Si e kishim harruar ushqyerjen për gratë shtatëzëna (prej vërteti)?!
Keni qenë ndopak shtatzënë këtë javë? Nëse jo, me siguri që e keni imagjinuar qoftë edhe për një çast veten (e kam fjalën për ato femra që nuk e kanë provuar këtë ndjesi më parë), nëse po, atëherë do ju jetë dashur gjatë pak ditëve të shkuara ndonjë këshillë a recetë për të ‘mbledhur stomakun”. Ju mund ta keni zgjidhur edhe me pak bukë të thekur me djathë, por ta dini se ekzistojnë këshilla pa fund për këta 9 muaj. Madje, për të qenë të sigurt, për çdo rast duhet të konsultoheni me doktorin. Paraprakisht (të jemi seriozë, jo për ata fantaziozët), po ju themi se çfarë duhet të keni kujdes gjatë shtatzënisë sa i përket ushqimit. Cilat ushqime duhet të eliminoni dhe cila është mënyra korrekte e të ushqyerit? Sepse, pavarësisht lajmit të bujshëm në media rreth fenomenit Griselda, kemi parë e dëgjuar gjithë këta muaj që shtati i grave po ‘zihet’ gjithnjë e më shumë. Po të mendoni edhe që keni temperaturat e nxehta përpara (nëse jemi me fat), ushqyerja duhet të jetë një argument i rëndësishëm për ju. Prandaj, po ju këshillojmë si të evitoni të vjellat dhe cilat janë ushqimet që mund t’jua shkaktojnë.
Si të ushqeheni?
Mënyra korrekte e ushqyerjes gjatë shtatzënisë varet nga gjendja fiziologjike apo patologjike specifike e secilës grua. Për shembull, gratë anemike. Me diabet apo të predispozuara për diabet, alergjike apo thjesht vegjetariane, duhet të ndjekin një regjim ushqyerjeje të ndryshëm mes tyre, por gjithnjë efikas në garantimin e një gjendjeje të mirë shëndetësore qoftë të mamasë, qoftë të bebit. Është mirë që të konsumohen vakte të vogla e të shpeshta, duke evituar kohën e gjatë pa marrë ushqim. Hani ngadalë, duke evituar ajrin që ju jep ndjesinë e fryrjes dhe ushqimet me shumë kalori konsumojini në pjesën e parë të ditës.
Çfarë është mirë të hani?
Sheqernat komplekse: buka (më mirë integrale), makaronat, orizi, drithërat, bishtajoret: absorbimi i tyre është më i ngadaltë, por janë të pasura në fibra dhe kanë një përqindje proteinike. Është mirë të eliminoni sheqernat e thjeshtë (sheqerin, të ëmblat, lëngjet me sheqer).
Proteinat: me vlerë; mishi( zgjidhni të bardhin), peshku (sidomos peshqit e vegjël), vezët, sojën, qumështin e skremuar.
Yndyrnat: konsumoni vajin e ullirit, kufizoni konsumin e gjalpit dhe margarinës, hiqni gjithmonë yndyrën e dukshme në ushqime.
Vitamina dhe minerale: të gjitha frutat; më mirë ato të freskëtat e stinës të pasura me vitaminë C; konsumoni çdo ditë perime dhe djathërat me pak yndyrë (burim hekuri).
Çfarë të eliminoni?
Pijet alkoolike. Pijet me përqindje kafeine apo ato me çokollatë. Sallamet e yndyrshëm, mishrat e pagatuar, molusqet, ushqimet në temperaturë shumë të lartë ose shumë të ulët, ushqimet pikante.
Sugjerime për të evituar të vjellat
Në mëngjes hani ushqime krokante, si për shembull bukë të thekur dhe evitoni ushqimet e pasura me ujë. Kjo këshillë e vogël do t’ik ndihmojë të kapërceni krizat e mëngjesit dhe të keni një vazhdimësi të mirë të ditës.
Si ta kombinojmë ushqimin me verën?
Vera e kuqe me mishin, e bardha me peshkun. Ky është rregulli bazë në gojën e të gjithëve ose më mirë, në gotën e të gjithëve. Por a është një dogmë? Po, për t’u kontestuar madje, sipas orientimeve të somelierëve, të cilëve nuk ju mungojnë idetë për kombinime dhe eksperimentime. Jo rastësisht ama! “Për të vlerësuar maksimalisht kënaqësinë në tryezë, vera ka për detyrë t’u vijë pas ndjesive të ushqimit. Është i mundur realizimi i një harmonie perfekte të qiellzës. Duke ndjekur disa këshilla të thjeshta, mund t’ia arrini.
Për kundërpeshë – kërkohet te vera, karakteristika e kundërt e ndjesisë që të jep ushqimi. Për shembull, në rastin e mishit, këshillohet verë e kuqe, e pasur me taninë, substanca që kanë tendencën të thajnë lëngjet në gojë. Një ushqim i pasur me yndyrna mund të rrijë fare mirë me një verë të athët.
Për akordim– kërkohen te vera, ndjesi të ngjashme me ato të pranishmet në ushqim. Shembulli klasik është ai i shoqërimit të ëmbëlsirës me një verë të ëmbël. Një shampanjë e thatë do rezultonte jo fort harmonike me një pjatë të pasur me sheqerna, duke e bërë kështu shoqëruesen të duket pak elegante.
Produkte territoriale– të bësh lidhjen e një vere të prodhuar në të njëjtin territor me ushqimin është një normë e këshillueshme. Bëhet fjalë për produkte të bazuara në traditë dhe të trashëguara në gjenerata. Për shembull, cili do ta refuzonte një biftek fiorentin me një “Chianti”?
Produkte stinore– alternimi i stinëve shpesh respektohet me intuitë. Një “Barolo” për shembull, kërkon pjata dimërore, ndërsa një verë e bardhë e freskët përshtatet më mirë me një darkë verore.
Darka pa verë– për disa ushqime, shoqëruesi i pjatës nuk është i këshillueshëm. Të shoqërosh një pjatë me karçiof të gjallë, të pasur me taninë, me një verë të kuqe, do të thotë ta theksosh dyfish këtë karakteristikë, duke rrezikuar që të të “lidhet gjuha”.
Pjatat që përmbajnë salcë me bazë uthulle balsamike ose limoni nuk para bashkëpunojnë me verën. Vlen edhe për sardelet e marinuara, pas të cilave, konsumimi i verës do i hiqte vlerat shijes. Provojini!
Receta e shurupit të trëndëfilit

Meqë petalet e trëndafilit janë në stinën e tyre, Brunhilda Çela na ka dërguar këtë shurup natyral trëndafili.
Përgatitja:
Ujin e ziejmë dhe tresim sheqerin në të.
Petalet e trëndafilit i vëmë në një vazo. Hedhim aty shurupin, limontozin edhe limonin e prerë në feta. E lëmë rreth 5-6 ditë ashtu në një vend të ftohtë.
Pastaj e filtrojmë dhe e hedhim nëpër shishe, të cilat i kemi sterilizuar më parë dhe janë tharë mirë. Mirë është që shishet kur të mbushen të jenë të nxehta (futini pak në furrë). Kjo metodë bën që shurupi të rrojë me vite.
Mbajeni në një vend të ftohtë. Nëse e doni për përdorim të shpejtë mund ta bëni edhe me mënyrë tjetër. Vini trëndafilat në një vazo qelqi me limontozin. Për një kg ujë, një lugë limontoz. Dhe për të bërë shurupin për një l ujë, duhet 1 kg sheqer.
Trëndafilat i lini në ujin me limontoz nja 5-6 ditë dhe i kulloni. I përzieni me sheqerin, sa të tretet plotësisht sheqeri dhe e hidhni nëpër shishe. E mbani në frigorifer.
Përbërësit
1 litër ujë
1 kg sheqer
10-15 trëndafila, vetëm petalet e trëndafilave aromatikë
1 lugë gjelle limontoz
1 limon bio
E ngrëna ju jep kënaqësi apo ju bën me ankth?
Ndërkohë që shumë njerëz e kanë problem për të rënë nga pesha apo për të mbajtur dietë, veçanërisht nëse dieta zgjatet deri në disa muaj apo vite, disa individë me anoreksi e çojnë veten deri në vdekje duke mbajtur një dietë të fortë.
Një studim i ri hedh dritë mbi disa simptoma, të cilat çojnë në anoreksi nervoze.
Një nga simptomat më të çuditshme të anoreksisë nervoze është çrregullimi që tenton të ndodhë tek gratë e reja, refuzimi për të mos ngrënë, duke rezultuar në humbje peshe të skajshme. Disa njerëz të ngrënën e kanë për kënaqësi dhe një eksperiencë shpërblyese. Në kontrast, njerëzit me anoreksi nervoze shpesh thonë që e ngrëna i bën ata më me ankth dhe refuzimi i ushqimit i bën të ndihen shumë më mirë. Studimet që janë bërë më së fundmi kanë depërtuar në mekanizmat e trurit, të cilët janë të lidhur me aspektet e të ngrënit.
Një nga lëndët kimike të trurit është dopamina, që çlirohet kur njerëzit apo kafshët hanë ushqime të shijshme.
Në një studim të bërë në Universitetin e Kalifornisë, janë përdorur imazhet e trurit, të quajtura tomografia e emisioneve të pozitronit, e cila shfaq pamjen e funksionit të dopaminës në tru. Për të provokuar nivelet e dopaminës në tru, shkencëtarët kanë drejtuar një dozë amfetamine në një njësi të caktuar kohore.
Në gratë e shëndetshme pa çrregullime në të ngrënë, amfetamina e nxitur për të çliruar dopaminë ishte e lidhur me ndjesitë e kënaqësisë në një pjesë të trurit. Kurse tek njerëzit që kanë anoreksi nervoze, amfetamina i bënte të kishin ndjesi ankthi dhe ajo pjesë e trurit që u aktivizua ishte pjesa që shqetësohet për pasojat.
Ky është studimi i parë që demonstrohet nga një arsye biologjike, që përse individë të ndryshëm me anoreksi nervoze kanë reagime paradoksale ndaj ushqimit.
Është e pamundur që personat e tillë të hanë, dhe në të njëjtën kohë të ndiejnë kënaqësi në të ngrënë. Lidhja qëndron tek çlirimi i neurotransmetuesit dopaminë që i bën ata anksiozë, në vend që të kenë ndjesinë e kënaqësisë.
Është e kuptueshme, që përse disa persona me anoreksi nervoze e kanë shumë të vështirë të hanë dhe të shtojnë në peshë, sepse ushqimi prodhon ndjesi të parehatshme të ankthit. ir.bu
[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!











