Të paraburgosurit, Halimi: Projekt për kontroll me satelit

Aug 13, 2011 | 10:59
Ministri Halimi e kreu i DPB, Dibra, gjatë inspektimit

Të paraburgosurit me masë sigurie “arrest shtëpie” do të ruhen nëpërmjet sistemit satelitor GPS. Atyre do t’u lidhet në trup një mikroçip, i cili do të tregojë në çdo moment vendndodhjen e tyre. Sipas ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi, ky është një nga projektet që pritet të vihet në zbatim së afërmi nga Ministria që ai drejton. Deklarata e ministrit Halimi u bë dje në Elbasan, gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e godinës së re të paraburgimit në këtë qytet. Ministri Halimi tha se sistemi dixhital i mbikëqyrjes elektronike të të paraburgosurve do të ulë koston e ruajtjes së tyre dhe njëkohësisht do të ulë shkallën e rrezikshmërisë së tyre për publikun. “Nuk duhet të ruhen të gjithë të dënuarit me policë. Për këtë qëllim ne kemi një projekt shumë të rëndësishëm, i cili është projekti i dixhitalizimit, projekti i mbikëqyrjes elektronike të atyre të dënuarve, të cilët nuk kanë rrezikshmëri shoqërore. Personat që janë me masë sigurie ‘arrest shtëpie’ nuk do të ruhen me policë. Do të ruhen me sistem dixhital, një pajisje, e cila do të vendoset në trupin e personit dhe do të identifikohet me GPS në pak milimetra distancë vendndodhjen e tyre, duke garantuar nga njëra anë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe, nga ana tjetër, sigurinë publike”, u shpreh ministri Halimi. Sipas tij, ky projekt do të jetë “një reformë, e cila do të sjellë sigurinë e publikut, do të ketë uljen e nivelin e korrupsionit edhe për sistemin e burgjeve edhe për sistemin gjyqësor”.

© Panorama.al

Te lidhura