Gjendja ekonomike e vendit dergjet e harruar nga politika këto kohë. Vëmendja e të gjithëve sot është marrë pikërisht prej telenovelës së fundit “Presidenti i Madhërishëm”, që po u imponohet përditë shqiptarëve nga të gjitha drejtimet e mundshme, si politike, ashtu dhe mediatike.
Çfarë bën lajm është politikë, dhe çfarë është politikë shitet për lajm! Politika shqiptare, tashmë e ngritur prej kohësh në ajër, është marrë peng nga një situatë politike që ofron shumë pak ndryshim për shqiptarin tipik. Kur të marrë fund marrëzia dhe të zbresim e mendojmë të tërë me këmbë në tokë, do të shohim se jetojmë në po të njëjtin vend të varfër – vetëm se tani me një emër tjetër për President. Fokusi shoqëror këto ditë vërtet është te i pari mes qytetarëve, por nuk është aspak te vetë qytetari.
Në Francën republikane, me një sistem presidencial të plotfuqishëm, ekonomia e rrëmbeu gjithë vëmendjen dhe ishte kryefjala argumenti dhe premtimi i debatit elektoral. E gjithë vëmendja politike atje ishte “e marrë” nga diskutimi i brendshëm për mënyrat e rritjes ekonomike dhe politikat fiskale të taksimit. Ndërsa në planin ndërkombëtar politikanët francezë argumentonin për marrëdhënien e nderë me eurozonën dhe Gjermaninë – po prapë për të njëjtat çështje të stabilitetit financiar dhe të rritjes ekonomike, për të dalë nga kriza më e madhe që ka zënë Europën që prej kohës së luftës. Ndërsa në Francë diskutojnë, ne këtu flasim. Nëse në Europë argumentojnë me logjikë ekonomike, ne këtu llafosemi me pasion politik.
Votimet në Greqi, Spanjë dhe Portugali kanë pasur si motiv të vetëm elektoral financat publike dhe krizën ekonomike që po vuajnë shoqëritë respektive të këtyre vendeve. Sot, të gjitha partitë serioze politike në Europë nuk diskutojnë më as për pallavra ideologjike dhe as për situata demagogjike: politika ekonomike është sheshi i vetëm i betejave për alternativat më të mira qeverisëse për qytetarin e Europës.
Në Tiranën politike ndodh e kundërta, ndonëse ekonomia jonë nuk është as e zhvilluar dhe as Presidenti aq i fuqishëm sa në Francë a gjetke ku ka një republikë në Europë. Në fakt, ne nuk jemi konceptualisht as në të njëjtin kontinent kur flitet për ekonomi, drejtësi dhe demokraci.
Shqiptari është sot mesatarisht tetë herë më i varfër se çdo qytetar i eurozonës (GDP per capita, Economist Inteligence Unit). Kjo është e vërteta e marrë ekonomike.
Politikat ekonomike të tranzicionit, përfundimisht nuk e kanë bërë detyrën në misionin e tyre historik: për të integruar ekonomikisht shqiptarët në kontekstin europian dhe ndërkombëtar. Ekonomia jonë ka një karakter politiko-feudal: në fillim vjen shtet/politika dhe pastaj biznesi e ekonomia. Shteti është problemi kryesor i ekonomisë shqiptare, që nga rënia e diktaturës dhe rendja e menjëhershme drejt një ekonomie të lirë tregu. Për më tepër, rendja e qeverisë pas taktikave miope populiste e ka lënë vendin tonë pa vizionin e një strategjie definitive zhvillimi ekonomik, ku mirëqenia dhe pasuria e qytetarit të jetë fokus i politikës.
Dobësitë kryesore të ekonomisë sonë mbeten strukturale (një klimë biznesi e pazhvilluar) dhe një borxh publik i rritur – shpejt i papërmbajtshëm! Qeveria nuk ka më hapësira për politika fiskale në ndihmë të ekonomisë, ndërsa pozicioni i saj fiskal është përkeqësuar, dhe rivendosja e kontrollit mbi shpenzimet i mbetet sfida kryesore. Deri më sot, shpenzimet nuk janë ulur, ndërkohë të ardhurat kanë rënë ndjeshëm.
Logjika e sheh rimëkëmbjen e ekonomisë konsiderueshëm me graduale se sa qeveria, që “edhe një herë për situatën” i ka shqyer pragjet e optimizmit racional: ekonomia po ngadalësohet ndjeshëm nga një kërkesë e ulët ndikuar nga konfidencë e dobët nën përkeqësimet fiskale, pasiguri politike, remitanca të ulëta dhe rënie kreditimi. Konsolidimi fiskal mbetet prioriteti kryesor, ndërsa nevojat e thella të qeverisë për financim kërcënojnë jo vetëm shansin për të hyrë në tregje financiare, por stabilitetin makroekonomik në përgjithësi.
Telenovela presidenciale është pa interes real për mirëqenien ekonomike dhe biznesin e shqiptarëve. Në fakt, ajo mban një interes kapital për politikanët, që janë duke prodhuar politikë vetëm për të forcuar pozitat e tyre të pushtetit. Përsëri në këtë situatë, tashmë tepër të njohur, “telenovelë politike” për publikun shqiptar, politikanët i largohen sërish misionit primar dhe të vetëm që kanë ndaj qytetarit: përmirësimin e jetesës në këtë vend me mënyra të prekshme dhe me rezultate për të gjithë.
© Panorama.al












