Planifikoni të rifuteni në shina
Sikur e keni tepruar paksa me ushqimin këto muajt e fundit. As e keni kontrolluar veten hiç. Jo se keni pasur faj, po ja që po ju troket te dera koha kur duhet t’u riktheheni ritmeve normaleve. Edhe pak ditë dhe do duhet t’u largoheni (me dhimbje) pjatave me aromë deti. Do thoni ju që ndonjë fundjavë do vazhdojmë ta shkelim, dakord. Por do nisni pak nga pak të merreni me përgatitjen e shkollës së fëmijëve, më pas të mësoni bashkë me ta, pastaj do nisin shirat, e kështu si pa kuptuar koha e bukur do ju kujtohet vetëm ndonjë ditë tek hekurosni përparësen e vajzës në rrëmujën e mëngjesit… Nejse, e gjithë kjo parantezë vetëm për t’ju thënë se duhet t’iu ktheheni menyve të shëndetshme, ato të traditës së shtëpisë. Prandaj, niseni nga supa me perime (sa për të zbutur mallin e pushimeve mund ta nisni edhe me supë peshku). Edukoni fëmijët tuaj që të mësohen me të e me perimet në përgjithësi. Askujt nuk po i vjen mirë dhe e keni pamjen fare të freskët besoj, që t’i shihni njerëzit nga mosha 2 deri në 82 vjeç gjithë celulit. Një pjatë supë e ngrohtë, me freskimin e kohës, i largon të gjitha :)
Panxhari dhe lëngu i tij
Lëngu i panxharit është i njohur si një pastrues gjaku dhe ndërtues i gjakut, i cili ndihmon në krijimin e qelizave të kuqe. Studiuesit tregojnë se lëngu i panxharit përmirëson strukturën e gjakut dhe shëron sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut, të zorrëve dhe sistemit të tretjes. Thuhet gjithashtu se lëngu i panxharit shkrin gurët në veshka, mëlçi dhe fshikëz. Hulumtuesit kanë konkluduar se një gotë me lëng panxhari në ditë ul tensionin e lartë dhe, sipas American Heart Association, një në tre të rritur ka tension të lartë të gjakut. Në 1950, dr. Ferenczi nga Hungaria pacientëve të tij me kancer u jepte të pinin çerek litri me lëng panxhari çdo ditë, kjo ishte kthyer në një mënyrë efektive edhe për eliminimin e tumoreve. Tek panxhari u pa se rrit prodhimin e glutathionës, e cila ndihmon trupin kundër helmeve të shkaktuara nga kanceri. Glutathione mund kap shumë lloje kimikatesh në mjedis, të cilat zbrazen nga koloni jashtë.
Lule kungulli të mbushura me … ç’të keni qejf
Për sallatën me patate shoqëruese:
Ziejini patatet, prijini në feta. Marinojini me vaj ulliri, kripë piper, uthull, pak mustardë, majdanoz ose kopër, mund t’i vini edhe pak majonezë. I përzieni të gjitha bashkë dhe i servir. Nëse do të gjeni patate të vogla, me madhësinë e domateve qershi, do të kuptoni ndryshimin nga ato të zakonshmet.
Disa prej luleve mbushini me djathë të bardhë dhe disa të tjera me djathë kaçkavall, ato që teprojnë lërini ashtu siç janë. Lulet e kungullit i kalon në miell, në vezë e në galetë dhe i skuq. Mbushjen e djathit të bardhë bëjeni me djathë të butë, të cilin mund ta shtypni me pirun, shtojini një vezë dhe pak galetë e kopër të grirë hollë, dhe piper të zi. Mbushjen tjetër bëjeni vetëm me djathë kaçkavall të cilin mund ta përzjeni me pak borzilok.
Supe me perime
(do t’ju duhet së shpejti)
Përbërësit (masat llogaritini me përafërsi sipas personave):
200 gr barbunja
Një kokë të vogël brokoli
Një finok i vogël ose gjysmë finoku (kujt nuk i pëlqen finoku të mos e hedhë)
3 patate jo të mëdha
Një gjysmë preshi
Një qepë të vogël
Pak rrënjë selinoje
Karota 4 copë
3-4 dega gjethe pazie
Pak lëpjetë po patët
150 gr bizele
2 kungulleshka të vogla fare të njoma
Vaj ulliri ose luledielli
Kripë, piper, një tufë majdanoz
1,5 l ujë ose lëng zarzavatesh a lëng mishi
një filxhan kajmak (ajkë qumështi, krem pana)
2 të verdha veze
Lëngu i një gjysme limoni ose kush e do më të thartë shton më shumë.
Përgatitja:
Në fillim kaurdis qepët, preshin dhe rrënjën e selinos. Pastaj shton me radhë karotat, finokun, barbunjat, patatet. I kaurdis pak të gjitha lehtë dhe shton edhe 2 lugë miell. Përzien dhe e shuan me lëng mishi ose ujë. Unë nuk i vura shumë kripë, se lëngu i mishit kishte kripë.
I lë të ziejnë sa të jenë bërë barbunjat, pasi ato duan pak më shumë.
(rreth 10-12 minuta zgjat).
Në fund fare shtojmë kungulleshkat, brokolin e lëmë të marrë dy valë dhe shtojmë pazinë. E heqim nga zjarri dhe e lëmë në valën e saj. Kështu na ngelen jeshile edhe brokoli, edhe pazia. Merremi tani me lidhjen e supës. Rrahim të verdhat me lëngun e limonit. I shtojmë pak nga pak nga lëngu i supës. Pasi të kemi shtuar 5 lugë nga lëngu i supës, ia hedhim përzierjen tenxheres, duke e përzier me kujdes.
Në fund vëmë edhe filxhanin e kajmakut por, nëse ju shijon, mund ta lini edhe ashtu siç është. Shtoni edhe majdanozin, piperin e zi.
[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!











