1. Një tablo trishtuese në lidhje me gjakmarrjen
Pavarësisht nga puna e lavdërueshme e disa individëve, organizatave dhe grupeve të ndryshme joqeveritare kundër gjakmarrjes, nga informacione të ndryshme jozyrtare vëmë re se vetëm vitet e fundit kanë ndodhur disa raste të vrasjes për motive të tilla si gjakmarrja apo për shkaqe të tjera, që juridikisht cilësohen si shkaqe të dobëta.
Të dhënat që jepen rreth këtij problemi janë tronditëse.
Nga shtypi shohim që:
Në vitin 2011 janë bërë 139 vrasje, 109 prej të cilave janë për hakmarrje, nder dhe gjakmarrje, ndërsa në 6-mujorin e parë të vitit 2012 janë bërë 67 vrasje, po për këto motive. Gjatë muajve qershor – gusht të këtij viti mendohet se janë kryer mbi 150 vrasje, shumica për hakmarrje apo gjakmarrje.1 Veç këtyre, në vitin 2011 ishin 1640 familje të ngujuara e të fshehura për shkak të gjakmarrjes, ndërsa në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2012 ishin 1309 familje. Nga këto, 230 janë detyruar për t’u larguar nga Shqipëria gjatë këtyre kohëve. Kjo situatë flet shumë.
Është e dhimbshme dhe tragjike që në një shoqëri dhe një shtet demokratik dëgjojmë shpesh për vrasje të qytetarëve për motive gjakmarrjeje ose hakmarrjeje, sepse kjo gjendje është e papranueshme për një shoqëri demokratike që duhet t’i ndëshkojë rëndë me gjithë forcën e ligjit këto akte me origjinë feudale.
Standardet kushtetuese e demokratike të legjislacionit të vendit tonë nuk e njohin kanunin, i cili ka pasur fuqi kur nuk ka pasur ligje. Në atë kohë ai ka pasur rolin e tij, kurse sot kemi shtet të së drejtës, prandaj Kanuni nuk mund t’i përgjigjet kohës sonë. Duke qenë kështu, lufta kundër vrasjes për gjak apo për hakmarrje duhet njohur e vlerësuar, bazuar në mentalitetin e ri të kohës, që është krejtësisht i ndryshëm nga ai që e ushqen gjakmarrjen apo që hesht përpara kësaj dukurie.
2. Një vështrim i shkurtër historik
Krimi i vrasjes për gjakmarrje historikisht ka paraqitur rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Me vrasje për gjakmarrje, sipas legjislacionit penal, kuptojmë atë vepër që kryhet për të marrë gjakun e një njeriu të vrarë ose të plagosur më parë. Pra, ajo është përgjigje ndaj një vrasjeje ose plagosje të mëparshme.
Rrezikshmëria e madhe shoqërore e kësaj vepre penale në vendin tonë historikisht është njohur, është vlerësuar në mënyrë serioze dhe janë marrë masa komplekse për parandalimin e saj, duke u mobilizuar për këtë të gjithë faktorët qeverisës. Që në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare, pa u çliruar i gjithë vendi nga okupatori, Partia Komuniste porosiste se “në tokat e çliruara, këshillat nacionalë-çlirimtarë duhet të luftojnë kriminalitetin, veçanërisht duhet të pajtojnë gjaqet që janë në vendin tonë”.
Në rregulloren e këshillave nacionalë-çlirimtarë që në vitin 1943 porositej që “Këshillat nacionalë-çlirimtarë duhet të luftojnë me energji vrasjet për hakmarrje, duke i shpjeguar popullit se një frymë e tillë i shërben okupatorit dhe është në dëm të popullit”. Më poshtë vazhdohej se “kush vret për hakmarrje është përgjegjës para gjyqit ushtarak të brigadës”.
Mjaft domethënës ka qenë qëndrimi i Këshillit Nacional Çlirimtar të Kurveleshit, që vendoste: “…Të gjitha gjaqet e hakmarrjet pushojnë gjersa të jemi në luftë me okupatorin”.
Edhe Gjykata e Lartë, pas çlirimit të vendit në një udhëzim të saj të vitit 1947, shprehej se “hakmarrja është një zakon i një shoqërie të prapambetur, i papajtueshëm me organizimin shoqëror të sotëm që synon vëllazërimin e popullit me anë të bashkëpunimit të të gjithë anëtarëve të shoqërisë”.
* * *
3. Gjakmarrja sot
Sipas nenit 78, paragrafi i dytë, të Kodit Penal, “vrasja e kryer për interes, hakmarrje a gjakmarrje, është një nga veprat penale kundër jetës së personit që dënohet jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm”. Për këto arsye, ky krim kaq i rëndë duhet ndëshkuar pa hezitim nga shteti, nga ligji, nga shoqëria. Në këtë aspekt, mendojmë se për organet përkatëse të shtetit, duke filluar nga policia dhe për organet e tjera të specializuara, detyra e tyre kryesore duhet të jetë të parandalojnë krimet në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë të garantojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve, të ndalojnë vrasësit e t’i vendosin ata përpara drejtësisë.
Lufta kundër këtij fenomeni duhet të jetë çdo ditë në vëmendje të organeve të hetimit, të prokurorisë, e sidomos të gjykatave të të gjitha shkallëve që ballafaqohen shpesh me ata që janë aktorë e vrasës.
Jeta e rrezikuar e çdo qytetari është shumë e rëndësishme, më e rëndësishme se çdo gjë, prandaj rikthimi i gjakmarrjes duket si sfidë e hapur ndaj shoqërisë, ndaj mosfunksionimit si duhet të shtetit të së drejtës, si mungesë e edukatës dhe e kulturës ligjore, si tregues i shkallës së varfërisë, krizës së besimit dhe i tranzicionit të gjatë dhe të vështirë që po kalojmë. Për këtë gjendje, të gjithë duhet të mbajmë përgjegjësi konkrete, pasi askush nuk ka të drejtë që zgjidhjen e vështirësive sociale të tranzicionit ta kërkojë në praktikat e të kaluarës së largët dhe në rrugë primitive e joligjore.
Në vendin tonë, heqja e dënimit me vdekje nuk u bë thjesht për të plotësuar një kërkesë të Këshillit të Europës, por për të shprehur respektin tonë ndaj vlerave të jetës, të cilat qëndrojnë në themel të shoqërive demokratike europiane, ku ne përpiqemi të bëhemi pjesë juridikisht dhe ekonomikisht. Sipas nenit 21 të Kushtetutës, “jeta e personit mbrohet me ligj”. Kjo dispozitë shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjen e jetës njerëzore, e cila, sipas saj, përbën një vlerë kushtetuese, si burimi nga i cili rrjedhin të gjitha të drejtat e tjera themelore absolute.
Këto të drejta, sipas nenit 15 të Kushtetutës, janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik, prandaj është detyrimi parësor dhe kushtetues i shtetit, nëpërmjet organeve të tij, që t’i respektojë dhe t’i mbrojë këto të drejta. Duke qenë kështu, vlera më superiore për shtetin është jeta e njeriut, gjë që del edhe nga përmbajtja e Preambulës së Kushtetutës.
Përvoja tregon se funksionimin normal të institucioneve që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë e kanë dëmtuar ngarkesat politike, korrupsioni e paaftësia për përmbushjen e detyrës.
Edhe për këto arsye, qytetarët presin prej shtetit më shumë preokupim, më shumë transparencë, përzgjedhje më të mirë të titullarëve të bazuar në meritat dhe aftësitë e tyre, vëmendje më të madhe ndaj rretheve periferike, sidomos rritje e shkallës së reagimit të policisë dhe organeve të drejtësisë ndaj krimit.
4. Faktorët e tjerë qeverisës kundër gjakmarrjes
Kushtetuta shqiptare, në kapitullin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, i referohet kryesisht Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që në tërësinë e saj nuk e pranon, por e ndalon dënimin me vdekje për shtetet anëtare të saj, prandaj për këto arsye, as ato kufizime të të drejtave të njeriut për të cilat bën fjalë neni 17 i Kushtetutës nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të drejtave, e në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane. Jo vetëm kaq, por vendi ynë ka nënshkruar dhe ratifikuar nenin 1 të Protokollit nr. 6, sipas të cilit: “Dënimi me vdekje hiqet. Askush nuk mund të ndëshkohet me një dënim të tillë, as të ekzekutohet”.
Pas heqjes së dënimit me vdekje duket sikur u krijuan mundësi të reja për t’u ringjallur plaga e vjetër e vrasjes për gjakmarrje, vepër penale që duket sikur “lulëzoi” prapë, sidomos në zonat veriore, kryesisht rurale të vendit, ndonëse legjislacioni penal ndaj saj është i ashpër.
Dënimi për vrasjen për hakmarrje a gjakmarrje është jo më pak se njëzet vjet ose burgim i përjetshëm, ashtu si për pak vepra që janë konsideruar me rrezikshmëri të theksuar shoqërore.
Në aplikim të kësaj dispozite, gjykatat që kanë gjykuar çështje të tilla duket se jo kurdoherë kanë qenë konsekuente në aplikimin e dënimit për çdo person që kanë deklaruar fajtor, sepse herë-herë fajtorët kanë përfituar nga benefitet procedurale penale mbi gjykimin e shkurtuar, e i kanë shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm, e mjaft herë të tjera, duke vlerësuar jo drejtë rrethana të caktuara si rrethana lehtësuese, kanë aplikuar dënime minimale, që me të vërtetë janë pritur me reagime negative nga opinioni publik.
Sikur të mos mjaftonin këto, në praktikë janë vënë re edhe raste kur të dënuar për vepra të tilla, kanë përfituar duke u liruar para kohe me kusht apo duke u falur për një pjesë të dënimit me heqje të lirisë etj.
* * *
Një vlerësim pozitiv meriton qëndrimi i Kuvendit të Shqipërisë, që në funksion të parandalimit të kësaj plage ka miratuar ligjin nr. 9389, datë 04.05.2005.
Siç pranohet që në nenin 1 të këtij ligji, ai ka për qëllim të organizojë dhe të koordinojë më mirë masat dhe luftën e organeve shtetërore, institucioneve të tjera shoqërore, shkencore, fetare etj., si edhe të përcaktojë një strategji afatgjatë për parandalimin dhe eliminimin e fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri.
Sipas ligjit, për të siguruar rezultate pozitive, është konsideruar si domosdoshmëri krijimi i një organizmi që kryesohet nga kryetari i shtetit, nga Presidenti i Republikës e me anëtarë edhe mjaft personalitete nga Ekzekutivi, ministra e më gjerë. Sipas nenit 2 të këtij ligji, krijohet një Këshill Koordinues nën drejtimin e Presidentit të Republikës, me pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit, ministrit të Rendit Publik, ministrit të Drejtësisë, ministrit të Arsimit dhe Shkencës, ministrit të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, prokurorit të Përgjithshëm, zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit. Në mbledhjen e Këshillit Koordinues ftohen të marrin pjesë përfaqësues të organizatave jofitimprurëse në fushën e të drejtave të njeriut dhe të besimit.
Më e rëndësishme sipas ligjit është ajo që ka të bëjë me kompetencat e këtij organizmi e më funksionet e tij që janë shumë të rëndësishme sa që harton strategjitë për eliminimin e kësaj plage dhe, nëpërmjet të tjerash, u kërkon llogari mjaft organeve që për shkak të veprimtarisë që kryejnë, lidhen me këtë problem.
Jo pa kuptim është parashikuar se ky Këshill Koordinues:
a) Harton strategjinë kombëtare për luftën kundër gjakmarrjes në planin ekonomik, social, legjislativ etj. dhe përcakton detyrat dhe masat konkrete për organet ekzekutive e ato të pushtetit vendor;
b) Nxit koordinimin dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave jofitimprurëse për organizimin e luftës kundër fenomenit të gjakmarrjes;
c) Thërret në raport një herë në tre muaj organet e përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë në luftën kundër fenomenit të gjakmarrjes dhe u cakton atyre detyra konkrete, sipas fushës së veprimtarisë që kryejnë;
d) U sugjeron organeve përkatëse, të ngarkuara me detyra sipas këtij ligji, nxjerrjen e përgjegjësisë dhe marrjen e masave për strukturat dhe personat përgjegjës të ngarkuar për t’i kryer ato.
Për të përmbushur këto funksione shumë të rëndësishme, ky Këshill urdhëron evidentimin e studimit për këtë plagë të shoqërisë shqiptare, si dhe evidenton përgatitjen e nismave ligjore që mund të çmojë si të dobishme në funksion të parandalimit të saj. Shumë e rëndësishme është se, Këshilli Koordinues përcakton platformën dhe mënyrën e organizimit dhe të koordinimit të veprimtarisë me organet e qeverisjes vendore.
Këto zgjidhje ligjore kanë fuqi juridike detyruese edhe për Këshillin e Ministrave, i cili është i detyruar të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 4, 5 e 6 të këtij ligji.
Si është zbatuar ky ligj?
Duke mos pasur informacionin e nevojshëm për këtë problem të rëndësishëm, me përpjekjet e mia personale sigurova dy informacione konfidenciale.
Sipas njërit prej tyre, që mund të konsiderohet edhe zyrtar, pasi është bërë në një audiencë publike, ky institucion nuk ka funksionuar e, për rrjedhojë, nuk është mbledhur asnjëherë.
Sipas një burimi tjetër të brendshëm, por institucional nga Presidenca, ky organ, ndonëse ka funksionuar dobët, është mbledhur dy herë nga ish-presidenti Moisiu dhe dy herë të tjera nga ish-presidenti Topi, por nuk ka marrë vendime e as nuk ka përcaktuar plane masash, e aq më tepër strategji për këtë problem.
Pra, qoftë edhe sipas kësaj pikëpamjeje, duket se ky organizëm nuk ka funksionuar e as nuk ka dhënë ndonjë ndikim pozitiv për këtë problem mjaft të rëndësishëm.
Kontributi i organeve të tjera
Çfarëdo që mund të bënin organet që përmendëm, asgjë nuk do të mjaftonte përpara këtij fenomeni vrastar në qoftë se këtë punë nuk do ta udhëhiqnin anëtarët e Parlamentit, të cilët nga foltorja e tyre harxhojnë shumë kohë edhe për probleme shumë më pak të rëndësishme se ky që diskutojmë, por që nuk kanë pasur prononcime të tyre për këtë plagë e që nuk kanë marrë mundimin për të shkuar e për të shkelur në zonat problematike, për të ngritur komunitetin kundër mentalitetit kanunor. Kuvendi në veprimtarinë e tij duket se nuk i ka kushtuar shumë vëmendje luftës kundër kriminalitetit, e aq më tepër krimit të vrasjes për këto shkaqe. Ky organ nuk ka bërë objekt diskutimesh e debatesh as punën e organeve të specializuara për implementimin e ligjit të miratuar prej tij për këtë qëllim, ai nuk ka pasur seanca pyetjesh apo interpelancash për këtë problem. I njëjti qëndrim vihet re në veprimtarinë e grupeve parlamentare e të partive të tyre politike, të cilat në programet e tyre politike dhe gjatë veprimtarisë së përditshme kanë qëndruar mjaft rrallë te ky problem. Më konkretisht do të propozoja që:
Nisur nga fakti që gjakmarrja dhe ngujimi e kanë burimin e tyre te një mentalitet shumë primitiv që nuk duhet të gjejë kushte për t’u zhvilluar në një shtet të së drejtës; nga fakti se kryerja e këtij krimi sjell pasoja shumë të rënda si për qytetarët, por edhe për shoqërinë në tërësi, Kuvendi i Shqipërisë mund të organizonte një aktivitet në shkallë kombëtare kundër kësaj plage.
Ky preokupim mund të vihet në qendër të vëmendjes së Këshillit të Ministrave për të harxhuar më shumë kohë për këto zona, për të shpalosur alternativat e veta si maxhorancë parlamentare në luftën kundër këtij fenomeni e për të kërkuar edhe bashkërendimin e një strategjie që t’i shërbejë këtij qëllimi.
Avokati i Popullit është i vetmi institucion që ka parashtruar probleme rreth këtij fenomeni vrastar, që mbron shtetasit nga veprimet e padrejta të administratës shtetërore, por që jo për faj të tij, nuk është në gjendje i vetëm t’u mbrojë jetën nga gjakmarrja, t’u sigurojë lirinë e lëvizjes etj., prandaj ndikimi pozitiv i këtij organi ka shumë rëndësi ka mbetur i vetmuar.
Së fundi, ia vlen të theksojmë se kemi folur e flasim çdo ditë për integrimin euroatlantik të vendit, gjë që nuk është slogan politik, por ëndërr e përbashkët dhe qëllimi ynë final, por për ta arritur këtë, të gjithë duhet të kuptojmë se parakusht i integrimit me jashtë, pra atij euroatlantik, është integrimi nga brenda i shoqërisë shqiptare, pra forcimi i kohezionit social të shoqërisë, sepse pa zhdukur nga lajmet e kronikës së zezë fjalët “gjak” dhe “hakmarrje sipas Kanunit”, vështirë që ky kohezion dhe integrim të arrihet.
5. Disa mendime rreth legjislacionit
Në një situatë të tillë, kur ndodhemi përpara përhapjes së këtij fenomeni, bazuar në parimet kushtetuese dhe ligjore që lejojnë kufizime të veçanta të të drejtave të njeriut sipas pikës 2 të nenit 17 të Kushtetutës, mendojmë se mund të ndërmerret nisma ligjore që:
1 – Të përcaktohet me ligj në një dispozitë të Kodit të Procedurës Penale, që të dënuarit për këtë vepër penale, bazuar në nenin 17 të Kushtetutës, nuk duhet të përfitojnë të drejtën për gjykim të shkurtuar, nuk duhet të përfitojnë nga e drejta e faljes dhe as e lirimit para kohe me kusht.
2 – Në Kodin Penal vepra penale e vrasjes për gjakmarrje të parashikohet në një dispozitë ose në një paragraf më vete për të nënkuptuar faktin se ajo paraqet rrezikshmëri shoqërore të theksuar, e se për këtë arsye veçohet nga veprat për të cilat nuk duhen vendosur kufizimet e lartpërmendura.
3 – Së fundi, për veprat penale të parashikuara nga neni 83/a, kanosja serioze për gjakmarrje apo hakmarrje, si dhe për veprën penale të nxitjes për hakmarrje a gjakmarrje, e parashikuar nga neni 83/b, të ashpërsohet dënimi me heqje të lirisë.
Përse duhet bërë kjo? Në zonat ku gjendet kjo vepër, që shumë e kanë quajtur plagë, jeton një popullsi, që ndonëse ka vlera të jashtëzakonshme, në të vërtetë ajo është shumë e ndjeshme, shumë e tronditur përsa i përket si kanosjes për vrasje për gjakmarrje, ashtu edhe nxitjes për këtë vepër penale. Kjo popullsi e vlerëson në mënyrë maksimale, por të gabuar, kanosjen apo nxitjen për këtë problem, sa shpesh ajo së bashku me sedrën “e sëmurë”, i çon në kryerjen e një krimi të tillë makabër.
*Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Zv.rektor i universitetit “Illyria”, Tiranë












