“Të hënën mbyllet gjithçka”, flet kryetari i Bashkisë Skrapar: Qeveria ka shkelur të gjitha ligjet, çerdhet…

Feb 14, 2019 | 22:37
SHPËRNDAJE

Kryetari i Bashkisë Skrapar, Nesim Spahiu, jep alarmin se nga dita e hënë institucioni që ai drejton, nuk do të vijojë më aktivitetin. Shkak për këtë gjendje është bërë bllokimi i buxhetit të vitit 2019 për Bashkinë Skrapar.

Nesim Spahiu, kryetari i Bashkisë Skrapar
Nesim Spahiu, kryetari i Bashkisë Skrapar

Në një intervistë për “Panorama”, Spahiu bën fajtor për gjendjen e krijuar qeverinë, pasi sipas tij ka shkelur të gjitha ligjet, duke hedhur akuza dhe për ministren e Financave duke e quajtur të paaftë.

“Ligji e thotë qartë nëse nuk miratohet buxheti, veprimtaria e bashkisë vijon me buxhetin e vitit paraardhës. Këta nuk njohin ligj, këta punojnë me urdhra. Kanë një ministre të paaftë, që ka bllokuar veprimet në Bashkinë Skrapar në kundërshtim me të tëra ligjet.”, shton më tej kryebashkiaku i Skraparit.

INTERVISTA

Për më shumë se një muaj buxheti i bashkisë është i bllokuar, në çfarë gjendje ndodhet bashkia sot?

Janë të gjithë punonjësit e bashkisë, që nuk kanë marrë rrogat. Nga dita e hënë do mbyllet konvikti i shkollës së mesme, pasi bashkia nuk ka lekë deri tani kemi marrë ushqime me listë nëpër biznese të ndryshme. Do mbyllet çerdhja, do mbyllet “Qendra alternative” për fëmijët me aftësitë ndryshe. Do mbyllet ndërmarrja e pastrimit, pra do të mbyllet i gjithë aktiviteti i Bashkisë Skrapar.

Godina e Bashkisë Skrapar
Godina e Bashkisë Skrapar

Pra do të thotë që të gjithë punonjësit do të mbetet pa punë?

Po nuk kanë marrë rrogat, nuk kanë marrë rrogën e janarit. Nuk kemi bërë asnjë veprim asnjë qindarkë. Çdo shpenzim i bashkisë është me listë në biznese të ndryshme. Ditën e hënë do të mbyllet çdo aktivitet i bashkisë, pasi nuk ka asnjë qindarkë.

Pre ka ardhur kjo situatë?

Kjo situatë ka ardhur deri këtu pasi buxheti për vitin 2019 nuk është miratuar. Ka dhe shkelje ligji, por këta nuk duan t’ia dinë për ligj. Ligji e thotë qartë nëse nuk miratohet buxheti, veprimtaria e bashkisë vijon me 1/12 e faktit  të buxhetit të vitit paraardhës. Këta nuk njohin ligj, këta punojnë me urdhra. Kanë një ministre të paaftë, që ka bllokuar veprimet në Bashkinë Skrapar në kundërshtim më të tëra ligjet.

Keni ndjekur rrugën ligjore për këtë situatë?

Po kemi bërë një ankesë në Prokurori, ku janë hapur hetime për këtë çështje, jemi dhe në gjyq për këtë gjë, por që gjyqet vonojnë. Deri tani i kam shtyrë në këtë formë veprimtaritë e bashkisë, por nga hëna e mbrapa do mbyllen të gjitha.

Keni pasur bisedime me qeverinë, si mund të zgjidhet kjo situatë?

Nuk kanë bërë asnjë pasi  nuk lejojnë asgjë, nuk lejojnë as të vijojmë veprimtarinë me buxhetin e vitit të kaluar. Këta nuk duan të dinë për ligj, i kanë të tëra u duket si pronë private.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura