Të vërteta të pathëna mbi renditjen e universiteteve

Sep 16, 2012 | 11:18

ELDA ZOTAJ

Renditja e universiteteve (ose rankimi, sipas termit anglisht të “shqipëruar”) është një nga mjetet më të përdorura nga të rinjtë në përzgjedhjen e studimeve të larta dhe një nga mënyrat më të mira për universitetet për t’u bërë të njohura. Por, pse për universitetet e vendit tonë kjo nuk mund të funksionojë?
Sot në botë janë me dhjetëra organizmat, qeveritarë e joqeveritarë, fitimprurës ose jo, kompani të specializuara apo vetë institucione të arsimit të lartë, që çdo vit investohen për të kryer renditjen e universiteteve në nivel global apo më të ngushtë, rajonal e kombëtar. Disa prej renditjeve mbarë botërore më të njohura realizohen nga: universiteti “Shanghai Jiao Tong”, kompania britanike “Quacquarelli symonds – QS”; revista britanike “Times higher education – THE”; agjencia ruse “Reitor”; Universiteti Leiden në Holandë; qendra gjermane CHE ; instituti holandez kërkimor CHEPS, pranë Universitetit të Twente; grupi AUBR, pranë Komisionit Europian, Këshilli Kombëtar Kërkimor Spanjoll, duke shtuar këtu iniciativa e projekte të herëpashershme të Bashkimit Europian, OECD-së  etj.
Ajo çka është më e rëndësishmja në krijimin e një renditjeje universitetesh është metodologjia e përdorur, treguesit apo kriteret që janë marrë parasysh, si dhe burimi se nga ku janë marrë të dhënat. Secili prej këtyre organizmave ka një metodologji të vetën, me pika të forta dhe kritika, është pikërisht kjo arsyeja (që duhet theksuar) pse asnjëri prej këtyre organizmave nuk del asnjëherë me rezultate të njëjta me tjetrin.
Kështu, për shembull: në renditjen e publikuar për vitin 2012, Instituti Teknologjik i Kalifornisë qëndron në vendin e parë në renditjen e THE, (duke kaluar kështu edhe “gjigandin” Harvard University), por gjendet në vendin e 10-të në renditjen e QS.
Duket sikur renditja e universiteteve në mbarë botën duhet të ketë një logjikë të thjeshtë: të renditim sipas cilësisë! Por, shembulli i mësipërm tregon që nuk është domosdoshmërisht kështu. Edhe renditja e organizuar nga Shanghai, ose ndryshe “Renditja akademike e universiteteve botërore” ka si kriticizëm konstant faktin që fokusohet te universitete që kanë një numër  studentësh që kanë fituar çmime “Nobel”, dhe jo te cilësia e mësimdhënies. Pra, renditja e universiteteve nuk është gjithmonë tregues i cilësisë së mësimdhënies, ndaj ato nuk duhen lexuar si: “I pari në listë është më i miri”.
Në nivel europian, vetë organizmat e Bashkimit Europian ndërmorën një të tillë në vitin 2003 dhe paraqitën 22 universitetet më të mira në hapësirën europiane. Aktualisht, European Research Ranking bën një renditje periodike, por e ndërton këtë renditje mbi të dhëna të projekteve që financohen nga Komisioni Europian mbi aftësinë e universiteteve për të fituar këto fonde dhe për të krijuar “rrjete” bashkëpunimi. Ky, edhe pse mund të tingëllojë si një tregues i tërthortë i cilësisë, pasi vetë KE shpall si fitues projektin më të mirë të ofruar nga universitetet, ka gjithsesi dy pengesa për ta quajtur absolut këtë mendim: 1. në këto gara nuk hyjnë të gjitha universitetet dhe  2. projektet e universiteteve që kërkojnë fonde në BE nuk janë domosdoshmërisht të përvitshme.

Bihet dakord në rrethet akademikë mbarë botërore, që mbi renditjen e universiteteve nuk mund të bihet dakord. Nuk është thjesht një lojë fjalësh, por çdo organizëm që rendit universitetet, merr parasysh jo vetëm tregues (kritere) të ndryshëm, por u jep atyre një peshë rëndësie të ndryshme, madje shpesh edhe vetë një organizëm mund të ndryshojë, nga njëri vit në tjetrin, metodologjinë. Dhe ajo çka është më e rëndësishme është se këta tregues mund të jenë cilësorë ose sasiorë; thënë ndryshe, renditje universitetesh do të ishte edhe ajo që si kriter merr numrin e studentëve, por kjo nuk të thotë aspak që universiteti që renditet i pari në këtë listë ofron studimin më cilësor, madje shpesh mund të jetë krejt e kundërta.
Ndërkohë, rezulton të ketë pasur vetëm dy nga këto renditje ndërkombëtare/rajonale universitetesh, ku përfshihen edhe ato shqiptare: njëri prej tyre është realizuar nëpërmjet një “fushate” në vitin 2010-2011 nga kompania gjermane CHE dhe tjetri publikuar në internet nga spanjolli “Cybermetrics Lab”. Personalisht, kam qenë ndër vite e interesuar për këto lloj zhvillimesh dhe i kam ndjekur nga afër të dyja këto renditje. Ndërsa renditja e nisur (theksoj “nisur”) nga kompania CHE si e përzgjedhur nga qeveria shqiptare për të bërë “rankimin” e universiteteve  u duk se do funksiononte shumë mirë në muajt e parë, thjesht u venit në fazat e fundit. Kjo, sepse takimet e CHE me grupet e interesit nuk dukej të jepnin frymën e pritur të bashkëpunimit dhe puna e saj nuk mund veçse të kufizohej në trajnimin e punonjësve pranë Ministrisë së Arsimit se si të bënin renditjen. Pra, kjo renditje u nis nga CHE, por nuk mban firmën e saj, pasi të dhënat u mblodhën, përkthyen dhe interpretuan nga administrata shqiptare.
Renditja më e fundit, që qarkulloi edhe në disa medium-e të shtypit të shkruar para pak kohësh, është realizuar tërësisht nga grupi kërkimor spanjoll dhe quhet “Webometrics”. Emri nuk është rastësor, madje këtu është edhe veçantia. Ky grup nuk kontakton me universitetet për të mbledhur të dhëna, ai nuk bën vizita në terren dhe as pyetësor studentësh apo pedagogësh; nuk i merr të dhënat as nga organet administrative e njësitë ndihmëse, si Ministria e Arsimit dhe as nga agjencitë e specializuara, si Agjencia e Akreditimit në Shqipëri.  Jo! “Webometrics” (edhe vetë emri e tregon: metrika e web-it) bën matjet direkt nga faqet zyrtare të internetit të secilit universitet, pikërisht aty  i mbledh të dhënat, nuk verifikon vërtetësinë  apo cilësinë e aktiviteteve të reklamuara në internet; por dy herë në vit kjo renditje, citoj: “jep informacion mbi performacën e universiteteve bazuar në prezencën dhe impaktin e tyre në internet”. E thënë ndryshe, nëse ke një prezantim të mirë e të plotë në faqen tënde të internetit – je një universitet i mirë, nëse nuk ke investuar mjaftueshëm në mënyrë që aktivitetet dhe cilësia jote të prezantohen edhe në faqen tënde të internetit – nuk je një universitet i mirë! Në fakt, kjo logjikë është absolutisht e drejtë kur aplikohet për universitete të rangut të Harvard e Oxford, ku është shpikur vetë interneti dhe faqet web, por në Shqipëri (!) Këtu e humbet gjithë sensin. Është njësoj sikur të kërkosh të zbukurosh katin e pestë, pa hedhur themelet. Në Shqipëri ende për një sërë universitetesh diskutohet vërtetësia e diplomave, marrja e tri viteve në tri ditë, numra amze (matrikulimi) bosh që plotësohen me emra personash që rezultojnë në shkollë, duke bërë jetë ekzotike në ishujt “Humbje”…e ti kërkon të jetë real e koherent informacioni në internet!!!
