
Dy pronarët e një furgoni me mallra përleshen me 33-vjeçarin në qendër të kryeqytetit. Policia arreston autorët e vrasjes
Klodian Sejfullai, me precedentë penalë, ekzekutohet pranë furgonit me mallra. Arrestohen autorët
Dy pronarët e mallit te Tregu Çam, qëlluan me thikë hajdutin
Tentativa për të vjedhur materiale në një furgon i kushtoi jetën një të riu mbrëmë në Tiranë. Viktima ka qenë duke tentuar të vidhte furgonin me bojëra flokësh kur është sulmuar nga pronarët e mallit. Dy tregtarë, pronarë të mallit që ndodhej në furgonin që ishte vendosur te Tregu Çam, e kanë rrahur e më pas e kanë goditur për vdekje 33-vjeçarin me thikën që ai po përdorte për realizimin e grabitjes. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:10, në afërsi të Rrugës së Kavajës, në vendin që njihet si Tregu Çam në kryeqytet. Sipas Policisë së Tiranës, viktima është Klodian Sejfullai, i njohur me pseudonimin “Klajdi i Mrikës”, i dënuar edhe më parë për shpërndarje heroine dhe vjedhje. Ndërsa dy tregtarët e shoqëruar në polici, menjëherë pas vrasjes, të cilët edhe kanë pranuar autorësinë, janë Viktor Lako dhe Elson Ruçi. Dy të shoqëruarit furnizonin tregun me bojëra flokësh dhe pasditen e djeshme ishin ulur për të pirë një kafe në një lokal pranë vendit të ngjarjes, ndërsa furgonin me mall e kishin parkuar në një rrugicë jo shumë të ndriçuar. Gjatë kohës që Lako dhe Ruçi po pinin kafe, 33-vjeçari ka gjetur momentin për të hapur derën e furgonit dhe ka hyrë brenda. Ai nuk ka arritur ta ndezë makinën, pasi tregtarët kanë dalë nga lokali dhe e kanë gjetur brenda në makinën e tyre. Pas një debati të ashpër mes grabitësit dhe tregtarëve, ata e kanë zbritur me forcë nga furgoni duke e goditur me grushte e shkelma, derisa Sejfullai ka nxjerrë një thikë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, njëri prej tregtarëve ka arritur t’i heqë thikën nga dora dhe me të e ka goditur në zemër, duke e lanë të vdekur në vend.
DESHMIA E TREGTAREVE
Menjëherë pasi kanë goditur për vdekje personin që u kishte hyrë për të vjedhur në makinë, dy tregtarët kanë lajmëruar vetë në sallën operative dhe kanë shpjeguar se çfarë kishte ndodhur. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Komisariatit Nr.3 dhe oficerë të seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit. Dy të dyshuarit janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku kanë sqaruar rrethanat e ngjarjes. Burime nga grupi hetimor thanë se të dy tregtarët, Viktor Lako dhe Elson Ruçi, kanë pranuar autorësinë e ngjarjes duke pohuar se gjithçka ka ndodhur për vetëmbrojtje. “Ishim duke pirë kafe dhe furgonin me bojërat që do shpërndanim nesër (sot) në treg, e kishim parkuar diku pranë lokalit. Kur dolëm gjetëm një person brenda duke tentuar që të largohej. I thamë se çfarë donte aty dhe ai na u përgjigj se ishte makina e tij. Në atë moment e nxorëm me forcë nga furgoni dhe filluam ta godisnim me grushte dhe shkelma. Ndërsa ai nxori një thikë duke tentuar të na godiste. I morëm thikën nga dora dhe e qëlluam, por jo për ta vrarë”, kjo ka qenë një pjesë e dëshmisë së dy të dyshuarve. Burimet thanë se të dy janë arrestuar me akuzën e “vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim”.
Vrasja, ndalohen dy pronarët e mallit
Biznesmenët do të ripyeten për të zbuluar autorësinë
TIRANE – Policia e kryeqytetit ndaloi mbrëmë dy persona në lidhje me vrasjen e 33-vjeçarit te Tregu Çam. Gjatë deklarimeve paraprake në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pas arrestimit për vrasjen e Klodian Sejfullait, të dy tregtarët, Viktor Lako dhe Elson Ruçi, kanë pranuar autorësinë e ngjarjes. Të ndaluarit kanë sqaruar të gjitha rrethanat e krimit, por kanë ngulur këmbë se thika me të cilën është qëlluar për vdekje 33-vjeçari ishte e viktimës, dhe jo e tyrja. Sipas deklarimeve, ngjarja ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër, gjatë përleshjes me grabitësin që po tentonte t’u vidhte mallin dhe më pas ai ka nxjerrë një thikë duke tentuar t’i godiste. Për këtë arsye, në kushtet e vetëmbrojtjes ata i kanë rrëmbyer thikën nga dora dhe e kanë qëlluar për vdekje. Megjithatë, asnjëri prej tregtarëve të shoqëruar nuk ka qenë në gjendje që të shpjegojë se kush e ka pasur thikën në dorë për herë të fundit, në mënyrë që të përcaktohet saktësisht se kush i ka shkaktuar vdekjen grabitësit. Gjithashtu policia po heton edhe për të përcaktuar përfundimisht se kujt i përkiste arma e ftohtë me të cilën është kryer vrasja: autorëve apo viktimës? Burimet thanë se për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike të dy të arrestuarve, ata do të rimerren në pyetje sot, në mënyrë që të cilësohet përfundimisht autori i ngjarjes. Të dy janë arrestuar me akuzën e “vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim”, pasi edhe vetë ata e kanë pranuar se të dy kanë marrë pjesë në dhunimin e më pas në goditjen e autorit që po u vidhte furgonin me mall.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











