Të shpejtat shqiptare në Lojërat Olimpike “Londër 2012”

Jul 30, 2012 | 14:52

Të gjitha mediat e huaja flasin për evenimentin më të madh sportiv që çeli dy ditë më parë në kryeqytetin mbretëror, Londër. Informacionet janë zbardhur në detaje, deri edhe oraret e vizitave që princi Williams do të shkojë në stadium bashkë me të shoqen, Kate. Veshjet, këpucët, aksesorët, gjithçka që nisi më 27 korrik me flakën e orës 21:00 e që do të vijojë deri më 12 gusht. Këtë herë ne nuk jemi vetëm spektatorë të komenteve të huaja. Në Lojërat Olimpike 2012 kemi përfaqësuesit tanë.
Ekipi ynë olimpik u nis të mërkurën që lamë pas, në mesditë, për në kryeqytetin anglez.
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar zhvilloi me këtë rast një ceremoni në ambientet e hotel “Rogner”, ku ekipi përfaqësues olimpik zhvilloi një grumbullim njëjavor. Romela Bega, që ishte kryesuesja e delegacionit, mbajtëse e Flamurit Kombëtar shqiptar, udhëhoqi drejt aeroportit atletët pjesëmarrës në këtë eveniment.
Ekipi përfaqësues shqiptar do të paraqitet në Lojërat Olimpike “Londër 2012” me 12 sportistë nga disiplina të ndryshme. Romela, ndër të tjera, ishte sportistja që hapi parakalimin e vendeve pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike verore “Londër 2012”. “Emocioni është i madh, do të jem flamurmbajtësja, do të mbaj Flamurin Kombëtar. Do të garoj me peshëngritëset më të mëdha të botës…”, është shprehur ajo përpara se të largohej.
Kush janë përfaqësueset e tjera femra në këto lojëraë! Njëra mbase është më mediatike se tjetra, por po ju njohim shkurtimisht me të gjitha.

Romela Begaj
Datëlindja:
2 nëntor 1986
Pesha: 58 kg
Sporti: Peshëngritje
Arritjet: Europiani i të rriturve, 2012 (medalje argjendi, pesha 58 kg); Botërori i të rriturve, 2011 (vendi i 8, pesha 58 kg); Europiani i të rriturve, 2011 (-, pesha 58 kg); Botërori i të rriturve, 2010 (-, pesha 58 kg); Europiani i të rriturve, 2010 (medalje argjendi, pesha 58 kg); Botërori i të rriturve, 2009 (vendi 4, pesha 58 kg); Lojërat Mesdhetare, 2009 (medalje ari, pesha 58 kg).

Klodiana Shala
Datëlindja:
22 shtator 1979
Disiplina: 100 m, 200 m, 400 m, 400 m me pengesa
Sporti: Atletikë
Arritjet: Lojërat Olimpike Sidnei 2000 (koha 56.41, 400 m); Europiani Mynih 2002 (24.93. 200 m); Botërori Birmingam 2003 (57.81, 400 m); Botërori Budapest 2004 (54’’62, 400 m); Lojërat Olimpike Athina 2004 (1:00.00,  400 m me pengesa); Europiani Goteborg 2006  (24.64, 200 m); Botërori Moskë 2006 (54.21, 400 m); Pekin 2008 (56.45, 400 m); Europiani Torino 2009 (55.70, 400 m); Lojërat Olimpike Pekin 2008 (56.45, 400 m).

Majlinda Kelmendi
Datëlindja:
9 maj 1991
Pesha: 52 kg
Sporti: Atletikë
Arritjet: Abu Dhabi (çmimin “Grand Prix”); Botërori i Minskut (medaljen e artë); Botërori i Romës (medalje e artë); Botërori i Lisbonës (vendi i 15, pesha 52 kg); Çmimin e Madh të Duseldorfit (medaljen e argjendit); Botërori i të rinjve Paris 2009 (medalje e artë), Botërori i të rinjve 2010 (vendi i pestë); Botërori i të rinjve Tokio 2010 (vendi i nëntë).

Noel Borshi
Datëlindja:
13.02.1996
Disiplina: 100 m, flutur
Arritjet: Notarja Borshi, në siglën e skuadrës “Stela”, u shpall fituese e kampionatit shqiptar të notit për femra në 200 metra stil i përzier me kohën 2’383 67 dhe në garën 800 m, stil i lirë me kohën 9’183 50. Në Botërorin 2011, 100 metra stil flutur regjistroi kohën 1:05.71, ndërsa në 200 metra stil flutur ndali kronometrin në kohën 2:29.16.

Luiza Gega
Datëlindja:
5 nëntor 1988
Disiplinat: 800 m, 1500 m dhe 3000 m
Sporti: Atletikë
Arritjet: Kampionati Europian Paris 2011 në 800 metra ka rezultatin 2:08:34 sekonda; Kampionati Botëror “Koreja 2011” në 800 m, vendi 20, me rezultatin 2:03:11 sekonda; Kampionati Ballkanik (Indoor) Stamboll, në 1500 m, vendi parë, medalje ari, me rezultatin 4:10:75 sekonda.

© Panorama.al

Te lidhura