Të lindurit në 2 vitet e fundit nuk marrin shpërblimin

Sep 14, 2012 | 12:00

GJIROKASTER – Fëmijët e lindur në dy vitet e fundit në Gjirokastër nuk kanë marrë ende shpërblimin që parashikohet me ligj. Fondi, i detyrueshëm të mbërrijë në fund të çdo gjashtëmujori, nuk është dhënë që prej qershorit 2010, duke i privuar nga e drejta për t’u shpërblyer mbi 500 fëmijë që kanë lindur dy vitet e fundit. Vetë nënat shprehen se deri tani nuk kanë marrë asnjë lek nga shteti për lindjen që kanë kryer. Në sajë të ligjit, këto nëna duhet të shpërblehen në shumën 5 mijë lekë.
Nevila Dedi, një nënë 24-vjeçare, shprehet se djali i saj i ka kaluar të 16 muajt dhe deri tani nuk ka marrë kurrfarë leku nga shteti. “Jam në një gjendje të vështirë ekonomike, pasi bashkëshortin e kam herë me punë e herë pa punë, dhe ato 5 mijë lekë ndoshta do të na hyjnë në punë. Por deri tani nuk shikojmë asgjë. Askush nuk na jep përgjigje”, u shpreh 24-vjeçarja. Sipas saj, një herë në javë shkon në bashki me shpresën për të tërhequr shpërblimin shtetëror. Kjo gjendje nuk është e re për krerët e Bashkisë së Gjirokastrës. Nënkryetarja e Bashkisë, Vito Muço, shpreh shqetësimin për këtë situatë, pasi, sipas saj, mjaft nëna dhe familjarë të tjerë, me të drejtën e tyre kërkojnë përditë në dyert e kësaj njësie vendore shpërblimin prej 5 mijë lekësh që u takon me ligj. Vetëm për këtë vit, 136 fëmijë të lindur në qytetin e Gjirokastrës nuk kanë marrë shpërblimin, ndërsa shumica e të lindurve u përkasin shtresave me të ardhura të pakta. Në dyert e Bashkisë çdo ditë interesohen prindër për të marrë paratë që u takojnë, por ata kthehen mbrapsht pa një përgjigje dhe datë të saktë se kur do të mund t’i marrin ato.                        p.n

© Panorama.al

Te lidhura