Të moshuarit, pjesë integrale e shoqërisë

Oct 4, 2024 | 9:30
SHPËRNDAJE

NGA GËZIM TUSHI gezim tushi

Problemet e moshimit dhe pozitës sociale të të moshuarve në familje e shoqëri, në raport me veten, familjen dhe institucionet e përkujdesit social po vijnë duke u shtuar. Doemos shtimi i jetëgjatësisë së njerëzve (për fat sipas një dokumenti të OKB-së të para pak ditëve, jemi në pararojë në raport me vendet e rajonit), shtimi i numrit të pjesës së moshuar dhe peshës demografike në tërësinë e popullatës (afër 30 për qind) ka bërë që të shtohen problemet për këtë shtresë sociale. Nuk janë kërkesa të tepërta, as dëshira ekzibicionale, ato që shtrojnë çdo ditë të moshuarit tanë.

Sepse situata, trajtimi dhe kujdesi të për ta nuk është në nivelin e duhur. Të moshuarit po përballen me shumë probleme të vërteta e anomali sociale, qoftë ato me natyrë individuale që lidhen me moshën dhe turbulencat e moshimit, apo që kanë të bëjnë me statusin social, gjendjen shëndetësore, sistemet e mbrojtjes sociale kontributive dhe jokontributive (sistemi sigurimeve, shërbimeve mjekësore dhe nevojave specifike për kujdes social). Për shumë arsye, pesha e problemeve që kanë të moshuarit tanë, janë një “gjyle” e rëndë jo vetëm në këmbët e tyre, por edhe një problem në zgjerim, madje shumë të përshpejtuar, me të cilat po përballet dhe do të përballen akoma më shumë në të ardhmen familja, shoqëria, institucionet specifike të kujdesit rezidencial, komunitar, ditor, por natyrisht edhe qeveria shqiptare.

Që ka peshën e “luanit” në gjetjen e zgjidhjeve, të kësaj problematike, si peshë integrale e detyrimeve kushtetuese, që lidhen me politikat sociale që duhet të garantojnë një nivel të pranueshëm të mirëqenies dhe dinjitetit të tyre social. Në kushtet kur balancat demografike po anojnë më shumë në shtimin e të moshuarve në raport me të rinjtë për shkak rritjes së numrit të të moshuarve që dalin në pension, afërsisht 20 mijë veta në vit, të uljes së natalitetit, pakësimit të lindjeve për shkak të emancipimit të grave, emigracionit të pandalur, zgjatjes së moshës mesatare, përmirësimit të kujdesit shëndetësor e social etj., duket se shoqëria po plaket, ajo gjithnjë e më shumë po bëhet “shoqëri me flokë të bardhë”. Problemet e moshës, moshimit dhe pleqërisë kanë dalë në evidencë, si një nga problemet me rëndësi për familjen shtetin, shoqërinë.

Një faktor kompleks e polivalent me natyrë demografike, mjekësore, financiare, humanitare e sociale. Bota e të moshuarve shqiptarë sot është bërë më e ndërlikuar, nën ndikimet plastike të shoqërisë postmoderne, e cila ka përmirësuar disa komponentë të kuptimit të “stilit të jetës”, ngritjes së nivelit kulturor dhe pretendimeve ekuivalente me të moshuarit e tjerë të rajonit dhe pse jo edhe përtej tij. Të gjithë këta faktorë social, kulturorë, demografikë e psikologjikë, kanë ndërlikuar shumë çështje konceptuale dhe ekzistenciale, psikologjike e materiale që lidhen me statusin social, pozitën familjare, gjendjen shëndetësore e financiare të tyre.

Raporti me të moshuarit ka pësuar ndryshime konceptuale dhe strukturore thelbësore, që lidhen me tipologjinë e ndryshuar të natyrës liberale e individualiste të shoqërisë postmoderne, me përmbysjen e raporteve të vjetra të familjes tradicionale gerontokratike të së kaluarës, në të cilën pozita e të moshuarve, statusi i tyre dikur i “shenjtëruar” e autoritar, gradualisht por në mënyrë të pakthyeshme është zëvendësuar me pozitë të ndryshuar në kornizën e familjes së demokratizuar. Padyshim është fakt që në familjen e sotme shqiptare, për arsye objektive e subjektive, situata ekzistenciale e të moshuarve nuk është gjithnjë e për të gjithë komode, madje as normale.

Kohët e fundit janë shtuar kontradiktat material e marrëdhëniet toksike midis të rinjve dhe të moshuarve. Nëse në të kaluarën cenimi i statusit apo akoma më keq braktisja e të moshuarve në familjen etike e tradicionale shqiptare ka qenë dukuri sporadike, sot mbase për shkak të zbehjes së “cipës emocionale” dhe empatisë, është zmadhuar ndjenja e frikës nga braktisja në moshën e pleqërisë. Bota e të moshuarve në Shqipëri ka ndryshuar edhe në mënyrë të determinuar shumë patologji të kësaj shtrese po i “përshtaten” në mënyrë të sforcuar imperativave të kohës, e cila me sa duket nuk është shumë e favorshme për të moshuarit.

Duam apo nuk duam, shumë probleme materiale e spirituale që kanë dhe përjetojnë të moshuarit tanë, janë pasoja adekuate të procesit të akseleruar dhe efekteve të modernizimit të familjes. Bashkë me këtë faktor që buron nga transformimi familjes, në shoqërinë tonë po duket mbase si pa kuptuar edhe krijimi i distancës sociale moshore. Një tendencë nënvleftësuese që shfaqet edhe në strukturat e jetës shoqërore. Të gjithë këto faktorë social e materialë, natyrorë e psikologjikë, demografikë e kulturorë, kanë të nevojshme, madje tejet urgjente bërë vlerësimin më me kujdes të pozitës reale dhe shqetësimet ekzistenciale me të cilat po përballen të moshuarit në shoqërinë tonë. Është e natyrshme për të gjithë faktorët ontologjikë dhe arsyet ekzistenciale, mosha e tretë nuk është periudhë e favorshme për njeriun.

Në të gjitha aspektet e jetës. Por problemet e natyrshme e të kuptueshme të vështirësive të moshës, për të përballuar me dinjitet sfidat e moshimit janë bërë më komplekse dhe vështirë të përballueshme individualisht nga të moshuarit. Kjo për shkak të efekteve dhe kundërefekteve të shoqërisë së sotme shqiptare, të bazuar në mbivlerësimin e rolit të të rinjve, të strukturës së familjes moderne (bërthamë, burri gruaja dhe fëmijët), emigracioni i të rinjve, zgjerimi i vetmisë, shtimi i patologjive shëndetësore (që janë të shumta e të natyrshme për këtë moshë), mungesa e të ardhurave financiare për të përballuar koston e jetës për shkak të pensioneve akoma modeste, nën nivelin e minimumit jetik etj.. Në këto kushte, të ndodhur përballë me këto ndryshime eruptive morale, strukturore, psikologjike e shëndetësore, të moshuarve u është tronditur baza mbështetëse se ku “ata duhet të besojnë”. Ideja që shoqëria e sotme liberale është individualiste, është “për rininë dhe efektshmërinë”, është devizë e natyrshme e kohës moderne.

Po për të moshuarit, cili duhet të jetë vendi i tyre në familje, shoqëri dhe statusi i tyre social? Në mënyrë të pashmangshme edhe në familjen dhe shoqërinë shqiptare, është koha ajo që ka determinuar ndryshimin e “statusit të pleqërisë”, por është e papranueshme që ata të përshihen nga braktisja, vetmia, neglizhenca deri në kufijtë antihumanë të konsiderimit të turpshëm, duke i parë si njerëz që vetëm “marrin frymë”. Në këtë kontekst, është e udhës që moshën, moshimin dhe statusin e pleqërisë t’i shikojmë ndryshe, duke bërë dallimin e të shoshuarit si qenie fizike e biologjike nga dëshirat e tyre shoqërore, kulturore, jetike si individë socialisht të barabartë.

Është fjala për një rishikim dhe rivlerësim të të drejtave të moshës së pleqërisë, si pjesë e të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, që nuk janë të lidhura e të determinuara me “kufijtë e moshës”. Koha moderne kërkon dhe ky është një imperativ për familjen, politikën, qeverinë, median dhe shoqërinë civile, për shmangien e difidencës apo neglizhimit që vihet shumë shpesh, në deformimin e ekuacionit ekzistencial, që lidh organikisht problemet midis statusit të pleqërisë, të drejtave sociale dhe lirive personale. Nuk ka pse mbajmë akoma në këmbë konceptin antihuman, të turpshëm e reduksionist për “fatin e të moshuarve”. Jetojmë në kohë të reja, në të cilën jetëgjatësia, energjitë, ambiciet e njeriut kanë bërë që të relativizohen në mënyrë të akseleruar “kufijtë e moshës”, stadet e moshimit. Është një kufi moshor jetik, fizik, emocional, por pse jo edhe epistemologjik, që nga koha e daljes në pension, kalimin në moshën e tretë e pastaj edhe në moshën e katërt (mbi 85 vjeç) nuk e pengon as e determinon jetën e njeriut në moshën e pleqërisë. Megjithatë, koha edhe në shoqërinë shqiptare, shumë shpejt, madje me ritme të “nxituara” ka sjellë ekzistencën e situatave të pasigurta të “moshës së thyer”. Sociologët mendojnë se koha moderne nuk i favorizon dhe me sa duket, nuk është aleate me të moshuarit. Filozofi Edgar Morin thotë se: “Të moshuarit dikur jetonin nën çatinë familjare me fëmijët dhe nipërit e tyre. Shpërbërja e familjes së madhe i ndau brezat. Brezat e rinj nuk kanë më vend në banesat e tyre dhe ndonjëherë as në zemrat e tyre për të moshuarit”. Edgar Morin, “Rruga”, f. 378