Në vende si ky i yni për më tepër, ku universitetet, për një sërë arsyesh edhe historike, nuk e kanë luksin të klasifikohen në renditjet e katërqind më të mirëve, “pompoziteti” i këtyre renditjeve tona e “humbet shkëlqimin”. Shqipëria është një vend kaq i vogël dhe kaq oral, sa që në rrethet akademike dhe ato intelektuale afër tyre që frekuentojmë përditë, të gjithë e dinë se cili është më i miri e cili më problematiku; në një vend ku ne arrijmë të zbulojmë edhe fitimet, vështirësitë financiare apo “aferat” e falsifikimet të ndonjë universiteti, e të gjitha këto tentativa për t’u dukur të parët duken si “makiavelizma” për të fshehur të vërtetën. A nuk duhet të jetë i interesuar pikërisht për cilësinë e universitetit që zgjedh çdo i ri, apo prindi i tij?  Është e kuptueshme që në vendin tonë udhëheqësi kryesor për një vendim si ky të jetë çmimi i ulët, por nëse paguan “1 lek” e s’merr asgjë, a nuk do të ishte më mirë të paguash “2” e të marrësh shumë?  Dhe më duhet të sqaroj që diskutimi i çmimit të shërbimit të arsimit të lartë nuk ka asnjë konotacion arsim publik – arsim privat, pasi sot në tregun shqiptar, çuditërisht, gjen edhe diploma që të ofrohen me çmime këpucësh.
Në një përshkrim për Institutin Federal Zviceran të Teknologjisë, ku një prej të diplomuarve ka qenë vetë Einstein, thuhet “…ti nuk duhet të jesh Einstein për të studiuar te ne…”, por ka një probabilitet shumë të lartë që Einstein nuk do të kishte qenë ai që kemi mësuar ne, nëse nuk do të kishte studiuar pikërisht në atë universitet me një cilësi shumë të lartë në mësimdhënie dhe studim të vazhdueshëm e të disiplinuar.
Në disa universitete shqiptare, pyetja kryesore dhe e parë që duhet bërë është: A kryhet mësim në ata auditorë? A ka pedagogë të kualifikuar e të dedikuar? Nëse ambientet janë të pamjaftueshme apo me cilësi të dobët, ka shumë mundësi që vetë studentët të braktisin një numër orësh të mira; nëse numri i studentëve që çdo pedagog duhet të udhëheqë është shumë i lartë, ka shumë mundësi që të jetë ky i fundit që të cedojë nga cilësia. Nëse stafi pedagogjik është i pamotivuar, nëse nuk e ka zgjedhur këtë profesion i udhëhequr nga pasioni për t’u transmetuar gjithë çka di e mëson përditë brezave të rinj, por thjesht për të marrë një pagesë, arsimimi që ata ofrojnë do të rezultojë të  jetë gjithçka, veçse jo cilësor! Por, ky i fundit mbetet nga ato kritere që nuk mund të matet, atë mund ta ndiejnë vetëm studentët. Institucionet e arsimit të lartë kanë shumë mënyra për të joshur, shumë investohet në fasada, shumë në reklama me studentë të bukur që ndonjëherë as nuk studiojnë realisht aty, por thelbi mbetet një… me çfarë cilësie studiohet në auditor dhe sa studenti orientohet për t’u bërë i zoti në studim të pavarur. Në këtë moment, ambienteve e fasadave të bukura, si themi ne shqiptarët, “piu lëngun”!
Natyrshëm, universitetet në Shqipëri mund t’i përdorin renditjet e bëra deri tani si një element të fortë për reklamë, por ka vetëm një problem: me një publik ku vendimi për studimet e të diplomuarve kryhet mbi sakrifica të prindërve për një kualifikim që duhet të jetë konkurrues në tregun e punës, lind si detyrë morale t’u bëhen me dije edhe shumë informacione, që ne rëndom i bisedojmë në kafene, por që jo të gjithë janë të interesuar t’i bëjnë publike. Në mënyrë të veçantë në Shqipëri, në një treg kaotik të arsimit të lartë dhe të një amullie të sistemit të vlerave, këto vetëm sa e bëjnë më të pasigurt zgjedhjen.
Reklamimi i këtyre lloj mekanizmash sipërfaqësorë për të tërhequr interesin e atij publiku që nuk është në kontakt të afërt më botën e universiteteve, me siguri nuk i shërbejnë ndërtimit dhe konsolidimit të thelbit të institucioneve të larta arsimore: transmetim dinjitoz dijesh të avancuara e kërkim shkencor. Shqipëria do të kishte më shumë shpresa për zhvillim, jo vetëm me reklama e mburrje boshe e plane pune të ndërtuara nëpër kafene, sikur studentët e prindërit e tyre të zgjidhnin një universitet ku auditorët janë të mbushur me pasion për dijen e mësimdhënien.
Një njeri i madh si Nelson Mandela kishte bindjen se “Mësimdhënia është arma më e fuqishme që mund të përdoret për të ndryshuar botën”. Dhe si çdo armë, ajo mund të përdoret mirë apo keq, gjithçka mbetet në zgjedhjen e secilit prej nesh.
Lektore në universitetin “Luarasi”

© Panorama.al

Te lidhura