
E kush e tha që u mungojnë energjitë e adrenalina edhe në moshën 80 vjeç? Nuk e prishin ritualin e tyre për t’u zgjuar çdo ditë rreth orës 5:30 të mëngjesit. Takimi, te Liqeni artificial.Fillimisht ecja për të paktën dy kilometra. Më pas në kthim janë gjithnjë tek i njëjti vend. Në dimër ulen për kafen e mëngjesit, tek ai që njihet si lokali me çmimet më të lira në hyrje të parkut te Liqeni artificial. Sapo nis e hyn vera, në krah të tij shijojnë rrezet e para të mëngjesit. Janë të gjitha në formë. Edhe me rroba banje, asnjëra prej tyre nuk ta jep përshtypjen se është pranë të 80-tave. Teksa i sheh së largu duke biseduar e bërë pak streching, të kuriozojnë. Në fakt, ata burrat “çokollatë” që nisin e marrin rreze që në muajin prill, i kemi parë prej shumë vitesh tek Liqeni. Por, grupin simpatik të konkurrenteve të tyre, syri nuk na i kish zënë. Kur u afrohesh, reflektojnë humor të mirë e energji pozitive. S’e kanë fare problem t’u bësh një foto. Kur vjen puna te emrat, stepen. “Ja kemi Bulen për këto punë. Ne s’t’i themi emrat”, thotë njëra prej tyre. Mësojmë se është dibrane dhe nuk i mungojnë as këshillat për të kërkuar fatin. “Me mend në kokë e me llogari, se kur bëhesh sa ne, bëhesh pishman pastaj”, thotë ajo. Më tej, vazhdon Bulja: “Hë, fol, sa vjeç të dukemi ty? 65-70? Jo, të keqen, më e vogla nga ne është 76 vjeçe. Kjo shoqja këtu i ka kaluar të 80-tat”, thotë ajo. Kur i pyet nëse dalin shpesh, të tregojnë se e frekuentojnë Liqenin prej vitesh. “Tani s’kemi moshë dhe as mundësi ekonomike të shkojmë plazheve, plus që nuk e durojmë dot diellin e fortë. Ja, marrim këto rrezet e para deri nga ora 9 e gjysmë dhe ikim në shtëpi”, thonë ato. Janë katër gra për t’u pasur zili në fakt. Reflektojnë energji dhe qetësi. “Ajri i mëngjesit është ilaç. Ne shkojmë të çlodhura në shtëpi dhe e nisim ditën mbarë”, thonë ato.
Oksigjen mëngjesi

Te Liqeni artificial i sheh të gjitha. Që nga njerëz që shijojnë natyrën dhe nuk duan t’ia dinë për çka i rrethon, deri te vajza apo gra me mollëza të lyera e buzëkuq që në orën 6. Mund të shohësh deputetë e njerëz të tjerë publikë, kush i maskuar me syze e kapele, kush fare lirshëm me tuta e T-shirt. Nuk mungojnë ata më të rregulltit; “gjuetarët e heshtur”, të cilët i gjen aty çdo ditë. Pjesa më e madhe janë në moshë, por nuk mungojnë edhe rioshët e rreth të 40-tave. Të duhen ca ditë të kuptosh që nuk dalin për vrap apo ecje, por për pak stimul në mëngjes. E gjen secili me mënyrën e vet. Pjesa më e madhe nuk përbëjnë rrezik. Maksimumi mund të të bezdisin me ndonjë fjalë të ndrojtur. Ka edhe nga ata me probleme të theksuara mendore që të shkaktojnë ankth. Por, përgjithësisht nuk qëndrojnë aty ku vrapohet apo bëhet xhiro.
