Të vërtetat që kanë mbetur si relike për të keqen e shqiptarëve

Dec 2, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA HYQMET ZANE HYQMET ZANE

Shpesh dëgjojmë: “Po vijnë festat e nëntorit”?! Cilat janë këto festa? Në fakt, kjo është një shprehje e vazhdimësisë së modelit të së keqes së diktaturës për shqiptarët. Është për t’u thënë se për cilat festa bëhet fjalë.

Për 7 nëntorin e revolucionit rus?

Për 8 nëntorin e PKSH që na formuan serbët?

Për 17 Nëntorin e çlirimit të Tiranës, që nisim me ekzekutimin e një grupi të madh intelektualësh shqiptarë?

Për 29 Nëntorin e çlirimit të Shqipërisë si data e çlirimit të Jugosllavisë?

E vetmja festë që e meritojnë shqiptarët është 28 Nëntori i Pavarësisë. Në fakt, është fiksuar shprehja se partizanët luftuan për Shqipërinë e lirë dhe demokratike. Dhe të luftosh për lirinë e vendit tënd është nder e lavdi. Por çfarë u bë pas quajturit “çlirim”? U bë Shqipëria e izoluar dhe diktatoriale. Përse ky mashtrim i të ashtuquajtur vlera të luftës? Është e vërtetë që populli u ngrit me pushkë në dorë për çlirimin e vendit nga nazi-fashizmi dhe thuhet se ranë 28 mijë dëshmorë. Shumë herë është thënë që se janë vetëm ¼ e këtij numri. Po përse u zmadhua ky numër? Thuhet për të marrë reperacione pas luftës. Unë i dua dëshmorët që t’i kujtoj se gjaku i tyre i pastër është gjaku i djemve dhe vajzave që ranë për atdhe dhe jo për të bërë diktaturë nën udhëheqjen e emisarëve Miladin Popoviçit, Dushan Mugoshës, Velimir Stoiniçit, Vukmanoviç Tempos të PK Jugosllave që orientoi Enver Hoxhën që të eliminonte me pushkatim gjithë ata shqiptarë që nuk donin antishqiptarët serbë, si dhe elitën intelektuale me shkolla të larta sa në Francë e Austri, sa në Itali dhe Angli, sa në Gjermani e Turqi dhe më ndonjë vend tjetër. Thuhet se nuk janë pak, por rreth 400 të tillë deri më 1949.

Më pas, deri më 1961 u eliminuan edhe ata që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe ishin të shkëlqyer në mësime, por prishja me ish BS bëri të cilësoheshin armiq. Dhe deri më 1982, vit pas viti Sigurimi i Shtetit që kishte marrë modelin e UDB dhe KGB eliminoi me orientim dhe porosi të diktatorit edhe të gjithë bashkëpunëtorët e Enver Hoxhës gjatë luftës dhe në ndërtimin e vendit me të ashtuquajturin cilësim “armiq të popullit”. Në Elbasan ishte një pjesëtar i një familjeje të pasur Xhafer Miraku, djali i pasanikut Ibrahim Miraku, që mbaroi shkollën ushtarake në Itali, luftoi me brigadat internacionaliste në Spanjë, u bë mbështetës i luftës dhe Shtabit të Përgjithshëm që u formua në labinot Mal. I ati i tha Xhafës se përse kaq shumë flori or bir. Dhe i biri iu përgjigj se kur të çlirohej Shqipëria, do hamë me lugë floriri. Ia ti – iu përgjigj se ti me lugë floriri po ha. Dhe ndodhi ajo që ndodhi që më 1947, Xhafë Mirakun, e pushkatuan si armik me grupin e deputetëve, të atin ia burgosën bashkë me pasanikë të tjerë në sarajet e veta në qendër të Elbasanit. E pyetën dajë Bimin për atë që ndodhi dhe ai është përgjigjur se, “i thosha Xhafës, por ai jo hëngu plimbitn me ngjyrë floriri”. Sa e sa janë histori të tilla. Gjithë Europa Lindore e pasluftës mori një zhvillim sidomos ekonomik, veç ne mbetëm të ndërtonim vendin me forcat tona dmth., të mbeteshim të varfrit e botës së tretë. E tregoi këtë ndryshimi i sistemit sa shqiptarët “pushtuan” Europën.

Kjo gjë nuk ndodhi në shtetet e tjera të Lindjes, ose ishte e papërfillshme. Gjatë këtyre 33 vjetëve historianë dhe studiues kanë bërë analiza të së shkuarës dhe kanë theksuar se diktatura enveriste e sigurimit të shtetit në Shqipëri ishte më e rrezikshmja dhe famëkeqja dhe ata shkaktarët e saj nuk kërkuan asnjëherë asnjë falje për të këqijat që i bënë këtij populli, porse trashëgimtarë tyre bastard vazhdojnë të vjellin vrer kundër demokracisë dhe i rikthehen yllit të kuq të diktaturës që mbolli zi dhe varfëri. Të vetmit që kanë shprehur pendesë kanë qenë Bedri Spahiu, Rrahman Parlaku dhe Liri Belishova. Ndaj dhe simbolet materiale të sistemit diktatorial kanë mbetur si relike si drapër e çekan, ylli i kuq apo nderimi me grushtin komunist. Turpi i madh që lapidarët e kujtimit të dëshmorëve kanë mbetur si për turp, porse memorialet e atdhetarëve i kanë lënë me qellim që të shkatërrohen.

Por më shumë se kaq janë ata pinjollët e diktaturës dhe Sigurimit të Shtetit që janë këshilltarët e zellshëm të së majtës dhe opinionistët apo ata që vjellin vrer ndaj demokracisë dhe liderëve të saj. Janë ata që në pragun e rënies së diktaturës vranë djemtë e nënave në kufijtë e vendit sa në jug e sa në veri që kërkonin të shkonin në Eruropën e lirë për një jetë më të mirë e për të shpëtuar nga diktatura staliniste, as për këta askush nuk kërkoi falje. Bijtë e atyre që bënë diktaturën kanë në krye të vendit trashëgimtarët e tyre që në emër të popullit kanë vjedhur popullin dhe atdheun e tyre, kanë kriminalizuar edhe dëshmorët që dhanë jetën për Shqipërinë e lirë dhe demokratike. Këta diktatorialë që në mënyrë unikale në botë prishën fenë dhe shkatërruan kisha e xhamia, janë ata që e nxorën vendin nga rruga e Zotit.

Kujtoj me respektin tim se si në fundin e jetës së vet kur erdhi për herë të fundit Nënë Tereza në Shqipëri në takimin e saj me Presidentin Meidani i tha në gjuhën shqipe “Do t’i lutem Zotit për Shqipërinë dhe ju që të futeni në rrugën e mbarë”. Më 1999, në 4 shkurt, në Mëngjesin e Lutjeve në SHBA që mban çdo vit, ishte prof.dr. Sami Rrepishti që shoqëronte Kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko dhe që ia prezantoi Presidentit Klinton në atë kohë, i cili i tha: “Do t’i lutem Zotit për Shqipërinë dhe ju që të futeni në rrugën e mbarë”. Pas asaj, Kryeministri i kohës, Majko, shkoi në Vatikan te Papa Gjon Pali, i cili i tha: “Do t’i lutem Zotit që Shqipëria dhe ju të futeni në rrugën e mbarë”. Por nuk kishte se si bijtë bastardë të etërve dinakë të merrnin mësime nga ata që i kanë sharë dhe i kanë anatemuar, ndaj dhe vazhdojnë në rrugën e së keqes dhe kriminalizimit të këtij vendi si të ishte gjallë Enver Hoxha.

ME GJUHËN E FAKTEVE KOKËFORTE:

– Nga 7 veta që u zgjodhën në Konferencën e Pezës, 5 u vranë ose u burgosën.

– Nga 13 të zgjedhur në Konferencën e Labinotit në Shtabin e Përgjithshëm, 8 janë dënuar, nga të cilët 3 me pushkatim.

– Nga 24 komandantë brigadash që udhëhoqën luftën antifashiste, 14 janë dënuar si armiq të popullit. 22 ministra të qeverisë së Enver Hoxhës janë dënuar si armiq, nga të cilët 8 me pushkatim.

– Nga Heronjtë e Popullit janë dënuar me pushkatim 7 veta. Nga 52 gjeneralë të dalë nga lufta, 29 janë dënuar, nga të cilët 8 me pushkatim.

– Të pushkatuar 5548, nga këta 91 gra

– Të burgosur 14.363, nga këta 445 gra

– Të vdekur në burg 987, nga këta 7 gra

– Të futur në psikiatri 308, nga këta 35 gra

– Të internuar 21.401, nga këta 332 gra

SIPAS NJË RAPORTI TË OKB:

– Nga viti 1945 deri në vitin 1956, në Shqipëri regjimi komunist i E.Hoxhës ka pushkatuar me ose pa gjyq 10 mijë njerëz.

– Kanë vuajtur nëpër burgje e kampe internimi 80 mijë shqiptarë.

– 16 mijë veta vdiqën nga vuajtjet dhe uria, vetëm në këtë hark kohor.

PASOJAT E “REFORMAVE” DHE “DREJTËSISË POPULLORE”

Në vitin 1944 Enver Hoxha erdhi në pushtet në aleancë të plotë të elementin kriminal të vendit. Ekipin qeverisës e quajti “qeveri demokratike”. Të veçanta për këtë kohë janë:

– Vjedhjet cilësoheshin “reforma”.

– Krimet quheshin vendosje e “drejtësisë popullore”.

Regjimi propagandonte me të madhe se e ardhmja e vendit ishte tek efikasiteti i madh i makinës së diktaturës, dmth., në dënimin sa më të madh që u duhej dhënë kundërshtarëve të menduar politikë.

Pjesë e kësaj propagande është edhe kjo foto e bërë në Berat në vitin 1945. “Armiqtë e popullit” janë nxjerrë para popullit në mënyrë që ky t’i përbuzë sa më shumë. I ziu popull, i rrejtur dhe i molepsur shihte me urrejtje “armiqtë”, madje i pështynte ato. Sipas orientimit të emisarëve jugosllavë, në jo pak raste bërtiste i kënaqur “kriminelët në litar” etj.. Populli shqiptar i atyre viteve e mendonte të ardhmen e vet pikërisht te “reformat” dhe “drejtësia popullore”. Në fund, e pa veten në një varfëri të përmasave afrikane.

TË DHËNA PËR TË PËRNDJEKURIT POLITIKË

01. Të ekzekutuar – 6.023 persona

02. Të vdekur në burgje – 1.065 persona

03. Të burgosur – 17.300 persona

04. Të sëmurë mendorë – 260 persona

05. Të internuar – 90.000 persona

06. Të vdekur në internim -10.000 persona

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura