
Njërit prej tyre i pëlqen vallja e Osman Takës. Edhe një vendas do të mendohej mirë përpara se të guxonte të dilte në valle.Dikujt tjetër, vallja e Librazhdit. Është më individuale, më ritmike… Prej disa ditësh që ndodhen në Tiranë ata po mundohen të kapin thelbin e këtij vendi. Dhe këtë nuk mund ta bësh më mirë se duke njohur folklorin shqiptar, këngët, vallet, veshjet… E, në veçanti vallet, të cilat nuk kanë qejf vetëm t’i shohin, por edhe t’i kërcejnë. Bëhet fjalë për një grup turistësh të huaj, të cilët, pasi kanë mësuar e parë shumëçka që i duhet një turisti, kanë shprehur dëshirën të zhvillojnë një kurs gjatë të cilit të mësojnë të kërcejnë vallet shqiptare dhe të marrin disa leksione mbi muzikën, veshjet dhe traditën popullore. Kursi po zhvillohet prej disa ditësh në ambientet e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku valltarët profesionistë të këtij institucioni, me durim po u mësojnë lëvizjet e valleve të Jugut, të Shqipërisë së Mesme e të Veriut. Ndërsa për leksionet e tjera po bashkëpunohet edhe me specialistët e Institutit të Kulturës Popullore. Seminari është një iniciativë personale e holandezit Cees Hillebrand, i cili vite më parë, kur Shqipëria ishte ende nën diktaturë, kishte dëgjuar kalimthi muzikë shqiptare e qysh atëherë ëndërronte të vinte e të mësonte më shumë mbi të. Dje, në orën 17:30, pas një vizite në Shkodër, zhvilluan orën e radhës. E nisën me polifoninë e Jugut. Me këngën e shkruar përpara përpiqen të këndojnë shumëzërash një nga perlat e Jugut: “Janinës ç’i panë sytë”. E çuditshme, por ia arrijnë. Këngëtarët profesionistë të Ansamblit mundohen t’i fusin në atë botë mistike që pështjell polifoninë…
Vallet
Por, momentet më të këndshme janë, pa dyshim, ato të mësimit të valleve. Bëhen gati me të shpejtë. Veshin nga një bluzë të bardhë me shqiponjë në shpinë dhe bëhen njësh me ritmin. Për t’i futur në hulli, e fillojnë me pogonishten. Të kapura dorë për dore, me në krye balerinën Helga Saraçi, ato hedhin një nga një hapat… Pastaj një valle e kënduar përmetare: “Poshtë nga çairet”. Valltari Genc Kastrati i jep ritëm valles duke u demonstruar lëvizje, pas të cilave ata mrekullohen… Pas këtyre valleve të shtruara ndryshon ritmi. Është “vallja e zileve. Më ritmike, më e lodhshme. Pak më të moshuarit bëjnë mënjanë nga grupi. U duhet të marrin pak frymë. Ndërsa të tjerët janë tërësisht të përpirë nga lëvizjet. Pastaj një tjetër ritëm, “vallja e Librazhdit”… Pas disa orësh mësimi nën drejtimin e kërcimtarëve profesionistë ata janë në gjendje të kërcejnë disa nga vallet më të njohura shqiptare, madje dhe më mirë se shqiptarët. Sipas Kastratit, pas seminarit të një viti më parë, ky është i dyti, i cili ka nisur qysh në datën 8 gusht e mbyllet më 19 gusht. Këtë vit kohëzgjatja ka qenë më e madhe, pasi në qendër të tij nuk ka qenë vetëm vallja shqiptare, por edhe kënga. “Përveçse kanë mësuar valle dhe tani po mësojnë edhe polifoninë, ata kanë qenë në Malësinë e Kelmendit, në Logun e Bjeshkëve, ku kanë parë nga afër mënyrën se si njerëzit e këtyre zonave jetojnë, kërcejnë, këndojnë. Pra e kanë prekur me dorë jetën tradicionale shqiptare”, thotë Kastrati.
Janë njerëz të thjeshtë, të shtyrë nga kureshtja për të mësuar më shumë për kulturën popullore shqiptare. Vijnë nga Gjermania, Holanda, Irlanda, Franca, Suedia… Janë plot 17. Disa kanë qenë në seminarin e parë dhe premtojnë të vijnë sërish.
“Jemi munduar të përzgjedhim disa valle jo shumë të vështira, të cilat kërcehen nëpër dasmat tona, që kërcehen nga të gjithë, si vallja e Napolonit, Pogonishtja, ‘Shamia e beqarit’ etj., të cilat kërcehen prej të gjithëve. Por ka edhe valle të veçanta, si vallja dyshe e Kavajës, vallja e vajzave të Delvinës, të cilën ata e kanë përvetësuar si të ishin shqiptarë, apo e vallja e Korçës”, thotë valltari. Ka ndonjë që do të mësojë edhe vallen e Osman Takës, madje pedagogu thotë se është një nga më të preferuarat, por që mbetet vetëm në kuadrin e dëshirës, pasi është shumë e vështirë për t’u mësuar… Por mësimi nuk mbetet këtu. Do t’i marrin me vete, do t’u mburren bashkëkombësve, e ndoshta ua mbushin mendjen të vijnë dhe ata vitin tjetër.
ALMA MILE











