Te ne s’është vetëm e ardhmja, por edhe e kaluara e paqartë!

Sep 12, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

ben andoniBEN ANDONI

Ndërkohë që socialistët po projektojnë vitin 2030 si cak për të vazhduar drejtimin e tyre të vendit (duke harruar se përpara janë edhe dy palë zgjedhje të përgjithshme), publiku pret përgjigje për mirëqenien dhe ekonominë e vet. Bash, të sotmen. Më pak, të ardhmen. Problematikat e shumta që po e shoqërojnë ekonominë shqiptare dhe modeli i sfumuar tashmë i krahut të lirë të punës i ka lenë vendin shqetësimit të madh e real të largimit masiv të njerëzve. Kryeministri Rama e konsideron si tipar të shqiptarit largimin dhe këtu i bashkohet paradigmës së historianit Oliver Schmidt, që historinë e shqiptarëve e konsideron si histori që lidhet me emigrimet. Në të vërtetë, është kaq e vështirë dhe kaq e pamundur mbajtja e shqiptarëve, saqë kjo të bën të besosh atë postulatin se: banorët e mbetur të një vendi me bum emigrimesh gjenden edhe vetë në një frymë dhe mëdyshje për t’u larguar. E megjithatë, socialistët projektojnë për gati dy mandate të ardhshme, duke ‘harruar’ të thjeshtën se mandati është vetëm katër vite.

Në këto ditë, që përkojnë me fillimin e vitit të ri shkollor, optimizmi socialist të përball me një realitet të trishtë të rënies së numrit të nxënësve, numër i cili është tkurrur në 30% ndërmjet 2011 dhe 2023, jo vetëm pasojë e emigracionit të lartë, por edhe plakjes së popullsisë, referuar “Monitor”. Në pesë vitet e fundit, investimet në arsim pësuan rënie sistematike në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) duke arritur në 2.9% të PBB-së nga 3.3% që ishin në 2020, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT. Kjo shifër mbetet pas mesatares së Bashkimit Evropian, që i kalon 5% të PBB-së, por edhe në raport me rajonin, që luhatet në 4% (Monitor, 2024)!

Pse e përmendëm? Pasi, tashmë këtë e ndjen me varfërimin e burimeve njerëzore, strategjinë e investimeve, por edhe përballjen e individëve që dalin nga bankat e shkollave të gjithë niveleve. Më shumë akoma: Pasojat e një reforme të mbetur në arsim do të ndihen për disa mandate, qoftë edhe jashtë parashikimeve optimiste të socialistëve. Loja e shifrave dhe mënyra sesi i interpretojnë ekonomistët e ndryshëm, pro apo kundër qeverisë e konfuzojnë edhe më shumë situatën. Shqiptari i zakonshëm, me një kulturë jo të mirë ekonomike, jo vetëm e thjesht humbet, por është krejt i paqartë. Flitet dhe trumbetohet fort për bumin e turizmit dhe sidomos ndërtimet. Lejet e ndërtimeve vijojnë me ritme gati frenetike, paçka se kërkesa nuk është ajo që e justifikon. Sa i përket turizmit në total, në vendin tonë, deri në fund të korrikut hynë 6.36 milionë shtetas të huaj, por edhe pse kjo shifër ishte 23% më e lartë se 7-mujori i një viti më parë, konsumi në shërbime turistike mbeti i vakët. Turizmi po e zëvendëson deri diku konsumin e munguar të vendësve, por sërish nuk mjafton. Modeli i turizmit të lirë, duket se po na dëmton jo pak. Nga ana tjetër, varësia e ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit në Shqipëri konsiderohej si më e larta në Evropë në vitin 2023, sipas të dhënave që janë përditësuar së fundmi nga Eurostat. Shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2023 në Shqipëri ishin 19.1%, nga 18.8% vitin e kaluar. Por bumi i ndërtimeve nuk rrit mirëqenien e publikut.

A mjafton një faktor i vetëm për ndryshimin dhe ngritjen e mirëqenies së Shqipërisë? Në tekste, referuar këtij argumenti, krahas termit të “mallkimit…” për një burim të vetëm mbi të cilën ngrihet ekonomia ka përshkrime pozitive të gazetarëve të specializuar, ashtu si kundërthënie të specialistëve për ndikimin real në ekonomi. Shqipëria po e vuan mallkimin e vendit të pasur dhe kujtimit të vendit të begatë, mbi të cilët ngrihet një narrativë e tërë poetike dhe panegjirike. Për të kuptuar zhvillimin e vendeve, sidomos atyre në zhvillim, personaliteti i ekonomisë Ruchir Sharma, në një libër shumë interesant, “Ngritja dhe Rënia e Kombeve”, duke vlerësuar subjektivitetin e këtij argumenti shkruan se: asnjë faktor i vetëm nuk funksionon si një shenjë e mirë, apo të jetë në gjendje të parathotë se cilat janë gjasat e ndryshimit të një ekonomie në pesë vitet e ardhshme. “Për shembull ‘mallkimi i naftës’ është i vërtetë: vendet e varfra, të cilat nuk kanë fituar lotarinë e naftës, kanë tendencën të ushqejnë korrupsionin dhe të vonojnë zhvillimin, për shkak të përdorimeve të shumta që ka kjo lëndë e parë”.

Më pak fjalë, shkalla dhe niveli i rritjes ekonomike është produkt i faktorëve të shumëfishtë, ndërsa balanca e këtyre faktorëve ndryshon me kalimin e kohës kur vendi bëhet më i pasur, si edhe me ndryshimin e kushteve në nivel global, shkruan mendimtari i ekonomisë. Këtu e gjen argumentin, ai që shikon modelin e Shqipërisë dhe këmbënguljen e politikës për argumente që nuk qëndrojnë. Referuar Eurostat, Shqipëria mbetet me të ardhurat dhe fuqinë blerëse më të ulët në Evropë. Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Evropian, që e bëjnë treguesin si më të ulëtin në Evropë. Është shqetësuese, kur kupton se: Një familje i duhet mbi 40% të buxhetit për t’u ushqyer (13% që është mesatarja e Bashkimit Europian). Është e lehtë për të abstraguar sesa mbeten për nevoja të tjera të mëdha, ashtu si për koncepte abstrakte për të shijuar jetën.

Ndaj, a nuk duhet të jemi më të kujdesshëm me ekonominë dhe të lemë pas projeksionet dhe të shikojmë dhe mësimet nga e shkuara. Ky duket se nuk është mësim i lehtë përderisa ne përsërisim gabime. Shqetësim mbetet sensi politik sesi e shikon ndryshimin dhe mundësinë e rritjes ekonomike në dobi të mirëqenies. Në aktivitetin e fundit të Asamblesë Socialiste, kryeministri Rama u kujtoi kundërshtarëve: vitin 1997, një vit, ku kriza e fajdeve e çoi vendin drejt një Lufte Civile. Paçka se referimi ishte në aspektin politik për mandatet e asaj kohe, një shqetësim që mbetet është se ne edhe të kaluarën e kemi të paqartë. Në socializëm u referoheshim deri në fund të viteve ‘80 vitit 1938! Kurse sot u referohemi kohëve, që janë kaluar me këtë zhvillim të sotëm, por edhe nga e cila nuk nxorëm mësimin e duhur. Në fund, duket se një referim na vjen sërish interesant nga ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Indisë, kur bënte një shikim gati një dekadë më parë për vendin e tij, që po përballej me ndryshime të jashtëzakonshme: “Ndërkohë që e ardhmja është gjithmonë e pasigurt, tek ne edhe e kaluara është po aq e pasigurt”. A ka vërtetë më pasiguri sesa kur sheh në tri drejtimet e kohës, që përshkon ekonomia shqiptare dhe në premtimet e politikës shqiptare?! (Homo Albanicus)/ Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura