Tekstet e Historisë duhet të ndryshohen

Aug 26, 2011 | 10:39

NEXHMEDIN SPAHIU

Më se dy dekada nga mposhtja e komunizmit, Kosova u desh ta presë ministrin turk të Arsimit, Dinçer, që të marrë vërejtje për absurditetin në tekstet tona të Historisë. Rishikimi i teksteve të Historisë duhej të ishte bërë që para dy dekadave, në mënyrë që të shkundet nga mendësia marksiste – leniniste. Mundësitë akoma më të mira kanë qenë pas çlirimit të Kosovës.
Për këtë pata biseduar me ministrin e parë të Arsimit pas luftës në Kosovë, që vinte nga Afrika Jugore, dhe me ministrin e tretë në radhë pas lufte, Michael Daxner. Që të dy qenë pajtuar që kjo gjë duhej bërë sa më parë, por mandatet e tyre përfunduan dhe kjo gjë nuk u arrit.
Pengesa kryesore për ta duket të kenë qenë jo tekstet në gjuhën shqipe, por ato në gjuhën serbe, të cilat botoheshin në Beograd, dhe po të bëheshin tjera në Prishtinë, ato do të bojkotoheshin nga arsimtarët serbë në Kosovë. Kështu, as Mark-u as Michael-i nuk iu futën kësaj pune as për tekstet e Historisë në gjuhën shqipe.
Koncepti i kombit nuk është në rregull në tekstet tona të historisë?
Koncepti i kombit është i dhënë sipas teorisë staliniste, dhe kjo gjë prodhon derivate të tjera me të cilat nxënësit dhe studentët tanë furnizohen gjatë gjithë shkollimit. Ky koncept krijohet që në klasat e ulëta, akoma pa u dhënë definicioni eksplicit për kombin.
Defekti i konceptit stalinist për kombin është se ai e barazon kombin me etninë. Ky koncept buron nga teza e filozofit gjerman Johann Gottlieb Fichte, se çdo popull që flet një gjuhë të veçantë ka të drejtë të ketë shtetin e vet. Kjo do të thotë se çdo etni ka të drejtë të jetë komb. Por, mes së drejtës për të qenë komb dhe aftësisë për t’u organizuar si komb ka një hapësirë të madhe që Stalini nuk deshi ta pranojë në teori, por, për ironi, e zbatoi në praktikë. Bashkësive të shumta etnike në Perandorinë Sovjetike iu mohuan të drejtat për republikat e tyre pikërisht nga Stalini. Thjesht, në teori, Stalini e barazoi konceptin e kombit me etninë dhe, së këndejmi, historia e kombit u projektua deri në lashtësi. Madje edhe për epokat më të lashta u përdor terminologjia e historisë së kohës moderne.
Termi jologjik “Revolucioni Demokratik”
Kur është fjala për shqiptarët, këtu kemi edhe disa idiotizma të veçantë, p.sh. termi “Revolucioni Demokratik i Qershorit i 1924-s”, që përdoret për grushtshtetin që e solli Fan Nolin Kryeministër të Shqipërisë. Ne që na është mësuar veshi që nga fëmijëria, edhe nuk na duket ndonjë idiotllëk derisa të mos e përkthejmë në anglisht “Democratic revolution”. Atëherë kuptojmë çfarë marrëzish po flasim. Të thuash “revolucion demokratik” është sikur të thuash “dru i hekurt” (!). Ose është dru, ose është hekur, por nuk mund të jetë dru i hekurt. Kështu edhe revolucioni nuk mund të jetë demokratik, sepse këto dy gjëra përjashtojnë njëra-tjetrën. S’mund të jesh edhe revolucionar, edhe demokrat.
“Lufta Shqipëri – Perandori Osmane” është një term që nuk përket me konceptet historike
Në shekullin XIV, në kuptimin modern, s’kishte lindur akoma edhe një komb i vetëm në botë. Kombi i parë modern lindi më 1523-shin, kur më 6 qershor, mbreti suedez, Gustav Vasa Ericson, shpalli reformat e tij që Suedinë e bëjnë pronë të suedezeve dhe jo pronë të mbretit, siç ishte rasti me shtetet mesjetare, ku territori në zotërim të shtetit ishte, në fakt, pronë e mbretit dhe popullsia që banonte në atë territor nuk kishte asnjë rol në drejtimin e shtetit. Apo, më mirë e thënë, kishte aq rol, sa kishte edhe bagëtia që popullonte atë territor.
Kështu, suedezët u bënë kombi i parë në botë. Anglezët këtë e arritëm 126 vite me vonë, me Revolucionin e Oliver Cromwell-it më 1649-n; amerikanët me shpalljen e pavarësisë më 1776-n, ndërsa francezët me Revolucionin e vitit 1789, me të cilin fillon edhe epoka e kombeve.
Pse lindja e kombit francez shënon epokën e kombeve, e jo lindja e 3 kombeve të mëhershme? Kjo është sepse kombbërja franceze qe më e artikuluar (slogani “Liri, Vëllazëri, Barazi” në shkrimet Rousseau-os dhe Voltaire-it etj.) dhe u pasua menjëherë me kombbërjet në gjithë Europën Perëndimore.
Kur Perandoria Osmane arriti në Ballkan, nuk kishte as komb turk, as komb osman e as ndonjë komb ballkanik. Thjesht një sundimtar zëvendësonte një tjetër.
Edhe Skënderbeu nuk ishte udhëheqës kombëtar, por vetëm një sundimtar. Në shekullin XIX ai u shndërrua në një kryehero kombëtar nga rilindësit shqiptarë, me qëllim mitizimi. Madje, lëvizjen e kombformimit shqiptar e quajtën “Rilindje Kombëtare”, me demek se shqiptarët në kohën e Skënderbeut paskëshin qenë komb dhe tani po lindnin sërish si komb. Por kjo gjë nuk përkon me të vërtetën historike, sepse shqiptarët në atë kohë akoma s’ishin komb. Në mesjetë nuk kishim të bënim me konceptet që solli modernizmi (epoka e kombeve), siç është urrejtja ndëretnike, interesat kombëtare etj.
Perandoria Osmane s’ishte e turqve, por e sulltanit. Në trashëgiminë e saj, shqiptarët kanë të drejtë po aq sa dhe turqit, boshnjakët dhe popujt e tjerë.
Problemet shqiptaro-turke janë të një periudhe relativisht të shkurtër (1879-1912). Kjo është periudha kur lëvizja kombëtare turke po e sfidonte atë shqiptare.
Në fillimet e veta, lëvizja kombëtare turke donte që me popujt myslimanë të Perandorisë të krijonte një komb të vetëm. Rilindësit shqiptarë kishin konceptin e kombit mbi bazën e gjuhës e gjakut, e jo mbi atë të fesë, që binte ndesh me konceptin turk.
Kjo periudhë konflikti 33-vjeçare është minore në krahasim me miqësinë e mëpasshme mes kombit turk e atij shqiptar. Ndërsa, sa i përket Kosovës në veçanti, ajo lindjen e vet si shtet duhet t’ia dedikojë Turqisë me meritat e saj më të larta, menjëherë pas SHBA-ve dhe aleatëve perëndimorë.
Tekstet tona të Historisë përmbajnë urrejtje antiosmane e antiturke të trashëguar nga mendësia komuniste e Enver Hoxhës. Këto tekste duhet të revidohen një minutë e më parë. Ministri Dinçer ka plotësisht të drejtë.

© Panorama.al

Te lidhura