Tekstet shpërndahen më 25 gusht

Aug 3, 2011 | 12:04

Brenda datës 25 gusht, të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme do të jenë të pajisura me paketat e librave për nxënësit. Ato do të vijojnë të shpërndahen deri më 19 shtator. Gjithçka e bën me dije Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, nxënësit dhe prindërit duhet të bëjnë kujdes me faturat tatimore. Në rast se nuk pajisen me to, nuk do të mund të përfitojnë kompensimin nga shteti. Kompensimi varion nga 50-100% për disa kategori nxënësish. “Në rast se nuk marrin faturën tatimore, nuk do të mund të dokumentojnë që kanë tërhequr paketën me libra dhe, për rrjedhojë, nuk do të mund të përfitojnë kompensimin. Romët do të jenë ata që për herë të parë do t`i marrin librat e shkollës falas. Të verbrit do të përfshihen në një program të veçantë. Për këtë, Ministria e Arsimit thotë se ka një fond enkas dhe bazën e nevojshme materiale për t`u krijuar mundësi studimi. Ndërsa kategoritë që do të përfitojnë nga kompensimi i teksteve janë: jetimët, nxënësit që vijnë nga familje të cilat marrin ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga zyrat e punësimit, ata që kanë njërin nga prindërit me aftësi të kufizuara, si dhe për fëmijët, prindërit e të cilëve përfitojnë pension pleqërie. Nxënësit, pas blerjes së teksteve, do të dorëzojnë në drejtorinë e shkollës faturat tatimore të blerjes. Më pas është drejtoria e shkollës ajo që numëron ata që do të përfitojnë nga ky rimbursim.

KUSH PËRFITON

Një vendim i posaçëm i Këshillit të Ministrave u referohet teksteve shkollore të pakicave kombëtare, të fëmijëve të familjeve të emigrantëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të fëmijëve romë dhe nxënësve që gëzojnë statusin e të verbrit. “Për tekstet shkollore të pakicave kombëtare, nga klasa I deri IX dhe për tekstet shkollore të fëmijëve të familjeve të emigrantëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, qeveria ka vendosur që çmimi i blerjes të mbulohet në masën 100% me fondet e Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që këto tekste shkollore do të jenë pronë e shkollës dhe afati i përdorimit të tyre mund të variojë nga dy deri në tre vjet”, sqarojnë specialistët e MASH-it. Gjithashtu, edhe për tekstet shkollore të fëmijëve romë, nga klasa I deri IX, çmimi i blerjes së tyre do të mbulohet 100% nga buxheti i Ministrisë së Arsimit, ndërsa drejtoritë përkatëse të shkollave ku mësojnë nxënës romë duhet të dorëzojnë në DAR/ZA-të përkatëse, brenda muajit mars të çdo viti, listën e nxënësve të kësaj kategorie. Ndërsa nxënësit që gëzojnë statusin e të verbrit, të cilët mësojnë në klasat I deri IX, do të pajisen me tekste shkollore të transkriptuara në shkrimin brail, të regjistruara në audio ose në shkrim të zmadhuar.

KUSH PËRFITON KOMPENSIM DERI NË 100%

• Nxënësit me statusin e jetimit
• Nxënësit që vijnë nga familje të cilat marrin ndihmë
ekonomike
• Nxënësit që vijnë nga familje që marrin pagesë
papunësie nga zyrat e punësimit
• Nxënësit që kanë njërin nga prindërit me aftësi të
kufizuara
• Nxënësit, prindërit e të cilëve përfitojnë pension
pleqërie.
• Falas
• Romët
• Fëmijët e emigrantëve

© Panorama.al

Te lidhura