Aktrim dhe jo vetëm…
Që dashuria kalon nga stomaku e dëgjojmë përditë nga dashamirësit e kuzhinës apo “pirunët e mirë”. Por që të përhapet përditë e më shumë edhe nga aktorë të Hollivudit a emra të rëndësishëm në botë, me këtë po njihemi vetëm kur hapim shtypin e huaj e shohim që është shtuar ndonjë foto e ndonjë aktoreje, që në vend që të jetë duke lexuar skenarin e ndonjë filmi të ri, ka veshur përparësen, përveshur mëngët, e i ka hyrë studimeve kulinare. Gwindeth Paltrow ka përparuar aq sa ka botuar një libër, Eva Longoria, siç e dini, ka hapur një restorant. Kush më shumë e kush më pak, po bëhet pjesë e kësaj dashurie të lashtë. Bashkë me fotot e tyre, keni edhe dy receta praktike që mund t’i përdorni në darkat me miqtë apo t’i gatuani për veten tuaj. Ndonjë gjë për Shën Valentin? Po kemi kohë javës që vjen…
Kuzhina, dashuria tjetër
Ju jeni mësuar t’i shihni ndryshe, por ato dinë të jenë edhe kështu. Në fakt, femrat që shihni në fotografi, lidhjen me ushqimin e kanë në forma të ndryshme. E para ndër të gjitha është Eva Longoria. Dashuria për kuzhinën e bëri të hapte edhe restorantin e saj. Pas saj, renditet Gwineth Paltrow që kërkon doemos të konsumojë ushqime të shëndetshme e që të jetë e sigurt për këtë, më mirë se ajo vetë nuk mund ta bëj kush tjetër. Elizabeta Canalis e bën për ndonjë shfaqje më shumë nëpër media, kurse princi dhe princesha e Oxfordit, nderojnë miqtë që i ftojnë. Ndërsa Michelle Obama, e ka përdorur në këtë rast kuzhinën për të ftuar të tjerë. Kuzhina e Shtëpisë së Bardhë është e hapur për studentët e fushës. Me këtë rast, nuk mund të mos kthehet në popullore edhe ajo vetë. Rëndësia që i jep familja Obama marrëdhënieve me publikun dihet tashmë.
Couscous me kungulleshka dhe karkalecë
(Nëse ende nuk e keni përdorur couscous-in në shtëpi, e keni në të gjitha marketet e mëdha. Po nuk e gjetët vetë, mund të pyesni shërbimin.)
Kjo është një ide të cilën mund ta përdorni si pjatë të parë. Bëni pak couscous me domate, qepë, kripë, piper, speca të kuq. Kungujt skuqini, në vend të tyre mund të përdorni edhe patëllxhanë, por me kungulleshka del pjatë më e bukur. Vëreni rreth një forme ose në një gotë të cekët apo filxhan çaji dhe e përmbysni me kujdes.
Karkalecat bëjini në skare, marinojini sipas dëshirës suaj dhe në fund mund servirni me salcë ose pa.
Nuk po ju jap një recetë të përpiktë, pasi kjo bëhet me sy, por po ju tregoj më shumë idenë për të parë sa bukur duket në pjatë dhe sa e thjeshtë është për t’u përgatitur…
250 gr couscous i skuqa me presh, speca dhe domate, edhe pak kunguj kubikë e i hodha 500 ml lëng mishi. Poqa fetën e kungullit dhe e vendosa sipas formës, duke hedhur brenda masën e couscousit. Hera-herës masa duhet trazuar që të mos ngjiten kokrrat e couscousit. E servira në mënyrën që shihni në foto. Kjo është një pjatë që do t’ju sugjeroja për Shën Valentinin, pasi është e shijshme dhe e këndshme për syrin.
Role krepash sipas dëshirës
Receta për brumin
vezë
qumësht
miell
lugë gjalpë të tretur
kripë
Receta për mbushjen
(sipas dëshirës)
– 250 gr djathë i bute filadelfia
– 500 salmon i tymosur
– dega kopre
Përgatitja
Së pari përgatisim brumin e krepave, duke përzier të gjithë përbërësit e brumit deri sa të përftojmë një masë kompakte, jo shumë të lëngshme, por as shumë të trashë. Pjekim krepat një nga një dhe i lëmë mënjanë. Ndërkaq, merremi me mbushjen. Një variant mund të jetë ai i salmonit me djathë filadelfia. Shtrojini mbi petë dhe me një letër alumini mbështillini fort e më pas pa i hequr nga letra, pritini. Nëse doni, kur t’i vendosni në pjatë, mund t’i shtoni sipër domate të prerë në kubikë me pak vaj ulliri, kopër dhe ullinj të prerë. Të njëjtën gjë mund ta bëni me proshutë dhe ta shoqëroni me salcë bizelesh. Mund ta bëni me spinaq dhe gjizë. Të gjitha këto mund t’ju shërbejnë si antipasta apo si pjata unike për një darkë të lehtë.
[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!











