Tekstet shkollore, gati deri më 25 gusht

Jun 24, 2011 | 9:41

Tekstet shkollore do të jenë në duart e nxënësve deri më datë 25 gusht. Ky do të jetë afati për të gjitha shtëpitë botuese, të cilat sipas MASH kanë filluar botimin e titujve që janë përzgjedhur nga arsimtarët e shkollave në të gjithë vendin. Shtëpitë botuese që do të merren me përgatitjen e teksteve, numri i të cilave arrin në 30, do të lidhin kontrata me Ministrinë e Arsimit, për çdo titull që do të nxjerrin nga shtypshkronja. “Është një mori kontratash se nuk është problem i vetëm një shtëpie botuese, por ajo ka dhe shumë tituj, kështu që për secilin titull lidhet kontratë e veçantë. Ne jemi gati me fillimin e kësaj dhe brenda një jave apo dy javësh do t’i përfundojmë edhe këto kontrata”, shprehen specialistët e MASH. Edhe këtë vit do të zbatohet e njëjta skemë subvencionimi për tekstet. Ajo do të jetë në masën 100% për një sërë kategorie nxënësish. Të gjithë duhet të përgatiten me faturën tatimore. Libra falas do të përfitojnë fëmijët e komunitetit rom, fëmijët në emigracion dhe ata me aftësi të kufizuara.

© Panorama.al

Te lidhura