Pavarësisht “paqes” së vendosur me drejtuesit e skuadrës së Vllaznisë, trajneri Rudi Vata duket se e ka thyer heshtjen dhe ka akuzuar ambientin përreth ekipit të tij si të paaftë dhe pa kualitetin e duhur për të punuar në një klub të tillë. Këto akuza trajneri i shkodranëve i ka bërë në një dalje të tij publike, në një nga televizionet kombëtare në vend. “Më 31 maj, mua më skadon kontrata me klubin e Vllaznisë dhe nuk kam ndër mend që ta rinovoj sërish. Personalisht kam një marrëdhënie të shkëlqyer me kryebashkiakun Luka. Ai është personi, i cili me të gjithë autoritetin e tij mund të vendosë për të ardhmen time. Askush tjetër nuk e ka këtë autoritet. Te Vllaznia ka njerëz të paaftë, të cilët janë rastësisht në këtë klub. Në Shkodër ka njerëz, të cilët flasin nëpër tavolina keq për mua, që nuk kanë mbaruar as 4 klasë shkollë dhe nuk u pëlqen loja e ndershme që unë ofroj. Këta njerëz u shërbejnë klaneve të caktuara që punojnë kundër meje dhe kanë si qëllim antifutbollin”, ka deklaruar Vata.











