Në pamje të parë, të tria objektet duket sikur nuk kanë lidhje logjike midis tyre, përpos rëndësisë publike që transmetojnë. Ky impresion i rrejshëm zhduket sapo futesh në fushën e deduksioneve historike dhe opinionformuese. Dy të parët, dashje-pa dashje, i lidh zjarrvënia, ajo e teatrit “Skampa” para disa ditësh dhe ajo e Raishtagut para disa vitesh; më saktë, në vitin e largët 1933, që përkon përafërsisht me kohën e ndërtimit të Skampës. Ndoshta fataliteti vjetor ka pasur këtu rolin e vet. Dy të fundit i lidh rastësia gjuhësore, pasi Raishtag ishte ndërtesa e Parlamentit (gjerman), rastësi që na çon te prishja e Piramidës për hir të Parlamentit të ri, kësaj radhe shqiptar. Ndërsa të tre i lidh fort me njëri-tjetrin reagimi, qoftë ai politik, mediatik apo publik.
Djegia e “Skampës” vërtet ishte një tragjedi, ndonëse jo e transmetuar saktë në përmasën e saj të vërtetë. Përjetimi i kësaj tragjedie, megjithëse u kufizua në hapësirë dhe kohë, do të vazhdojë të ndikojë jo pak në jetën shpirtërore, kulturore dhe artistike jo thjesht të një qyteti, pasi kjo “La Scala” e vogël shqiptare ka qenë arena e shumë evenimenteve me rëndësi specifike kombëtare. Dhimbja për shkrumbimin e saj bëhet akoma më e fortë kur aktorët politikë lokalë, përgjegjësia administrative dhe morale e të cilëve është e drejtpërdrejtë në rivalizimin e vazhdueshëm që u bëjnë aktorëve të vërtetë teatrorë, kësaj radhe akoma më të sigurt në vetvete, pasi i kanë lënë pa skenë këta të fundit, lanë duart e tyre si Pilati, duke vënë gishtin te fajtorë-atentatorë anonimë, te njerëz që punojnë me djersën e tyre. Dhe jo vetëm kaq. Bashkia pati “meritën e madhe” që e cilësoi jo vetëm krim këtë zjarrvënie, por njëkohësisht na gjeti dhe fajtorët, që ishin zjarrfikësit, si pjesë e Prefekturës dhe dy punëtorët izolues hallexhinj. Dhe nuk u mjaftua me kaq, por iu sul dhe biznesit ngjitur teatrit, duke e akuzuar me tepër kënaqësi për ndërtim pa leje. “O tempora! O mores!”, do bërtiste artistikisht çdo aktor, i mbetur tani, për faj të Bashkisë, pa tempull, – si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë, kur të gjithë në Elbasan e dinë që pasioni kryesor i Bashkisë mbetet mosrespektimi i rregullave urbanistike ndërtimore, në territorin e të cilit mbijnë çdo ditë pallate, pa dalje emergjence në rast zjarri, që pengojnë rrugën antizjarr, me kate jashtë standardit, me të cilat kryetari “qeras miqtë e tij” dhe veten, me parametra mizerabël dhe me një shëmti të admirueshme. Paralelisht mendja e shkretë nuk ka se si te mos të të shkojë te djegia e famshme e Raishtagut (Parlamentit gjerman), të cilën, pavarësisht nëse ishte e rastit apo e organizuar, pavarësisht nëse e bënë komunistët apo vetë Hitleri (debatet për këtë ende nuk janë mbyllur), nazistët e përdorën si kalë beteje në luftën e tyre politike për të gjunjëzuar socialdemokracinë dhe debatin civil e të drejtat qytetare. Pak a shumë kjo u përsërit në një shekull tjetër, tashmë dhe në Elbasan, ndonëse me nota më minore dhe kontekst paksa të ndryshuar (“çdo krahasim çalon”, thotë një fjalë e urtë). Fajtorët e vërtetë, jo vetëm që mohuan përgjegjësitë, por nxituan ta përdornin atë si kalin e betejës verore politike duke sulmuar burracakërisht pushtetin qendror dhe derivatet e tij, politikisht i kundërt me atë lokal, me idenë që dhimbja për dashurinë ndaj teatrit të bëhej revoltë për mosndërhyrje nga këto organe. Njëkohësisht synuan manipulimin e opinionit qytetar, i cili dukshëm vuri në pikëpyetje zgjedhjen e radhës. Bashkia, paaftësisë të së cilës tashmë i kishte dalë tymi e zjarri bashkë, bëri sikur harroi që ajo, përveç tenderave për aspirim dhe kondicionim, të cilët nuk u realizuan asnjëherë në parametrat e duhur, për shkak të “ndershmërisë” e “transparencës” dhe të investimeve të tjera qindra milionëshe që nuk kanë as nam, as nishan (kush e di ku kanë përfunduar?!), duhej domosdo të kishte ndërtuar sistemin e alarmit dhe sistemin kundër zjarrit. Përkundrazi, për ironi, mori pozicionin e viktimë-heroinës dhe filloi t’i bjerë gjoksit për rindërtim, për ”gjetjen e pareve me shumicë”, ndërkohë që vazhdon të jetë një bashki që punon për shkak të defiçencës drejtuese me 1/12 e buxhetit dhe që prej tre muajsh “nuk ka ngulur një gozhdë” në qytet. Nuk është e habitshme që nesër të bërtasë që e pengon Këshilli Bashkiak, për të gjitha nismat “për të mirën e qytetit”, meqenëse këtë e kontrollon PD. Jashtë kësaj sjelljeje teatrore të turpshme, opinioni qytetar nuk pajtohet me këto dhurata verore bashkiake, ndërsa opinioni politik dhe ai mediatik në këtë ngjarje mbeten ende të çalë në ngritjen e zërit të protestës.
Raishtagu gjerman, të cilin na e parashtroi ngjarja zjarrvënëse, mbart në arsyetimin tonë dhe një tjetër lidhje. I rindërtuar si kërkesë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të reja, ai iu nënshtrua evolucioneve historike shumëvjeçare rokamboleske dhe sot ka formën dhe pamjen jo thjesht vetëm në emër, atë të Bundestagut. Parlamenti gjerman, si i tillë, ndërroi jo vetëm emër. Pak a shumë një gjë e tillë i ka ndodhur dhe pritet t’i ndodhë dhe Parlamentit tonë si normalitet i zhvillimeve dhe përshtatjeve historike. Në këtë vazhdë, kërkesa për një godinë të re, për një kompleks, apo pallat parlamentar, është më se e pranueshme dhe më se e domosdoshme si reflektim i realiteteve të reja fatndjellëse, nëpër të cilat po kalon shteti e kombi shqiptar, si dëshmi e fuqisë së parlamentarizmit dhe demokracisë. Vendimi për t’i dhënë jetë këtij projekti në vendin ku sundon Piramida, vazhdon të jetë pjesë e debatit politik dhe publik, ku opinionet kundërshtuese kontrastojnë fort. “Piramida” mbrohet fuqishëm nga emocionet dhe mendimet nostalgjike dhe jo rastësisht nga politika e majtë, e cila, brenda shterpësisë së ideve që e karakterizon, gjen rastin të prodhojë, shyqyr Zotit, me demek politikë. Rreshtimi i arsyetimeve të tyre prek sa fushën profesionale, po aq dhe atë banale, ndërkohë që shikimi me kujdes i tyre të çon pashmangshmërisht më shumë në aprovimin e ndërtimit të kompleksit parlamentar në vendin e Piramidës, sesa në të kundërtën. Argumentet arkitekturore, sociale e publike tashmë janë ezauruar dhe fati i Piramidës si simbol i teokracisë është konturuar drejt zëvendësimit të saj me simbolin e demokracisë. Këtu të mos harrojmë dhe diçka. Japonezët e mençur, nga tragjizmi i Hiroshimës kanë ruajtur vetëm dy simbole: 1. ndërtesën e vetme që i rezistoi në afërsi shpërthimit atomik “Dome de Genbaku” dhe 2. hijen e një trupi të karbonizuar në shkallët e shtëpisë së tij. Dhe ne shqiptarët krenarë, jo vetëm për analogji, nuk kemi pse ruajmë kaq shumë simbole nga tragjizmi komunist, dhe midis tyre edhe Piramidën. Dhe kjo nuk është kërkesë për t’i vënë vulën, por shtim argumenti në tërësinë e opinioneve që shpesh, te ky rast, jashtë vellos publike, ruajnë një nuancë të fortë politike. Konkluzioni të çon te kërkesa për mosmanipulim të opinionit qytetar, i cili ishte dhe nyja lidhëse midis teatrit, Raishtagut dhe Piramidës, protagonistët e formimit të të cilit duhet realisht të jenë luajalë e largpamës, pasi thjesht ballafaqimi i qasjes së tyre ndaj dy ngjarjeve, dy godinave, dëshmon diferenca të ndjeshme. Nga njëra anë reagimet për prishjen e një ndër simboleve të komunizmit janë të zhurmshme dhe, nga ana tjetër, reagimet për mosruajtjen e teatrit “Skampa”, si një ndër tempujt e artit kombëtar, mbeten apatike. Vlerat e “Skampës”, aspak për nacionalizëm krahinor, qofshin historike, kulturore apo dhe politike-kombëtare, janë shumëfish më të mëdha se të një biçim Piramide dhe ngritja e zërit për të vlen më shumë se ofshama për hijet e së kaluarës. Përgjegjësit e vërtetë bashkiakë të zjarr-rënies në teatër, në vend ngritjes të “obeliskëve” opinionistë për idhuj të rremë, të bëjnë mea-culpan e vetme të jetës së tyre dhe të bashkëpunojnë për t’u kthyer qytetarëve krenarinë e ligjshme.
© Panorama.al












