Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Jul 10, 2011 | 11:38

Po princi me princeshën si gatuajnë?

Kushedi se sa të zotët janë në të gatuar të sapomartuarit William dhe Kate. Jo se po u qajmë hallin, se si të jenë, si të mos jenë, i bëjnë derman vetes, po meqë i pamë në këto foto, na lindi ashtu kot një pyetje. Gjithsesi, të zotët ose jo, kanë tentuar të gatuajnë përpara pak ditësh në Montreal në turin e 9 ditëve në Kanada. Siç edhe i shihni, kanë marrë pamjen e kuzhinierëve të vërtetë, duke veshur uniformat e kuzhinës, natyrisht duke mos e tepruar edhe me kapelën e kuzhinierëve. Tek e fundit, kryeve të tyre do t’i shkonte e shumta një kurorë. Është bërë në këtë kuzhinë një lojë e vërtetë mes kuzhinierëve dhe të ftuarve. Ndër përgatitjet me bazë çokollate janë argëtuar edhe duke imituar lëvizjet e shefave të vërtetë, të zotëve të shtëpisë, duke improvizuar madje edhe ndonjë batutë në frëngjisht. Në fund, sipas komenteve në revistat e huaja, nuk është që rezultati kishte qenë për t’u marrë në konsideratë, por mundimi ishte inkurajuar sidoqoftë. Kjo nuk është një ngjarje që ndodh përditë, prandaj e veçuam për t’jua treguar, tek e fundit, vetëm pak kohë më parë mediat e gjithë botës bërtitën fortë për dasmën e tyre. Po nejse, edhe në mos ju interesoftë, e doni të mbërrini menjëherë te pjata që po prisnit nga “Panorama” që t’ju siguronte menynë e drekës, e keni menjëherë më poshtë. Këtë herë, të jeni të sigurt që përveç kënaqësisë që do t’i jepni qiellzës, edhe stomaku do t’jua dijë për nder, sepse do të ndihet i lehtë si pendë. E themi këtë, sepse dy prej recetave me bazë peshku janë të “vjedhura” nga qendra dietike “Siluet”.

Fruta deti me domate të vogla dhe cous-cous

Përbërësit:
karkaleca të paqëruar
kallamar,
sepje
cous cous

Përgatitja:
Përgatisim frutat e detit që të jenë gati për t’u gatuar. Grijmë pak qepë dhe e skuqim. Shtojmë frutat e detit dhe i skuqim me qepën. Pasi të jenë skuqur, u shtojmë domatet e vogla dhe i lëmë të ziejnë. Nga ana tjetër përgatisim cous-cous-in. Vlojmë ujin, të cilit i kemi shtuar 1 lugë vaj dhe pak kripë. Shtojmë cous-cous-in dhe e lëmë të ziejë, derisa të thahet uji dhe cous-cous-i të jetë i shkriftuar. Vendosim cous-cous-in në pjatë dhe i shtojmë sipër frutat e detit me domate.

 

Qofte merluci me pure patate

Përbërësit:
fileto merluci
bukë e grirë
salcë domate
patate

Përgatitja:
Grijmë fileton e merlucit për qofte, i shtojmë 1 lugë bukë të grirë, erëza dhe një kokërr vezë. Përziejmë brumin e përgatitur dhe e ndajmë në topa të vogla në formë qofteje.
Përgatisim veçmas salcën e domateve dhe purenë e patateve. Skuqim qoftet me pak vaj, pastaj i shtojmë në salcën e zier dhe i lëmë pak minuta në zjarr. Qoftet me salcën i shtrojmë mbi purenë e patateve të vendosura në pjatë.

 

Vetitë e Manit

Vetitë e Manit
(Sa herë i keni shpërfillur përtokë duke shëtitur në këmbë?)

Fryti i manit e ka prejardhjen nga Kina, atje mund të gjenden disa lloje të ndryshme, si për shembull man i zi, i kuq, i bardhë. Pema e manit është përdorur kryesisht për rritjen e krimbave të mëndafshit, që konsumojnë gjethet e manit si burim kryesor i ushqimit. Siç mund ta dini, Kina është një nga vendet prodhuese më të mëdha të mëndafshit në botë.
Fryti i manit përmban sasi të ulët të kolesterolit, të yndyrnave  dhe natriumit, ndërsa është mjaft e pasur me vitaminë C, vitaminë K, magnez, kalium dhe hekur. Mani ndihmon në ruajtjen e shëndetit të mirë dhe në humbje të peshës, prandaj, ata që kërkojnë për të shtuar në peshë, janë këshilluar të mos konsumojnë mana. Manat janë gjithashtu një burim i pasur i resveratrolit, e cila është një kompleks me veti anti-kancerore.
Përmbajnë shumë anthocyanins, e cila shërben kundër sëmundjeve kardiovaskulare. Fryti ka edhe aftësinë për të luftuar viruse dhe baktere të dëmshme.
Një studim japonez tregon se pluhuri manit, nëse përfshihet si shtesë diete, ndihmon në parandalimin e diabetit.
Në mjekësinë tradicionale kineze fryti është përdorur për të trajtimin e thinjave para kohe, për tonifikimin e gjakut dhe trajtimin e kapsllëkut dhe diabetit. Mani është përdorur gjithashtu për trajtimin e kollës, për të trajtuar ethet, dhimbjet e kokës, urinimin etj.
Duhet konsumuar rregullisht për të përfituar nga këto të mira të manit.

© Panorama.al

Te lidhura