Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Jul 17, 2011 | 12:32

Vapa, ushqimi, birra & CO

Si keni qenë me urinë këtë javë? Jam e sigurt që askujt nuk i ka shkuar ndërmend të qëndrojë mbi tenxhere për të përgatitur ndonjë recetë të gjatë e me mund. Në fund, do mbijetonte o ai, o pjata. Sa për vete, djathin dhe domatet e ftohta i kam pasur shokët më të afërt të kësaj jave që sapo lamë pas. Kanë dashur e kanë thënë që sot temperaturat do të ulen pakëz, po le të shpresojmë. Pa dashur të prishim edhe planet e zhytjeve në det, një freskim të lehtë do ta pranonim me kënaqësi. Por, le të kthehemi te ushqimet e këtyre ditëve të nxehta, se tek e fundit vapës nuk kemi çfarë t’i bëjmë, do bëj të sajën. Puna është si ta ndiejmë sa më pak duke bërë gjërat e duhura. Duke ngrënë ushqimin e përshtatshëm, të lehtë për t’u gatuar dhe që, mos harroni, nuk duhet ta rruani gjatë në frigorifer për ta konsumuar ditën tjetër. Asnjëherë nuk i dihet, as për ne, jo më për ushqimin. Kujdes duhet të bëni gjithashtu me midhjet, nëse helmoheni prej tyre, do t’ju duhet shumë kohë që të vini sërish në vete. Është ushqimi me efektet më negative në këtë pikëpamje. Qoftë edhe nëse dyshoni te aroma e tyre, mos u luhatni, lërini në pjatë. Qëndroni te sallatat e ftohta, por të përgatitura në çast (asgjë nuk bëhet edhe sikur t’i shoqëroni me ndonjë birrë, kështu edhe uria do të tërhiqet, vetëm mos merrni për kot). Disa prej tyre ne do t’jua propozojmë më poshtë, por gjithsesi, me pak intuitë, duhet të kuptoni se cilat janë në këtë kohë ushqimet për t’u shmangur. Përfitoni për të humbur edhe atë 2-3 kilëshin për të cilin luftuat aq shumë gjatë majit! Hajt me të lehtë!

Birra
Birra është pija alkoolike më e vjetër dhe më e njohur në botë. Shiten më shumë se 133 miliardë litra birrë në vit. Prodhohet nga tharmëtimi i lëndëve me bazë niseshtenë, zakonisht përdoret elbi, megjithëse përdoren edhe rrënjët e kasavës (manihot esculenta) në Afrikë, patatja në Brazil dhe agava (lloj kaktusi) në Meksikë.
Vetëm pijet e prodhuara në këtë mënyre konsiderohen birra të mirëfillta. Për shkak të përbërësve dhe ecurive të përdorura nga prodhuesit e birrës, birra mund të ndryshojë vetitë e saj në shije dhe ngjyrë.
Nuk dihet me saktësi se kur u zbulua birra. Në vitin 1926, në një muze të Londrës ruheshin dy pllaka të lashta, që fillimisht konsideroheshin se ishin shkruar 9 000 vjet më parë. Arkeologu Huber mbështeste teorinë se në këto pllaka përshkruhej mënyra e bluarjes së drithit emmer (Triticum dicoccon) dhe se ishte prova më e lashtë e prodhimit të birrës. Por, më vonë, hetimet e kryera nga shkencëtarë të tjerë provuan se këto pllaka nuk ishin aq të vjetra sa i mbështeste Huberi.
Sot, provat më të lashta për ekzistencën e birrës mendohet të jenë rreth 6 000 vjet dhe përshkruhen nga sumerët, të cilët kishin një qytetërim mjaft të lashtë. Sumerët (banorët e Shumer-it, në gjuhën egjiptiane Sangar, në Bibël Shinar, nga vendasit ki-en-gir, nga ki = tokë, en = zot/ëri, gir = i ditur, i qytetëruar, d.m.th. “toka e zotërinjve të qytetëruar”) janë populli i parë në botë që mund të cilësohet “i qytetëruar”, me gjuhën, fenë, kulturën dhe shkrimin e tyre në formë kunji. Ky lloj shkrimi duket t’i ketë paraprirë çdo lloj forme tjetër shkrimi, si dhe mendohet të jetë të paktën 5 500-vjeçar. Po ashtu, feja dhe kultura e sumerëve ndikoi shumë te popujt fqinj, amoritanë dhe babilonas. Sumerët banonin në pjesën jugore të Mesopotamisë (sot Iraku i Juglindjes), rreth viteve 4 000 p.K
Sumerët e zbuluan rastësisht procesin e fermentimit, ndoshta nga një copë bukë që u lag dhe u harrua. Pas pak kohe, ajo filloi të fermentohet me ndihmën e disa baktereve të ajrit, duke u kthyer në një masë alkoolike. Sumerët ishim mjaft të zgjuar. Ata e kuptuan këtë proces dhe e kopjuan, duke u bërë kështu populli i parë në botë që prodhoi birrën, si ofertë për perënditë e tyre.
Në përbërje të birrës
Përbërësit e birrës janë; 1. Uji, të cilin siç e dimë është përbërësi me sasinë më të madhe në bimë. 2. Majaja e birrës, e cila përmban mikroorganizma që shpërbëjnë sheqerin e maltës (lloje substance e marrë nga elbi). 3. Lupo, është një bimë barishtore 1-vjeçare, nga e cila përftohet një lëndë e hidhur që quhet lupuline si dhe vajrat etilik. 4. Malta është një lloj substance e cila merret nga elbi.

Receta e makaronave e orizit sallatë

Përveç bazës që janë makaronat ose orizi i zierë më parë, i shpëlarë me ujë të ftohtë dhe i lënë në një enë me pak vaj ulliri, sallata ka edhe përbërësit e tjerë.  Mund t’i shtoni çfarë të përmbajë frigoriferi, duke nisur që nga perimet e deri te ndonjë copëz pulë që mund t’iu ketë mbetur qysh nga dreka e mëparshme. Një nga recetat klasike mund të jetë me domate të vogla apo të mëdha të prerë në kubikë, ullinj të prerë, djathë të bardhë dhe borzilok të freskët. Nëse keni, mund të shtoni speca të kuq të prerë në copa të vogla ose kastravec turshi. Sallatrat mund të kenë përbërje mishi ose peshku, pra përveç perimeve, mund t’i shtoni karkaleca, peshk ton, pulë, salsiçe të prera hollë, pra si ta keni më mirë.

 

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

© Panorama.al

Te lidhura