Të gjitha autostradat me koncension

Feb 24, 2012 | 11:53

Banka Europiane për Rindërtim: Raporti për qeverinë. Rriten të ardhurat, por risk trafiku i makinave.

BERZH hap tenderin për studimin e kostove për të gjitha rrugët.

Të gjitha autostradat e vendit do të jepen me koncesion. Qeveria po ndjen çdo vit e më shumë gropën që krijon  mirëmbajtja e autostradave në buxhet, dhe përpara këtij realiteti është e detyruar që mirëmbajtjen ta transferojë te privati. Kjo pritet të ndodhë në vitet në vijim dhe procesi do të jetë pjesë e një strategjie të hollësishme të dhënies me koncesion të të gjithë rrjetit autostradal në vend. Tashmë ky është një fakt, dhe procesi për hartimin e kësaj strategjie ka filluar me gjetjen e konsulentit që do ta hartojë atë. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është institucioni ndërkombëtar që do të financojë gjetjen e këtij konsulenti përmes një tenderi të hapur. Banka vlerëson se është qeveria shqiptare ajo që kërkon shërbimin e konsulentit. “Banka për Rindërtim dhe Zhvillim është duke zhvilluar një projekt të ri rrugor me qeverinë e Shqipërisë për të financuar ndërtimin e bypass-eve rreth qyteteve të Fierit dhe Vlorës në Shqipërinë Jug-Perëndimore. Përmes investimit të saj, BERZH është duke mbështetur qeverinë e Shqipërisë në reformën e sektorit rrugor. Objektivi kryesor i reformës është përmirësimi i eficiencës përmes reformave institucionale, komercializimit, si dhe rritjes së pjesëmarrjes së sektorit privat. Një pjesë e rëndësishme e reformës është edhe financimi i sektorit rrugor, si për mirëmbajtjen dhe për investimet. Taksimi rrugor ofron mundësinë e rritjes së të ardhurave shtesë për sektorin rrugor dhe mundëson një burim të rëndësishëm financimi për rrugë të veçanta. Të ardhurat nga taksimi janë të pavarura nga procesi buxhetor vjetor dhe për këtë arsye rritin stabilitetin e të ardhurave nga sektori rrugor, edhe pse të ardhurat nga taksimi janë të ekspozuara ndaj riskut të trafikut. Qeveria ka si synim që të gjejë një kompani konsulente që do të përgatisë strategjinë e taksimit rrugor, në mënyrë që të sigurojë një dokument strategjik për qeverinë e Shqipërisë për ta përdorur në taksimin e rrugëve në vend”, thuhet në faqen e BERZH-it.
Konsulenti dhe autostradat
Konsulenti që do të hartojë strategjinë do të ketë një sërë detyrimesh të cilat lidhen me: përcaktimin në një nivel strategjik të objektivit të taksimit rrugor, të përgatisë një politikë taksimi e cila do të përcaktojë instrumentet e vendosjes së tarifave gjithmonë në linjë me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira, do të identifikojë mënyrën më të preferuar të taksimit mes manuales, miksit dhe taksimit elektronik, përdorimit të sistemeve të hapura dhe të mbyllura të taksimit, të bëjë vlerësimin e qëndrueshmërisë ekzistuese për momentin dhe seksioneve rrugorë të planifikuar për taksim. Por cilat do të jenë disa nga rrugët që do jepen me koncesion? Pothuajse të gjitha ato që klasifikohen si autostrada do të kenë operimin dhe menaxhimin të mundësuar nga sektori privat. Njëra prej tyre, që tashmë edhe është bërë e ditur, është Rruga e Kombit. Autostrada të tjera të cilat pritet që t’i bashkohen kësaj janë edhe autostrada Tiranë-Elbasan, e cila aktualisht është në ndërtim, autostrada nga Durrësi në Shkodër, e cila është në proces zgjerimi dhe bërjes me katër kalime.

1 miliard euro llogaritet të jetë kostoja e mirëmbajtjes së gjithë rrjetit rrugor të Shqipërisë në 20 vitet e ardhshme, sipas raportit të konsulentit Luis Berger. Aktualisht, 2 milionë euro në vit i kushton buxhetit të shtetit mirëmbajtja e tunelit të Thirrës në autostradën Durrës-Kukës dhe po 2 milionë euro i kushton buxhetit edhe mirëmbajtja e pjesës
tjetër të rrugës.

Koncensioni për Rrugën e Kombit, më 27 shkurt, mbyllet faza e parë
Vetëm pak ditë kanë mbetur nga mbyllja e fazës parakualifikuese që është ajo e shprehjes së interesit për koncesionin e autostradës Milot-Morinë. Në fakt, afati i parë i mbylljes së kësaj faze ishte data 15 shkurt, por më pas kjo u shty deri më 27 shkurt. Pas kësaj faze pritet që të bëhet edhe anonçimi i subjekteve të kualifikuara për në fazën tjetër të shpalljes së ofertave. Në fillim të marsit pritet që kompanitë të bëjnë ofertat e tyre mbi bazën e kritereve që ka vendosur qeveria. Në muajin gusht mendohet që gjithë procesi i operimit dhe mirëmbajtjes së Milot-Morinë t’i ketë kaluar konceisonarit fitues. Kalimi i menaxhimit dhe operimit te një sektor privat pritet që t’i kursejë qeverisë disa milionë euro të shpenzuara për këtë funksion. Kostoja e mirëmbajtës së kësaj autostrade është relativisht e lartë, kjo edhe për shkak të terrenit të vështirë ku kalon ajo.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura