Me flokët e tyre gri, teksa ecin duke u lëkundur ato janë dëshmitaret e tmerreve, që do t’i mbanin në kujtesën e tyre gjatë gjithë jetës e që askush nuk mund t’i imagjinojë. Janë të gjitha të mbijetuara nga Holokausti, por nuk janë mbledhur së bashku për ndonjë konferencë, por për të marrë pjesë në një aktivitet të jashtëzakonshëm, për të kurorëzuar të parën “Miss e Mbijetuara e Holokaustit”. Një aktivitet i organizuar në Izrael si një “celebrim i jetës”, i cili ka ngjallur edhe polemika. “Mua më duket shumë makabre. Unë jam për ta gëzuar jetën, por maskimi i këtyre të mbijetuarave me rroba të bukura nuk e bën jetën e tyre më kuptimplotë”, është shprehur Colette Avital, kryetare e shoqatës së të mbijetuarve nga Holokausti. Ndërsa organizatorët mendojnë tërësisht të kundërtën. Ata shprehen se fitueset u zgjodhën mbi bazën e historive të tyre personale të mbijetesës dhe të rindërtimit të jetës së tyre pas luftës: “Ato ndihen mirë së bashku. Kanë kaluar një kohë të mirë duke qeshur në prova. Fakti që kaq shumë gra kërkuan të merrnin pjesë, dëshmon se kjo ishte një ide e mirë”, u shpreh Shimon Sabag, një nga organizatorët. Rreth 300 gra nga i gjithë Izraeli u regjistruan në konkurs, prej të cilave u seleksionuan vetëm 14 finaliste. Gratë nga mosha 74-97 e kanë shijuar tërësisht këtë eksperiencë.











