë për Nexhmijen qoftë për ndonjë tjetër, mos pyet më tha, qoftë anëtar i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror qoftë, kushdo që të jetë na thuaj ne. A je në terezi mor thashë unë kam qenë “Artist Populli” thashë, çfarë të merrem unë me këto gjëra. Kjo për mua është krejtësisht e pabesueshme, kjo që po më thua ti mua. Po lëri ato, tha, se artist populli të kemi bërë ne. Çfarë artist të popullit më ke bërë ti mor thashë, mua më ka bërë Partia, jam propozuar nga kolektivi, thashë. Në ‘74 (vetëm për çështjen e të afërmëve në Jugosllai-shënim) nuk më çuan në Itali. Vetëm për këtë nuk më dhanë as pasaportën. I shkova Nustret Dautit edhe më thotë ti je njeriu ynë më i ndershëm. Ti je qytetari ynë më i mirë. Ti je artisti ynë më i nderuar. Si mo artisti më i nderuar nuk shkoi dy vjet me radhë në Itali. Si mo njeriu ynë më i nderuar dhe më lidhi këmbë e duar në mes të Sarandës, ja ky Nustret Dauti. Aty i them unë nuk di gjë nga këto prandaj as më kanë porositur për njeri as më ka thënë njeri, unë do të shkoj te njerëzit e mi prandaj e ke gabim. Mor po lëre atë ti tha, neve nuk të dënojmë tha, ndonjë dënim të lehtë do të japim, tha, po rri. Po pse ti nuk do ta mbrosh Partinë tha. Pse mo ku ka nevojë Partia për të tilla gjëra, a je në vete ti thashë, mo çfarë bën kështu thashë se më merr në qafë mua thashë. A do t’i sjellim kalamajtë aty te xhami t’i shohësh 100 metra larg. Jo nuk kam nevojë, i thashë, të m’i biesh kalamajtë mua edhe nuk më lanë gjë. Më në fund vetëm më falni se nuk e thashë në kohën që hyri Feçor Shehu në sekondë doli Koço Josifi. Ka hyrë në fund në finalen e bisedës së tij dhe thotë dëgjo ti Koço bisedove me Telatin, thotë edhe të kini parasysh në rast së ky nuk dëgjon thotë vazhdoni metodat e fundit. Unë nuk kam asnjë send thashë çfarë të them, prandaj ju në doni me shkrujt, shkruani thashë, mor po ç’ke ti tha këto janë në interes të Partisë, në interes të sigurimit tha. Nuk e mora vesh përfundimisht ku e kishin hallin, kur e shoh veten në gjykatën e rrethit të Tiranës. Aty pastaj filluan, tradhtar, vënë në shërbim UDB-së jugosllave. As zoti s’e mori vesh se ku do delnin. Gjykata nuk pranoi e hodhi poshtë, nuk pranoi të dal as në gjyq fare ç’ke ti ne ta heqim atë, kur një ditë në spital më thonë heqim dorë nga akuza e nenit 64. Atëherë thashë çfarë doni thashë agjitacion, çfarë agjitacioni mor. Ti ke fyer udhëheqësit me barsoletat e Skënder Sallakut, më thanë dhe hopa 10 vjet burg. Burg, mo, burg dhe pse për një barsoletë të Skënderit që diçka thosh për një nga komandantët e luftës nga Labëria. Me një fjalë ja këta njerëz që më thatë qëpari a i njeh të cilët buzëqeshnin e zgërdhiheshin me barsoletat e Skënder Sallakut që më lejo të lutem shumë për të pandehurin Kadri Hazbiu që të ketë turp e faqen e zezë që ka arritur deri këtu….
Dëshmia e Sulejman Osmanit
I vitlindjes 1938, ish polic, i dënuar për agjitacion e propagandë, dëshmonte më 18 mars 1983 se kishte qenë në qeli me Telat Agollin. Dëshmitari pohonte se Telati nuk i kishte përmendur emra personash në udhëheqje (që i kishte kërkuar Feçori) në bisedat që kishin bërë në hetuesi apo më pas në Spaç, kur vuanin dënimin. Pas dënimit dhe dërgimit në Spaç, Telati kishte kërkuar në vitet 1977 e 1979 me anë të dy letrave takime me njerëz të autorizuar nga Enver Hoxha.
Dëshmia e Zejnulla Ballancës
I vitlindjes 1920, pedagog në Universitetin Shtetëror të Tiranës, dëshmonte me 19 mars 1983 se në vitin 1972 kishte qenë me shërbim në Kosovë. Atje, në Prishtinë kishin ardhur dy djem dibranë, Triumf e Përtef Turkeshi, të cilët i kishin deklaruar se kur Telat Agolli kishte qenë në Dibër, ishte grindur me një oficer të UDB-së të quajtur Edip Ohri. Telati kishte mbrojtur Enverin, ndërsa Edipi, Titon. Kjo grindje kishte pasur jehonë në Dibër.
Rrëfimi i Peco Kallucit
I vitlindjes 1924, lindur në Nokovë, Gjirokastër, oficer i vjetër, pensionist, dëshmonte më 3 shkurt 1983 për vrasjen pa gjyq të ushtarit në Gjirokastër, vrasje që përmendet edhe në dëshmitë e tjera. Vrasja kishte ndodhur në vitet e para pas lufte. Sipas tij, Xhemal Orhani dhe Zaim Myftari ishte baxhanakë dhe bënin ç’të donin aty. Ushtari quhej Haziz Hajredin Loka (sipas të dhënave të tjera, personi ishte i vitlindjes 1922, e më 17 shtator 1947). Arrestimin e kishte bërë oficeri Miti Teneqexhiu. Nga rrahja e madhe dhe mungesa e mjekimit i ishin gangrenizuar këmbët. Nga Tirana Kadri Hazbiu kishte nisur një telegram që ushtarin “ta nisnin në Tiranë”. Ky për dëshmitarin ishte kombinacion. Dëshmitari kishte qenë i ndaluar për 5 ditë për thyerje shërbimi. Gjatë kësaj kohe, Zaim Myftari, Thanas Liço, etj, kishin marrë dy ushtarë të tjerë dhe e kishin pushkatuar ushtarin në vendin e quajtur vendi i kazermave në Gërhot. Të nesërmen Xhemal Orhani i kishte kërkuar dëshmitarit të shkruante me makinë shkrimi, që ushtari Haziz Loka u nis me makinë në Tiranë, i shoqëruar nga Thanas Liçi dhe një nënoficer i quajtur Koço. Rrugës, tek plepat e Drinos, gjoja ishte hedhur nga makina për t’u arratisur dhe në këto rrethana e kishin vrarë. Sipas tij, procesverbali duhet të ishte në arkivat e sigurimit të divizionit të 5. Për vrasjen nuk ishte lajmëruar familja. Pas “kthesës” së vitit 1948, familja e kërkonte ushtarin duke besuar se ai ishte së paku në burg. Në këto rrethana, familja u sqarua sipas kombinacionit që ishte bërë. Më 1979 Hysen Gorica filloi të interesohej për këtë ngjarje. Zaim Myftari, Xhemal Orhani dhe Miti Teneqexhiu ishin hequr sikur nuk dinin gjë, ndërsa Kadri Hazbiu në fund i kishte thënë Hysenit mos ta luante atë mesele të vjetër. Dëshmitari ishte zhvendosur më pas në Tiranë, për t’u bërë sekretar i Mehmet Shehut qoftë si ministër, qoftë si kryeministër. Për Mehmetin thoshte se lexonte shumë libra e revista, madje i porosiste ato. Po ashtu, dëshmitari përmendte edhe vrasjen e një oficeri në Gjirokastër, por pa thënë emrin e tij.
vijon…
Pakti i fshehtë i Fiqerete Shehut me Hetuesinë
Fiqrete Shehu dhe i biri, Skënderi, të arrestuar 20 ditë pas vetëvrasjes së Mehmetit, fillimisht e shpërfillën ofertën e bashkëpunimit me hetuesinë për të zbardhur rrethanat e aktit fatal të 17-të dhjetorit. Të ardhur në burgun e Tiranës nga Belshi i Elbasanit ku ishin internuar, menduan ta sfidonin drejtësinë e kohës me heshtje totale. Po kjo nuk zgjati shumë. Njëri prej hetuesëve të çështjes, tregon për gazetën “Panorama” se pas arrestimit të Bashkimit, djalit tjetër të Mehmetit, dhe vdekjes në kushte të dyshimta të vëllait të madh, Vladimirit, ata u gjunjëzuan totalisht para organit të akuzës duke pranuar të nënshkruajnë gjithçka nga aktakuza e hartuar në zyrat e Sigurimit. Pikërisht pas këtij pakti, gruaja e ish kryeministrit filloi të ligjëronte jashtë vullnetit të saj duke pohuar se Mehmet Shehu kishte qenë agjent i hershëm i UDB-së, CIA-s, zbulimit jugosllav, britanik etj. Ndërkaq, Skënder Shehu, i biri, i porsa kthyer nga studimet pas universitare në Suedi, dëshmonte se kishte shkuar aty jo thjesht për një diplomë, por për të kryer ndërlidhësin e të atit me agjenturat perëndimore. Këtë radhë, “regjizorët” e procesit, u përkujdesën që deponimet e të vesë së kryeministrit dhe djalit të saj, ti rregjistronin në një kasetë për të bërë xhiron e institucioneve shtetërore. Ligjërata e Fiqrete Shehut për komplote pas komplotesh të ideuar nga bashkëshorti i saj dhe të tjerë vetëm për të hequr qafe Enver Hoxhën, për ditë të tëra shokoi opinionin publik. Me zërin e saj me theks teatral, e veja e kryeministrit fliste lirshëm duke denoncuar tërë lidershipin e Sigurimit, si armiq të betuar sipas një skeme të përsëritur rëndom seancë pas seance. Nga mënyra si shfaqej në vido Shehu, dukej sikur lexonte ato që i kishin mësuar. Në fakt, shpreht ish hetuesi i çështjes, ajo nuk bënte gjë tjetër vetëm artikulonte çafrë i diktohej. E gjitha kjo sipas tij, me qëllimin e vetëm për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes, fëmijët. Ishte ky tjetërsim i saj që ngriti alibinë e tmerrshme mbi bazën e së cilës shkuan para plumbit një dyzinë me “tradhtarë” e “agjentë”.
AFRIM IMAJ
© Panorama.al











