“Teatri shëtitës” mbërrin në Fier

Feb 10, 2012 | 11:44

Komedia angleze flet shqip në teatrin “Bylis”. Është komedia e autorit Michael Pertwee, e titulluar “Jo vetëm shtrirë, bëj diçka”, ajo që pritet të vihet në skenë së shpejti nga trupa më e re teatrore, “Teatri shëtitës”, në bashkëpunim me teatrin e Fierit. Regjisori Kiço Londo, së bashku me drejtorin e teatrit, Robert Hoxha, në një konferencë për shtyp kanë zbardhur detaje mbi veprën dhe aktorët pjesëmarrës. Me një kast të përzgjedhur aktorësh, ku spikatin emrat si: Luftar Paja, “Artist i Popullit”, në rolin e inspektorit Ruf, Fatmir Xhelili, në rolin e William Braun-it, Arqile Lipe, “Artist i Merituar”, në rolin e Willfred Pots-it, Doriana Çaushaj, Gerta Metaj, Brikena Sinanaj etj. Londo synon gërshetimin e eksperiencës skenike të brezave të vjetër me energjinë e brezave më të rinj të aktorëve të skenës shqiptare. “Kjo është një komedi me një temë sa aktuale, aq edhe universale. Në të gjenden ministra të korruptuar, inspektorë që kërkojnë ryshfete, vajza të reja në kërkim të pushtetit dhe rrugëve për t’u bërë të famshme. Është një komedi pa atdhe, që përfshin të gjitha shoqëritë, të gjitha sistemet, gjithçka që ka të bëjë me jetën e përditshme, që në fakt i shkon shumë për shtat edhe realitetit shqiptar”, ka thënë Londo, teksa shton se ndihet i privilegjuar që punon me emra të njohur të artit skenik. Ndërkohë, drejtori i teatrit “Bylis”, Robert Hoxha, u shpreh se kjo është e para shfaqje e sezonit, ndërsa kalendari do të vijojë me të tjera aktivitete. Një ndër to është edhe drama “Vizita e damës plakë”, ku do të jetë e ftuar aktorja Tinka Kurti.

Ndahet nga jeta poeti Miliano Stefa
U nda dje nga jeta në moshën 79-vjeçare poeti vlonjat Miliano Stefa. Lindi në Varosh më 16 gusht 1933. Edhe pse kreu tri vite universitet për Veterinari, pasioni i tij i madh ishte letërsia, ndaj edhe nisi studimet aty ku ia donte zemra. Në vitin 1959 botoi poemën “Ushtarë”, për të cilën u nderua edhe me medaljen e artë “Naim Frashëri”, klasi i parë, dhënë nga Qendra e Ushtrisë. Do ta emëronin mësues në Zagorë të Shkodrës e më vonë në gjimnazin e Patosit, ku jepte letërsi në vitin e parë. Ndërkohë vazhdonte të shkruante, edhe pse hapësirat nuk ishin shumë të mëdha. Në vitin 1960 u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve me një kontribut me 3 libra në poezi dhe një dramë. Ngadalë filloi të afirmohej, dhe disa prej dramave u vunë në skenat e teatrove profesioniste në Vlorë, Fier, Durrës, Korçë, Elbasan e shumë të tjera në teatrot amatore. Në vitin 1980, libri me poezi “Nëse gdhend varg” u ndalua në shtypshkronjë për probleme ideore. Deri në vitin 2008 nuk botoi më asnjë germë. Në vitin 2008, gjithë krijimtarinë e tij të pabotuar e botoi në 12 vëllime. Një kolanë e titulluar “Shtrati i Prokustit”, me 10.000 vargje poezie, botuar nga “Omsca 1”. Ceremonia e lamtumirës do të zhvillohet sot në orën 11:00 në qytetin e Vlorës.

© Panorama.al

Te lidhura