Tekstet, shpërndarja nis më 27 gusht

Aug 23, 2012 | 12:50

Nga data 27 gusht deri më 16 shtator nis shpërndarja e teksteve për arsimin parauniversitar. Të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme do të mund t’i blejnë librat në këtë afat pranë shkollave ku janë të regjistruar. Sipas MASH, deri më datë 10 shtator të gjithë nxënësit duhet të jenë të pajisur me libra. Ata duhet të tërheqin faturën në mënyrë që të përfitojnë nga subvencioni. Masa e subvencionit arrin deri në 100% për kategori të veçanta nxënësish. Risi këtë vit është prodhimi i teksteve për shkollat profesionale. Gjithashtu është parashikuar që romët dhe pakicat minoritare t’i përfitojnë librat falas ditën e parë të shkollës. Ministria e Arsimit konfirmon se janë marrë të gjitha masat paraprake që të mos ketë asnjë problem me furnizimin me libra në të gjitha pikat e shitjes. Prindërit që kanë ankesa, mund t’i paraqesin ato në drejtorinë e shkollës përkatëse, në drejtoritë e Arsimit apo edhe në Ministrinë e Arsimit. Mësuesit e shkollave zgjedhin vetë tekstet shkollore me të cilat u japin mësim nxënësve. Në jo pak raste ka ndodhur që në fund të vitit shkollor vetë ata janë bërë pishman për këto tekste, pasi kanë pasur mangësi e gabime. Ministria e Arsimit ka deklaruar se shtëpitë botuese kanë kaluar në filtër këtë vit duke prodhuar tekste cilësore. Tekstet alternative shpërndahen në shkolla prej disa vitesh, ndërkohë nga prindërit dhe nxënësit ka pasur një sërë pakënaqësish për to.

© Panorama.al

Te lidhura