Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Jun 19, 2011 | 12:53

Të mira, të lira, të stinës

Në fakt nisa, meqenëse kisha dasmë në shtëpi, t’ju shkruaja sugjerime për ushqimet e pjatave të dasmave, pastaj mendova që janë bërë aq të larmishme alternativat e zgjedhjes së menysë, saqë nuk di ç’të japësh më parë, sugjerimi i vetëm do të ishte furnizimi i shtëpisë me ushqime të shpejta, (sidomos nëse sasia e alkoolit që do të ofroni do të jetë shumë bujare) në mënyrë që kushdo që të ngacmohet nga stomaku, ta kalojë problemin shpejt. Gjithsesi, javën tjetër mund t’ju shkruaj për pjatat që provova (i kam provuar paraprakisht të kuptohemi, po sa për një ide përmbledhëse). Prandaj, meqenëse kemi pafund gjëra të freskëta të stinës, po merremi ende me to dhe me recetat e thjeshta. Në fakt, gjithë thjeshtësinë e përgatitjes hithrat apo lakrat e egra e kanë te pastrimi e te larja. Nëse keni mbaruar me të, keni hequr gjysmën e punës. Më poshtë do të gjeni përveç recetës që mund ta konsumoni në kohë të ndryshme të ditës, edhe disa nga vetitë kuruese të hithrave. Kujdes, asgjë nuk hidhet poshtë, lëngun e tyre pas zierjes, në rast se i përdorni në formë sallate, mund ta pini duke i shtuar pak limon. Yndyrat e trupit do t’ju ishin mirënjohëse! Përveç tyre, nga java e kaluar na ngeli pa vendosur receta e qershive të Brunhildës, tashmë mike e kësaj rubrike. Po jua vendosim këtë javë, edhe pse e dimë që tashmë i keni mbaruar të gjitha qershitë e pazarit për glikotë që keni përgatitur gjatë dimrit. Edhe fotoja e javës nuk është rastësore, kajsitë janë gjithashtu në kohën e tyre, por për të mësuar më shumë për to do t’ju themi në javët e ardhshme. Pushime të mbara, për kë i ka nisur, e me trashëgime!

Të mirat e hithrave
-Përfitimet e hithrës janë të njohura prej kohësh. Aktualisht ato të studiuara janë si me poshtë.
-Tonik për femrat, veçanërisht për gratë e reja në fillim të  menstruacioneve dhe gratë më të vjetra në menopauzë.
-Mund të ndihmoje trupin në detoksifikimin e kimikateve dhe metaleve të rënda. Ndihmon për të reduktuar mbajtjen e ujit dhe është veçanërisht e dobishme kur ka rrjedhje të rëndë menstruale te gratë.
-Stimulimi i hithrës i ndihmon nënat për qumësht dhe rritje të energjisë pas lindjes.
-Përforcues natyror i testosteronit, i cili ndihmon në rritjen e vitalitet te meshkujt.
-Diuretik, rritës i sekretimit të acidit të urinës, ndërsa në të njëjtën kohë forcon rezistencën e shkuarjes në banjë gjate natës, ndihmues për problemet e rrugëve urinare.
-Steroli, një përbërës që zvogëlon aktivitetin e DHT, i cili është një lloj testosteroni që shkakton zgjerimin e prostatës.
-Ka kapacitet antiinflamator që vepron për të ndihmuar shumë nga simptomat që lidhen me artrin.
-Pasuria me mineralet bor dhe silic ndihmojnë për të zvogëluar dhimbjet e osteoartritit, tendinat, bursit, artritit dhe përdhesit. Gjethet mund të bëhen një forme paste dhe të vihen direkt në zonat e dhimbshme të lëkurës, për kushte të tilla si artritit
-Në të gjenden cilësi si antihemorragjik për gjakderdhje të brendshme, si dhe gërvishtjet dhe plagët
-Antiastmatik për të dy vështirësitë bronkiale dhe astmatike, ndihmon për të pastruar bronket dhe hundën
-Përmban antihistamine natyrore. E mirë për temperaturën dhe alergjitë
-Agjent depurativ dhe tonik për gjëndrën veshkore

E thjeshtë me hithra

Përbërësit:
Një sasi e bollshme hithrash (sipas tavës që do të bëni)
8 vezë
Pak qumësht, pak kos, pak miell gruri, pak miell misri
Vaj ulliri aq sa duhet
Kripë, piper
Majdanoz, kopër, nenexhik të freskët

Përgatitja:
Në një tas të madh rrihni fort vezët me kosin, qumështin dhe miellin duke shtuar kripën. Pasi t’i keni larë hithrat mirë, pritini, shtojini erëzat e mësipërme dhe shtrojini në një tavë duke u hedhur edhe masën që përgatitët më parë. Futini në furrë duke e kontrolluar pjekjen herë pas here, pasi nuk do shumë kohë.

Receta e Brunhilda Celës

Strudel me qershi

Përbërësit:
Për brumin:
Miell, 1kg
ujë i vakët, 650 m
2 të verdha veze, pak kripe.
Për mbushjen: qershi të qëruara nga bërthamat, 1200gr
3 lugë niseshte
galete, 2 luge
sheqer, 50 gr
1 gotë liker vishnjeje ose rum a konjak
kanellë, një lugë kafeje.
Për të spërkatur petën, bëhet një përzierje galete, gjalpë, sheqer, i cili skuqet në tigan ngadalë duke e përzierë gjithmonë, sa të marrë një ngjyrë të bukur. Duhen 150 gr galetë, 100 gr gjalpë, 100 gr sheqer
Për të hapur petët duhet miell, gjalpë i shkrirë, 150gr, i përzierë në një filxhan kafeje.

PËrgatitja:
Zëmë brumin dhe e ndajmë në dy pjesë. E lëmë në një vend të rrijë në qetësi brumi, të cilin e kemi lyer me vaj sipër dhe mbuluar me një pecetë të lagur.
Ndërkohë që brumin e lëmë të qetësohet, përgatisim qershitë.
Te qershitë e qëruara shtojmë galetën, niseshtenë, sheqerin, kanellën dhe likerin. I përziejmë.
Në tigan vëmë gjalpin dhe sheqerin të shkrijë. Shtojmë galetën dhe e skuqim lehtë duke e përzier gjithmonë, që përzierja të marrë një ngjyrë të bukur.
Te përzierja e tiganit shtojmë edhe kanellë.
Gjalpin e tresim dhe e përziejmë me vajin.
Në tavolinën e punës marrim gjysmën e brumit dhe e hapim një herë rreth 50 cm diametri. Kuptohet, tavolinën e punës e keni lyer mirë me miell. Këtë petë e lyejmë me vaj sipër dhe e lëmë përsëri 10 minuta të pushojë.
Pastaj, me kujdes bëjmë hapjen e petës nga të gjitha anët në tavolinë. Petën e hapim të hollë sa të lexohet gazeta poshtë.
Shumë amvisa e hapin me kollaj petën, nëse në tavolinë shtrojnë një mbulesë. Mbulesën e spërkasni mirë me miell. Unë i përdor të dyja metodat, me mbulesë apo direkt në tavolinë.
Petën qe e keni hapur mirë (pasi rri 10 min, peta hapet më shumë lehtësi, brumi bëhet tepër elastik) lyejeni mirë me vaj nga të gjitha anët dhe spërkateni me galetën e skuqur. Spërkateni edhe me gjysmën e qershive dhe bëni mbështjelljen.
Po kështu veprojmë edhe me petën tjetër. I vëmë në një tavë për t’u pjekur. Tavën lyejeni me gjalpë ose vërini letër pjekëse poshtë. Sipër gjithashtu spërkatini me gjalpë roletën e mbledhura.
Piqeni në temperaturë 185 gradë për rreth 40-45 min.
Pasi është pjekur, lëreni të pushojë pak dhe pastaj priteni dhe vërini sheqer pluhur sipër.
Ju bëftë mirë!

 

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

© Panorama.al

Te lidhura