Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Jun 12, 2011 | 10:58

Është kaq e shkurtër koha e qershive…

“Vajzat e bukura do të kenë çmendurinë në kokë /
dhe të dashuruarat diellin në zemër/ do të fishkëllejë më mirë mëllenja tallëse/ por është shumë e shkurtër koha e qershive…” Këto janë fjalët e një kënge të vjetër franceze që kujtohet përherë në qershor, sikur qershitë. E dimë që mund t’i gjejmë edhe në dhjetor po të duam, me një çmim të shëllirosur, po si këto të tanishmet nuk ka, kur gjithë vitrinat e frutave marrin nga bukuria e tyre. Por, nuk janë vetëm të bukura, qershitë janë klasifikuar si një ndër frutat më të shijshme e të preferuara sipas sondazheve të ndryshme që janë bërë. Le të mësojmë më shumë për to dhe të marrim dy raste se ku mund t’i përdorim. Nuk besoj se ju mjafton vetëm ëmbëlsira, kështu që ju përgatitëm ose më saktë njëra prej lexueseve ka zgjedhur t’ju përgatisim makaronat e bollshme, servirur si pjatë unike, që quhen nga komshinjtë tanë “Spagetti allo scoglio”. Nga fotoja, duket që Ogerta Elezaj, autorja e recetës, ka shijuar një drekë të mirë.

Vetitë e qershisë
Gjetjet shkencore në vitet e fundit kanë treguar disa veti kimike që përmban qershia si anthocyanins, melatonin dhe kapacitetin për të absorbuar oksigjen në radikale. Pra, çfarë do të thotë e gjitha kjo? Në fakt, kjo do të thotë shumë më tepër se fjalët e mëdha. Kjo do të thotë se të mirat shëndetësore të qershisë janë të shumta. Le të bëjmë një vështrim për të gjetur se çfarë përbërje të shëndetshme ka qershia.
Trajtimi mjekësor: Trajtimi mjekësor nëpërmjet përdorimit të frutit të qershisë është një praktikë që ka filluar që në kohët e lashta. Sot, konsumi i qershive besohet se lehtëson dhimbjet për ata që vuajnë nga artriti. Gjithashtu, konsumimi i qershisë mendohet se trajton të gjitha format e inflamacionit.
Parandalimi i sëmundjes: Një nga përfitimet e qershive është se ato përmbajnë një substancë të njohur si melatonin, e cila shkatërron organizmat që shkaktojnë sëmundje dhe kështu parandalon njerëzit nga marrja e sëmundjes. Ajo përdoret gjithashtu për të ndihmuar në një gjumë të rehatshëm.
Ndihma në trajtimin e kancerit: Në rastet e një pacienti të sëmurë me kancer, konsumi i qershive i rrit probabilitetin e shërimit. Kjo për shkak se qershitë kanë veti ushqyese, që ndihmojnë në luftën kundër të gjitha formave të kancerit dhe sëmundjeve të zemrës.
E mirë për konsum: Qershitë janë të mira për konsum për një sërë arsyesh. Ato kanë kolesterol të ulët dhe janë një burim i vitaminës C, vitamina A, perillyl, ellagic acid dhe melatonin. Qershitë ndihmojnë në problemet e tretjes, pasi kanë përmbajtje të lartë fijesh, qershia ndihmon në dhimbjet e muskujve dhe gjithashtu ndihmon në uljen e niveleve të urateve. Ndihmon në lehtësimin e dhimbjes së vazhdueshme të kokës dhe rrit sasinë e ujit në trupin tuaj, gjë e cila në afat të gjatë nxit energjinë e një individi dhe shkallën e metabolizmit.
Për të rritur PH: Qershia është e njohur shkencërisht për flavanoidet antioxidant bio, që i janë gjetur në përbërjen kimike. Flavanoidet bio janë të dobishme në rritjen dhe rregullimin e nivelet e PH në trupin e një individi.
Ndihmon në memorje: Qershitë janë njohur për ndihmesën që kanë në memorien e  mirë dhe në parandalimin e humbjes së kujtesës. Kjo është vërejtur nga një komponent i gjetur në qershi i njohur si anthocyanin që është provuar të jetë në të mirë të trurit.
Rrit gjumin: Kjo është një tjetër veti e qershisë. Njerëzit të cilët konsumojnë qershi gëzojnë një gjumë më të thellë se sa ata që nuk e bëjnë. Kjo është për shkak se qershia përmban një hormon të njohur si melatonin. Melatonin është i njohur për rregullimin e cikleve të gjumit në trup. Për një gjumë më të mirë, më të relaksuar dhe të kënaqshëm, është i këshillueshëm konsumimi e qershisë.
Kundër shenjave të moshës: Melatonina gjithashtu vepron si një agjent kundër plakjes dhe ndihmon në ngadalësimin e procesit të plakjes. Kjo do të thotë se njerëzit që hanë qershi mund të duken më të rinj për një periudhë më të gjatë se sa ata që nuk bëjnë këtë gjë.
Kujdesi për lëkurën. Një nga përfitimet e qershive është se, në saj të melatoninës, është gjetur se pikërisht ajo ndihmon në dhënien e një cilësie të butë të lëkurës.

Spagetti alo scoglio (NGA Ogerta elezaj)

Përbërësit:
600 gr spageti
300 gr kallamar
300 gr karkaleca
300 gr sepia
250 gr midhje
250 gr vongole
1 gotë verë të bardhë
vaj ulliri
aq sa duhet
pak spec djegës
majdanoz
piper
200 gr domate, qershi

Vështirësia:
mesatare
Koha e përgatitjes:
45 minuta
Koha e gatimit:
25 minuta
Masat
për 8-10 persona

Përgatitja
Nëse vongolet nuk hapen të gjitha, duhet të eliminoni ato të mbyllurat, përpara se t’i bashkoni me peshqit e tjerë. Në një tigan të madh të thellë hidhni hudhrën e shtypur me vajin dhe specin djegës. Shtoni vongolet dhe verën e bardhë. Sapo këto të hapen, hidhni midhjet. Vazhdoni me karkalecat dhe kallamarët e prerë në rrathë. Sepien lëreni mënjanë dhe priteni në copa, pastaj shtojani gjithë salcës. Hidhni domatet e prera në copa dhe, pasi të keni zierë makaronat, bashkojini me sugon. Lërini në tigan për disa minuta që të marrin shijen e salcës.

Tortë djathi me qershi

Koha e përgatitjes: 25 minuta
Koha e ftohjes: 3 minuta
Kaloritë: 315 për racion

Përbërësit:
Për bazën:
220 gr biskota me drithëra pa sheqer ose me pak (mind të përdorni dhe corn flakes integral)
100 gr gjalpë
1 lugë sheqer

Për kremin:
200 gr djath
“Filadelfia”
125 gr kos natyral
100 gr sheqer pluhur
150 gr pana
gjysmë gote
lëng limoni

Për sipërfaqen:
Qershi të freskëta

Përgatitja për bazën:
Grijini biskotat imët, shtojini sheqerin, gjalpin dhe përzieni mirë. Hidheni masën në një tavë duke shtruar poshtë letër kuzhine dhe duke e ngjeshur brumin me duar. Lëreni të ftohet për gjysmë orë në frigorifer.

Përgatitja për kremin:
Në një enë hidhni të gjithë përbërësit e kremit dhe përzieni fort deri sa t’i bëni një masë të vetme homogjene, duke eliminuar krijimin e kokrrizave. Lëreni kremin të pushojë për 30 minuta në temperaturë frigoriferi dhe filloni më pas ta shtroni në tavën ku keni vendosur bazën e ëmbëlsirës. Në fund, qershitë mund t’i vendosni sipër, thjesht të përgjysmuara, duke ua hequr bërthamën ose mund të bëni me to një krem në frulator. Në të dyja rastet, ëmbëlsira është shumë e shijshme. Përpara se ta shërbeni, lëreni për 1 orë apo më tepër në frigorifer.

Kos me qershi
Përbërësit:
Kos, 500 gr
Vanilje, 1 bustinë
Qershi, 600 gr
Sheqer pluhur, 3 lugë
Pana (sipas dëshirës) 200 gr
Bajame të pjekura

Përgatitja:
Hiqni bërthamat e qershive dhe lërini mënjanë. Në një enë hidhni sheqerin dhe lëreni në zjarr për 3 minuta, pastaj shtoni qershitë duke i lënë edhe 5 minuta të tjera. Fikeni zjarrin dhe lërini të ftohen. Ndërkohë, përzieni kosin me sheqerin, vaniljen, panën dhe përzieni fort në frulator (në rast se keni, në të kundërt, do t’ju dojë më tepër kohë). Merrni kupat ku do të shërbeni ëmbëlsirën dhe në fund vendosni një pjesë krem, më pas një pjesë qershi dhe sërish krem. Në fund shtoni qershi të freskëta dhe disa bajame të pjekura pa lëkurë përsipër. Mund t’i lini në frigorifer për t’i shërbyer gjatë pasdite apo pas vakteve.

 

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

© Panorama.al

Te lidhura