Padyshim plaga më e madhe sociale që ka përfshirë një pjesë të njerëzve të moshuar është ekzistenca reale dhe zgjerimi i dimensionit të vetmisë dhe jetës së vetmuar. Këtë plagë e shkakton një faktor i dyfishtë, që lidhet me krizën moderne të tradicionit social dhe dobësimin e solidaritetit human. Por nuk duhet harruar se vetmia për këtë moshë kur e artikulon, është e frikshme. Por ta përjetosh atë në pleqëri është e llahtarshme. Formalizmi, konvencionalizmi, narcizismi i të rinjve nuk ka pse bëhet instrument për neglizhimin social të të moshuarve. Sepse pleqëria nuk është fatkeqësi as sociale e as individuale. Ajo nuk është aq e errët sa duket nga jashtë apo e zymtë, sikurse interpretohet ndonjëherë në mënyrë të gabuar. Të moshuarit janë pjesë e nderuar e kapitalit human të shoqërisë, që duhen vlerësuar dhe respektuar. Mosha e tretë është një nga “stinët e jetës”, që do e kalojë në mënyrë të pashmangshme çdo njeri.

Edhe ata që janë të rinj, politikanë apo që ndodhen të privilegjuar në “bordin e shoqërisë”. Padyshim ka një ekuacion socio-demografik, sipas të cilit kur shoqëria plaket, duhet shtuar kujdesi nga familja biologjike, shteti dhe institucionet e përkujdesit social. Në këtë kontekst, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët, shtimin e numrit të të moshuarve, zbehjen e rolit të dikurshëm të familjes tradicionale, problemet e nevojave shëndetësore të tyre, rrezikun e braktisjes dhe vetmisë, është e domosdoshme një konceptim i “Strategjisë së Mbrojtjes Sociale”, që kanë të bëjë me politikat që duhen ndërmarrë dhe rrjetin e institucioneve që kanë mision kujdesin ndaj tyre. Qoftë familjar apo institucional. Kapacitetet aktuale të institucioneve të përkujdesit, qoftë shtetërore apo private, publike apo si forma të biznesit social janë të pamjaftueshme. Në kushtet kur vetëm pensionistë janë rreth 720 mijë veta, është fare i pamjaftueshëm kapaciteti i shërbimeve sociale të ofruara nga institucionet e përkujdesit.

Sipas një studimi, numri i atyre që kanë nevoja të përgjithshme apo specifike për kujdes social, është shumë i lartë. Ndoshta i duhet dhënë një shtysë prej vërteti procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale për moshën e tretë, duke rritur peshën, përgjegjësinë e pushtetit lokal për të njohur, vlerësuar dhe zgjidhur problemet e të moshuarve, që janë nën juridiksionin e tyre territorial. Besoj se mbetet një problem ende i pazgjidhur, problem i sistemit aktual të pensioneve, nevoja e “padurueshme” dhe kërkesa e ligjshme për rritjen e pensionit mesatar, në nivelin e pranuar të “minimumit jetik”. Indeksimi i inflacionit me 4.1 për qind, jo vetëm nuk pati efekt material dhe psikologjik, por përkundrazi e hapi “Kutinë e Pandorës” së pensioneve, e cila me sa duket nuk do mbyllet kollaj. Sepse të moshuarit janë njerëz të nderuar, që kanë kontribuar për këtë vend, për këtë shoqëri. Ata nuk duhen nënvleftësuar, sepse janë pjesë integrale, madje shumë e nderuar e kapitalit human të shoqërisë shqiptare. Dhe meritojnë të trajtohen si të tillë. Me respekt dhe dinjitet…

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura