Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Feb 26, 2012 | 13:04

Sfilatë në kuzhinë
Si ju lindi ideja e këtij projekti?

Kisha dëshirë t’i jepja një shije tjetër modës, duke u dhënë hapësirë momenteve të vogla të kënaqësisë, që shpeshherë na shpëtojnë nga vëmendja. Ishte edhe interesi im për modën që bëri të lindte ky projekt. Nëse pastaj i shton asaj edhe një dozë të mirë fantazie dhe dashurie për kuzhinën, shija e modës bëhet më interesante.
Kush i ka përgatitur pjatat?
Jam marrë vetë me të gjithë pjesën e krijimtarisë që nis që nga kërkimet e look-ut deri te realizimi i pjatave në kuzhinë e më pas të fotografive. Ndërsa kur bëhet fjalë për të ngrënë ato që kam përgatitur, papritmas, nuk gjendem më vetëm.
E kanë parë stilistët këtë punë? A e kanë vlerësuar?
Stilistët duket se janë argëtuar nga kjo mënyrë e re e komunikimit. Në fund të fundit, bota e modës po takohet me një revolucion të ri strukturor. Nëse deri sot ishte një univers më vete, i veçuar sa i takon konsumatorit, me ndihmën e internetit është bërë më e prekshme. Kështu, të gjithë do të kenë mundësi të ‘shijojnë’ modën.

Modë, ushqim, fantazi
Stomaku po zë vend gjithandej. Këtë herë, edhe në sfilita. Fotot që ju kemi sjellë më poshtë, nuk kanë nevojë për komente. Tregojnë vetë në detaje ngjashmërinë që mund të krijohet mes botës së modës dhe artit në kuzhinë. Emrave më të njohur të industrisë së modës, i janë bashkëngjitur disa pjata me po aq kreativitet dhe ngjyra, sa dhe veshjet e pasarelave. Duke qenë se puna me këto pjata është aq në detaje sa dhe fantazia e stilistëve, ne nuk kemi mundësi e as marrim mundimin të provojmë për t’i realizuar, ama syrin mund ta kënaqim edhe vetëm duke i parë.

Pulë me arra
Përbërësit:

Receta nga Brunhilda Çela

1 pule rreth 1 kg (mundësisht pulë fshati)
ujë për të zier pulën 1,5 l
në fund na duhet 1200 ml lëng mishi.
4 lugë gjelle miell
70-100 gr gjalpë
kripë një lugë gjelle jo plot
piper sipas dëshirës
arra të shtypura 250 gr
uthull 1-2 lugë gjelle
hudhra 4-5 thelpinj.

Përgatitja:
Në një tenxhere hedhim ujin, kripën dhe pulën. E vëmë për të zier. Nëse nxjerr shkumë lëngu, ia heqim. Pulat e fshatit duan më tepër kohë për t’u zier, rreth 1-2 orë, kjo varet nga vjetërsia e pulës, por në fakt pula e vjetër e bën lëngun më të shijshëm. Pasi është zier, e heqim pulën mënjanë, e lëmë të ftohet, lëngun e kullojmë në një sitë dhe e lëmë të ftohet duke i hequr më pas yndyrën e sipërme. Gjithsej më doli 1200 ml lëng mishi.
Në një tenxhere hedhim gjalpin të shkrijë, shtojmë miellin dhe i skuqim të dyja duke përzier, por bëni kujdes jo në zjarr të fortë, në zjarr të ulët dhe duke përzier herë pas here. Mielli duhet të marrë një ngjyrë mjalti, jo të digjet e të errësohet.
Pastaj e shuajmë me lëngun e mishit të ftohur dhe përziejmë herë pas here që të mos na bëhet kokrra. Nuk duhet të dalë shumë i  hollë, por as shumë i trashë. Nëse ju duket shumë i trashë, hollojeni me pak ujë. Lëreni të marrë valë dhe pastaj hidhni hudhrat e shtypura, uthullën. E heqim nga zjarri dhe në fund shtojmë edhe arrat. Lëmë një dore arra për dekoracion. Pulën e presim në thela. Disa i skuqin pak thelat në gjalpë dhe në fund e servirin me salcën e përgatitur me arra të skuqura në tigan pa vaj. Unë nuk i skuqa, e hodha salcën në tavë balte, vura edhe thelat dhe i dhashë një faqe në furrën e ngrohur më parë në 250 gradë. Nuk e lashë shumë, rreth 10 minuta. Pastaj i vura sipër edhe arrat e skuqura në tigan dhe secili hodhi në pjatë sipas dëshirës.

© Panorama.al

Te lidhura