Plehrat hiqen nga ora 8

Normalisht vrapin e mëngjesit pjesa më e madhe e qytetarëve që dalin nga Liqeni i bie ta përfundojnë rreth orës 8:00 të mëngjesit. Çdo ditë në ikje gjen koshat e mbushur plot me mbeturina dhe një erë e rëndë pranë tyre. Në kthim, rrugën e bllokon makina e plehrave. Punëtorët me nge zbrazin koshat. Kalimtarëve u duhet të ndalojnë vrapin apo ecjen dhe të “kënaqen” me një duhmë të rëndë që u përplaset në fytyre. Në të gjithë kryeqytetin ky proces bëhet gjatë natës. Tek i vetmi vend ku mund të thithësh pak ajër të pastër, plehrat hiqen pikërisht atëherë kur dalin njerëzit. Rreth kësaj ore të zë syri me fshesa në duar edhe punëtore të ndërmarrjes së pastrimit, të cilat pastrojnë me fshesë pjesën e shtruar me pllaka. Nuk para e prishin terezinë as ato. Problem mbeten qentë e rrugës, të cilët shpesh grumbullohen në tufa. Por, të paktën një pjesë duket që janë të vaksinuar, pasi kanë në vesh një shenjë të verdhë. Pak kohë më parë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik ngritën alarmin se qentë e rrugës mund të jenë vatra infeksionesh, sidomos në stinën e verës. Por, veç tyre, ajo çka të bezdis tek Liqeni janë edhe dhjetëra qen shtëpie, të cilët të zotët i lëshojnë në “vrapim” të lirë. I përkasin të gjitha racave e ka nga ata që janë vërtet të frikshëm. Në të gjithë botën, qentë e mëdhenj në parqet publike nxirren me maska.
Të thyesh qafën me biçikletë
Ka pak javë që në hyrje të Liqenit artificial dhe te Garda jepen biçikleta me qira. Kushtojnë 60 lek ora dhe mund t’i përdorësh pasi regjistron emrin dhe lë një dokument identifikimi. Deri këtu ideja është brilante. Por, praktikisht nuk ka rezultuar e tillë. Pjesa më e madhe e biçikletave janë të amortizuara dhe të vjetra. Qytetarët që i provojnë, ankohen se nuk ja vlejnë. “Mora të parën, i doli zinxhiri. Thash ka qëlluar. Të nesërmen zgjodha një tjetër, po kishte probleme me diskun. Janë shumë të vjetra, dhe jo praktike”, thotë një prej qytetarëve tek Diga. Ka edhe me keq. Teksa pyesim për çmimet, sytë na zënë një vajzë rreth të 20-tave me krahun e gërvishtur. “Unë hera e parë që mora një biçikletë me qira dhe u rrëzova. Në fakt di t’i jap mirë, por kishte probleme me frenat”, thotë ajo. Vajza që mbledh lekët ngre supet. Ajo nën zë thotë se vërtet biçikletat janë të vjetra dhe janë donacion i disa amerikanëve ambientalistë. “Ankohen shumë ata që i marrin. Në fakt, kanë probleme. Por edhe qytetarët vetë nuk bëjnë kujdes. Do marrim të reja, do jenë shumë herë më të mira. Ky ishte si punë testi”, thotë ajo. E deri sa të vijnë, koston e këtij “testi” do ta vuajnë në kurriz qytetarët. Me dëshirën për të ngarë në natyrë, me biçikleta të tilla, gati të prishura, mund të rrëzohesh e të thyesh qafën. E nëse nuk u jep dot tek liqeni,imagjino çfarë mund të ndodhë, nëse me të tilla biçikleta del në rrugët e Tiranës ku s’të lë shumë mundësi manovre as trafiku i makinave.
Në “Facebook” kundër biçikletave
Qindra qytetarë ankohen për aksidentet me biçikletat tek Liqeni Artificial. Madje është hapur edhe një faqe në “Facebook”. “Jo biçikletave ‘Ecovolis’ te Liqeni”.Në të qytetarët shprehen të pakënaqur. Sipas tyre, është shtuar shumë fluksi i këtyre mjeteve dhe është e vështirë të vraposh lirshëm në natyrë. Një tjetër faqe është ajo “Vrap nga liqeni”, e cila jep edhe sugjerime se ku duhet te ecin këto mjete. “Ndalohet qarkullimi i biçikletave dhe i kalimtareve në pistën e kuqe”,thuhet në murin e kësaj faqeje. Nuk mungojnë komentet e vrapuesve, të cilët shprehin pakënaqësinë e tyre për amullinë e
herëpashershme tek parku i kryeqytetit.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











