Dreka e parë e pushimeve? Aragostaaa
Me siguri që, sa jeni nën vapën e tmerrshme, thoni me vete të iki një orë e më parë, nuk ka rëndësi në ha apo pi atje ku do të shkoj. Vetëm të zhytem në det, të tjerat nuk më duhen. Por shumë shpejt, sapo mbërrini në detin e ëndërruar, e shihni që keni nevojë për të gjitha e sidomos për ushqimin e shijshëm. Tek e fundit, ku do t’i gjeni energjitë për të notuar apo vallëzuar mbrëmjeve, nëse nuk keni kaluar nëpër të tria vaktet e ditës, që, megjithëse nuk e kishit menduar, në shumicën e rasteve janë shumë më të bollshme se ato që keni ngrënë në shtëpi. Vezën e skuqur buzë detit për shembull, herët në freskun e mëngjesit, kush do ta refuzonte në një tarracë me hije të dendur hardhish? Po një sallatë të ftohtë me vaj Borshi në Jal, shoqëruar me aragostën më të bukur, që as në revista nuk e keni parë? Kur të mbërrini atje, do të duhet t’i bëni sërish llogaritë, sepse do doni t’i keni të gjitha këto tuajat. Darkave mund të përgatisni diçka në hyrjet që keni marrë me qira ose për ata të tjerët që nuk duan ta shohin dhomën me sy, të vazhdojnë restoranteve, po kanë për ta parë që do të lodhen. Me këtë mendim, vendosëm që t’ju propozojmë këtë javë disa ide të ushqimeve që mund të konsumoni në plazh. (Kujdes midhjet në çdo rast!) Ata që preferojnë malin, janë edhe më të sigurt, sepse ushqimet e përgatitura që më parë në shtëpi do të jenë më rezistente, por edhe çantat termus nuk do t’ju lënë në baltë. Pushime të mbara të gjithëve, sepse dielli e ka tepruar shumë këto ditët e fundit! Ne do të jemi sërish këtu javët që vijnë, duke u kujdesur që të eliminoni ushqimet që nuk i rezistojnë dot vapës.
Historia e aragostës, kuriozitete
Stina e kapjes: tetor-dhjetor
Përmasat: deri në 50 cm me peshë deri në 4 kg
Lloji: peshk
Aragosta (Palinurus elephas) është një nga krostacat më të mëdha që jetojnë në ujërat norvegjeze. Rritet, ama ngadalë, 2-3 cm në vit, ndërsa femrat janë seksualisht të maturuara jo më parë se të arrijnë 22-23 cm gjatësi. Aragosta gjendet mirë vetëm në ujëra me thellësi të ulët, maksimumi 40 metra, me fund shkëmbor ku mund të gjejë lehtësisht vende për t’u fshehur. Femra aragostë i mban vezët për gjatë gjithë dimrit deri në qershor-korrik të vitit pasardhës. Larva e aragostës mbetet në sipërfaqe të ujërave për rreth 14 ditë, deri sa arrin gjatësinë 18 milimetra dhe transferohet për të jetuar në thellësi. Në 10-vjeçarin e fundit, prania e aragostave në ujërat norvegjeze është pakësuar shumë. pra peshkimi i tyre është pakësuar. E vetmja mënyrë e lejuar është përmes një rrjete të posaçme për to, por që që nga 1992-shi gjatësia maksimale e krostacës për t’u peshkuar është rritur nga 22-24 cm.
Përdorimi:
Shitet e gjallë, e gatuar, e ngrirë. Aragosta e përgatitur kryesisht serviret e pashoqëruar, por mund të shërbehet edhe si pjatë speciale e ftohtë ose e ngrohtë. E servirur vetëm ka shije më të mirë se sa e shoqëruar nga ndonjë salcë, që sipas traditës është ajo me bazë majoneze (majonezë ose koktail).
Ekzistojnë edhe aragosta ngjyrë blu, por janë aq të rralla, sa mund të gjenden vetëm 1 në 4 milionë.
Vlerat ushqimore të arragostës
Proteina 88.16%
Yndyrna 9.5%
Karbohidrate 2.34%
Alkool 0%
Mbretëresha Arragostë
Linguini me arragostë dhe domate të freskët
Ziliqarë të të gjithë botës, bashkohuni! Kush nuk do të donte ta niste verën kështu. Kjo është dreka e parë më e bukur për të nisur plazhin, le të ngelemi të nesërmen me petulla me sheqer, të paktën një herë provojeni. Është ideale për vaktin e drekës, sepse nuk do të donit që përpara se të shkonit te Havana të kishit ende ndër gishta aromën (e mirë) dhe shijen e mbretëreshës së detit. Më poshtë do t’ju njohim më mirë me jetesën dhe rritjen e aragostës, peshkut më të shijshëm që mund të gjendet në tryezat tona. Mund ta gjeni (jo kudo) kollaj, kryesisht në restorantet e Jugut, edhe pse çmimi është mjaftueshëm i kripur. Por, sa për ta provuar një herë do të mundeni, apo jo?! Nëse jo, se dini ç’humbisni!
Përbërësit për 2 persona:
1 aragostë [(400-600 gr) imja ishte 4.6, por edhe 1kg të jetë, nuk i bën dëm njeriu]]
300 gr spageti (norma është 160, pra 80 për person, por siç e dini, noti…etj)
4 domate mesatare
hudhër, vaj ulliri, spec të kuq pak djegës
borzilok
Përgatitja:
Përpara së gjithash pastroni domatet nga farat dhe pritini në kubikë të vegjël. Në një tigan me vaj ulliri hidhni hudhrën, specin e kuq djegës, domatet e prera dhe lërini të skuqen në zjarr të ngadaltë. Prisni aragostën përgjysmë në gjatësi, duke u kujdesur që lëngu që do të dalë të bjerë në sugon që përgatitëm. Marinojeni më pas me krip dhe piper dhe vendoseni brenda sugos (të gjitha këto bëjini pasi ta keni pastruar). Kur ta shihni që salca është lidhur, shtojini linguinin, përzijeni dhe hidhini borzilokun sipër.
Çfarë të merrni me vete në plazh
Nuk i dihet asnjëherë se kur iu vjen uria, kripa e detit është e pabesë. Prandaj nuk ju kushton asgjë nëse në frigoriferin e frutave dhe pijeve, fusni edhe dy sanduiçe të vegjël apo copat e byrekut që ju kanë tepruar nga darka.
[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!
© Panorama.al











