Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Feb 20, 2012 | 14:57

Menyja e spektakleve në divan
Përpara spektakleve të gjata që po zënë vend çdo ditë të javës në kanale të ndryshme televizive (nuk e mohoni dot që në krye të listës është “Big Brother”!) duhen disa pjata që të jenë aty në tavolinë e të mos na detyrojnë të ngrihemi nga rehatia e divanit sa herë që stomaku na dërgon ndonjë sinjal. Jo për gjë po s’përballohen me pak kalori gjithë ato debate e muhabete! Më poshtë, po ju japim disa ide.

Ja disa sugjerime:
Sallatë e ftohtë makaronash ose orizi

Një tas me një sallatë të tillë bën mirë të jetë gjithnjë në tryezë. Mund ta kesh nisur me të, po pastaj të duhet t’i rikthehesh prapë e nuk ke nevojë për ta ngrohur. Mund të përmbajë makarona të shkurtra (pene, flutura), domate të freskëta, djathë të bardhë ose mocarela, ullinj të zinj të prerë, borzilok dhe peshk ton (në vend të këtij të fundit mund të përdorni edhe salsiçe pule). Gatiteni me vaj ulliri, kripë, piper e rigon sipas dëshirës dhe e keni aty, gjatë gjithë mbrëmjes, kur t’ju duhet. Nëse doni, në vend të makaronave mund të përdorni edhe orizin.

Tart e kripur sipas dëshirës
Baza është brumi, ai ju ha më tepër kohë, por me teknikën e re, edhe ky hall zgjidhet shpejt. Në një enë hidhni 250 gr miell, kripë, maja birre, 100 gr vaj ulliri, 100 gr ujë. Mbulojeni enën me kapakun e vet që të jetë i puthitur mirë dhe tundeni aty ku është deri sa të përftoni një masë brumi. Jepini dorën e fundit me lugë dhe shtrojeni pastaj masën në një tavë ku të keni vënë më parë një letër kuzhine. Shtoni në të feta sallami sipas dëshirës, copa djathi, dhe më pas shtojini tri vezë të rrahura, ku të keni hedhur kripë, piper, djathë parmixhano. Futeni në furrë dhe e keni gati shumë shpejt. Hë, do ta refuzonit ndonjë copë të tillë gjatë darkës? Nëse linjat nuk jua lejojnë kaq abuzim, në vend të sallameve e djathërave mund të përdorni perime sipas dëshirës.

Duhet edhe ndonjë e ëmbël apo jo?
Çokollata fondente mund të jetë zgjidhja. Është më e shëndetshme se të tjerat, dhe nuk mund të konsumosh shumë prej saj. Mund t’i zgjidhni në copa të vogla, kështu ju duket se hani më pak dhe e mbani nën kontroll veten gjatë debateve.

 

Kos frutash? Kafe filtër?
Epo nëse rrezikoni ta lini thashethemin përgjysmë, ju duhet një filxhan. Në të kundërt, përdorni çajrat natyral, jo ato me bustina. Për shembull trëndafil të egër ose boronicë. Nga fundi, edhe ju lejohet. Nëse jeni larg këtyre varianteve, përgatisni që më parë në një enë kos natyral dhe grini në të fruta sipas dëshirës.

Kivi, ky frut rinor!
Kjo frutë do të jetë gjithnjë aleati juaj i verës: kundër plakjes dhe kalorive të tepërta.
Më shumë se sa “një mollë në ditë”, kivi është një minierë antioksidantësh natyralë dhe heq nga këmbët mjekun. Pa u hequr vlerat portokallit, qitros, mandarinave dhe mollëve, kivi është edhe më i fortë se to. Kjo frutë ngadalëson procesin e plakjes së qelizave, mban të fortë sistemin imunitar dhe mbron trupin nga sëmundjet.
Ky është rezultati i një kërkimi japonez, i ndjekur nga Universiteti Teikyo. Kivit më efikas janë ato të varietetit gold që më shumë se jeshilet, qenkan një minierë e tërë antioksidantësh të çmuar. Këtu ende nuk kanë mbërritur, po të keni njëherë informacionin se nuk i dihet. Kur t’ju vijnë, mos i shpërfillni. Pra, një ilaç krejt natyral, që ndër të tjera ndihmon në parandalimin e alzhaimerit, kancerit dhe parkinsonit.
Ndër të tjera mund të konsumohen pa vrarje ndërgjegje, sepse janë të mira edhe për dobësim sepse përmbajnë fare pak kalori dhe janë të pasura me fibra, të cilat ndihmojnë tretjen. Janë të mira edhe për fëmijët, sepse kanë shumë vitaminë C, dyfishin e portokajve.

Darka TV. Çfarë është?
Çfarë është një darkë TV? Pak a shumë jua pret mendja, sepse shumë prej nesh janë viktimë e asaj kënaqësisë së pashpjegueshme që të jep një pasdite mbrëmje e gjatë, e kaluar e gjitha në shtëpi. Rehatuar në kolltuk, pa i hequr sytë nga televizori e me diçka përpara për të përtypur. Këtë përtesë të rehatshme ta kërkojnë përgjithësisht spektaklet e gjata. Prandaj nuk na u kujtua ashtu kot, u frymëzuam nga “Big Brother” që nisi pikërisht mbrëmë. Por, përpara se të shtrihesh ngeshëm për 3-4 orë të gjata, duhet të përcaktosh më parë menynë, nuk je në restorant që mund të porosisësh ç’të duash. Mamatë, që në ndonjë ditë të zakonshme edhe mund të të plotësojnë tekat, në spektakle si këto janë të zëna për vete, plus që e kanë vdekje atë të ngrënit në divan që s’e kam kuptuar asnjëherë se ç’problem u shkakton. Nejse, këto konflikte kanë kaluar ca vite më parë tashmë, kështu që problemi që na ngelet është menyja. Por cili është lloji i ushqimit varësisht asaj që ndjekim në TV? Që të mos fokusohemi vetëm te spektakli i mbrëmshëm (gjë që në fakt do t’ju duhet ta bëni për shumë javë në vazhdim). Për një ndeshje sportive për shembull, një finale futbolli, ushqimi nuk duhet të jetë impenjativ. Duhet të jenë gjëra të lehta që të mos ju tërheqin vëmendjen meshkujve nga ekrani. Mos o Zot u humbet ndonjë sulm! Jo më kot patetinat, e frutat e thata janë gjithnjë pjesë e këtyre tryezave. Për një film që nuk kursen lotët është e përshtatshme një pjatë relativisht e lehtë, pak pikante. Shqisat tona, të mbushura tashmë, nuk do të donin ngarkesa të tepërta. Por, për spektakle të tilla si ky i yni, që s’pushojnë llafet, muhabetet, thashethemet e polemikat, menyja kërkon ca më tepër kalori.

© Panorama.al

Te lidhura