Të eksportosh energji në Itali

Jan 21, 2025 | 7:30
SHPËRNDAJE

NGA FATOS ÇOÇOLI fatoscocoli

Marrëveshja e nënshkruar më 15 janar 2025, në Samitin Botëror të Energjisë së Ardhshme në kryeqytetin Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, me Italinë dhe vetë Emiratet, është e rëndësishme për të ardhmen e prodhimit të energjisë elektrike tek ne. Një miliard euro që do të investohen në tri vite 2025-2027, për të lidhur vendin tonë me Italinë me kabllo nënujore të energjisë elektrike, si dhe me investime për energjinë e ripërtëritshme, e shndërrojnë Shqipërinë në vend me shumë interes për të prodhuar energji të gjelbër për investues të mëdhenj strategjikë. Bëhet fjalë për një linjë nënujore që do të lidhë portin e Vlorës me rajonin fqinj të Pulias në Itali, pikës më të afërt mes të dy vendeve tona.

Linja do të shërbejë për të importuar në Itali energji të ripërtëritshme të prodhuar në Shqipëri. Roli i Emirateve të Bashkuara Arabë, si një ndër vendet më të fuqishme të botës që nxit fort zhvillimin e energjive të ripërtëritshme, do të jetë kryesisht dhe pikërisht zgjerimi i prodhimit të kësaj energjie tek ne. Ne thjesht do të shesim energji elektrike në tregun italian. Po pse është kaq me shumë përfitim për ne? Sepse Italia, ndryshe nga Gjermania dhe Franca, dy vendet e tjera të mëdha të Bashkimit Evropian, vendosi në tri dekadat e fundit, që të mos ndërtojë centrale atomike të prodhimit të energjisë elektrike. Kjo i ka kushtuar shtrenjtë, pasi tani që flasim, Italia është ende e varur nga importi i energjisë elektrike në 40 për qind të nevojave të saj.

Dhe nevojat e saj për të importuar janë kolosale, mbi 6 miliardë euro në vit. Ja përse fakti që Shqipëria ka kontraktuar 1.3 gigavolt energji elektrike nga energjia diellore për tri vitet e fundit, është tërheqës për Italinë. Italia po e kupton se vit pas viti, ne shpejt do të kthehemi në vend eksportues të energjisë. Dhe kjo energji i intereson Italisë, pse afërsia territoriale e bën këtë energji të lirë për të. Linja elektrike në Adriatik Vlorë Pulia do të mundësojë importimin pa kufi të energjisë së gjelbër nga Shqipëria. Italia pa akoma dhe më me interes në nëntor 2024 kontratën KESH-Masdar të nënshkruar në Baku të Azerbajxhanit.

Po përse? Sepse Masdar, ndërmarrja shtetërore e prodhimit të energjisë elektrike e Emirateve të Bashkuara Arabe, që ndërton në këtë vend qytete me ndotje zero nga dioksidi i karbonit, ka një buxhet prej 30 miliardë dollarë për vitet 2025-2030, për të investuar në energjitë e ripërtëritshme kudo në planet. Ja përse kryeministrja italiane Giorgia Meloni cilësoi pesë ditë më parë se “Është një projekt ambicioz mes dy brigjeve të Adriatikut, një ndërlidhje e re energjetike, për të prodhuar energji të gjelbër në Shqipëri dhe për të eksportuar një pjesë të saj në Itali, falë një kablli nënujor në Adriatik. Një projekt që përfshin qeveritë tona, si dhe sektorët privatë dhe operatorët e rrjetit. Marrëveshja do të forcojë lidhjet ekzistuese të energjisë, që shtrihen 430 km përgjatë shtratit të detit Adriatik, duke lidhur Italinë me Malin e Zi dhe rajone të tjera të Ballkanit”. Marrëveshja përcakton fushat kryesore të bashkëpunimit midis Emirateve të Bashkuara Arabe, Italisë dhe Shqipërisë, duke përfshirë krijimin e projekteve të energjisë së rinovueshme në shkallë gigavat (miliona kilovatorë) në Shqipëri, me fokus në energjinë diellore fotovoltaike dhe atë të erës. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj energjie të rinovueshme do të transmetohet (importohet) në Itali. Sot Shqipëria prodhon 196 megavat-orë energji elektrike nga subjektet private familjare dhe nga bizneset, shtetërore si KESH, apo private.

Në vendin e dytë në rajon është Serbia me një të katërtën e prodhimit të Shqipërisë, me 51 megavat-orë. Pastaj vijnë Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, që janë bashkë në një grup midis 14 dhe 18 megavat-orë në vit. Vendi ynë sot një të dhjetën e prodhimit të tij të energjisë e ka nga panelet diellore. Janë 55 kontrata të reja të nënshkruara, ose në proces bisedimi, të prodhimit të energjisë nga dielli dhe era, me fuqi 1.3 gigavat-orë në panele diellore dhe 300 megavat-orë në energji nga era. Pesë vite më parë prodhonim energji nga dielli më pak se 1 për qind. Ky dhjetëfishim ka ndodhur në pak vite dhe Italia e ka ndjekur nga afër këtë transformim me shumë përfitim për ne si vend dhe qytetarë. Ja përse sot, ky vend fqinj me prodhimin kombëtar të tretin në Bashkimin Evropian, pas Gjermanisë dhe Francës, është në partneritet me ne për 1 miliard euro investime në tri vitet e ardhshme.

/Gazeta Panorama

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura