TEKSAS- Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk gjejnë qetësi. Universiteti i Teksasit ka evakuuar të gjithë ndërtesën pas marrjes së një telefonate, nga ku vinte një kërcënim për bombë, e cila dyshohet se është vendosur në ambientet e kampusit. Zyrtarë amerikanë thanë se nga kontrollet nuk janë gjetur bomba.
Në alarmin e dhënë thuhej se të gjithë njerëzit e pranishëm në kampus të evakuohen sa më larg të jetë e mundur.
Drejtori i Komunikimit në Universitetin e Teksasit, Rhonda Weldon tha se Universiteti ka marrë një telefonatë rreth orës 8:35 nga një njeri që pretendon të jetë anëtarë i al-Kaidës.
Njeriu tha se ai do të vendoste bomba në të gjithë kampusin, duke dhënë një ultimatum 90 minutësh. Wheldon tha se të gjitha ndërtesat janë evakuuar në 09:50 si masë paraprake.
Edhe një tjetër Universitet është evakuuar më herët, por ende nuk ka informacioni nëse këto dy ngjarje kanë lidhje me njëra- tjetrën.
© Panorama.al











