NGA MILENA HARITO
Vrasja tragjike e djalit 14- vjeçar në shkollën “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij na ka prekur thellë të gjithëve. Kjo ngjarje është pasoja shumë e rëndë e transformimeve të vazhdueshme në jetët tona prej shpërthimit të rrjeteve sociale. Në trurin e njeriut ekzistojnë grupe neuronesh, të cilët quhen “cirkuitet e kënaqësisë”. Këto grupe neuronesh aktivizohen në rrethanat e këndshme të jetës si sporti, ushqimi, dashuria etj.. Një ndër mënyrat më të kollajshme për t’i aktivizuar është konsumi i sheqerit ose droga. Algoritmet e rrjeteve sociale na krijojnë varësi me mekanizma të ngjashëm. Na ushqejnë me “informacion”, i cili zgjon kënaqësi të kollajshme, emocione imediate: dashamirësi, keqardhje, indinjatë apo urrejtje. Më shumë këto të fundit, sepse ato të shtyjnë të klikosh më tepër. Pa ndonjë mundim a përpjekje, informacioni i servirur nga algoritmi të ledhaton egon, të konfirmon bindjet e tua të çfarëdo lloji, përfshi psh., bindjen se Toka është e sheshtë.
Algoritmet janë ndërtuar për të ushqyer varësinë dhe një “scrolling” të pareshtur, i cili lë shumë pak hapësirë mendore për reflektim. Në të njëjtën kohë algoritmet regjistrojnë në çdo ‘like’ shijet e bindjet tona për t’ia shitur më pas çdo blerësi potencial. “Informacioni” i disponueshëm në rrjetet sociale duket se është gratis, por produkti je ti vetë. Pre e çdokujt që ka interes të të influencojë apo të të shesë produkte materiale dhe imateriale. Tej nxitjes së emocioneve, scrolling të vazhdueshëm alienues, efekti tjetër i algoritmeve, është reduktimi i vëmendjes në jo më tepër sesa disa sekonda. Kush ka ende durimin të lexojë 100 faqe për të kuptuar doktrinën nukleare të Rusisë, ndërkohë që në 30 sekonda “TikTok” e kupton menjëherë që fajin e ka Perëndimi, i cili provokoi Rusinë?
Mora këtë shembull të fundit jo vetëm sepse lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë, e cila mund të na prekë të gjithëve, por edhe sepse nga bisedat me miq të pjekur, të mirëshkolluar e inteligjentë më rezulton se thuajse askush nuk përmend akordet e Minskut të vitit 2015, Minsk II —Wikipédia e aq më pak memorandumin e Budapestit të vitit 1994 Mémorandums de Budapest — Wikipédia, i cili garantonte midis SHBA, BE dhe Rusisë, kufijtë dhe pavarësinë e Ukrainës në shkëmbim të armëve nukleare të saj. Ukraina kishte në vitin 1994 arsenalin e tretë nuklear në botë. Shumë ama flasin për “kërcënimin” e Rusisë nga NATO, kërcënim krejt abstrakt, ndërkohë që Rusia shumë konkretisht ka aneksuar Krimenë në 2014 dhe prej 2022 bombardon, masakron, shkatërron Ukrainën. Ja një shembull se kujt i shërben informacioni i mbledhur nga algoritmet mbi secilin prej nesh në rrjetet sociale, si edhe “informacioni” që na vjen i gatshëm nga të njëjtat algoritme. Në kohëra të tjera quhej propagandë.
INFORMACIONI, NË DUART E TË GJITHËVE
Pyetjet që shtrojmë sot me shpërthimin e mediave sociale nuk janë krejt të reja. Informacioni ka qenë gjithmonë një nga atributet e pushteteve, pushtetit politik dhe pushtetit ekonomik, i atyre që kishin mjetet ta prodhonin dhe ta shpërndanin. Liberalizimi i prodhimit dhe shpërndarjes së informacionit ka ndodhur gradualisht dhe ka pasur në vijimësi pasoja sociale dhe politike të rëndësishme. Një shembull i afërt është transformimi i thellë i peizazhit politik italian, i drejtuar nga Silvio Berlusconi, pas liberalizimit të tregut mediatik nëpërmjet televizioneve të tij private. Partia e tij politike “Forza Italia” u krijua dhe u rrit ekzaktësisht nga të njëjtët njerëz dhe me të njëjtat metoda që ai përdorte për shitjen e produkteve të tij. Me mediat sociale, përmasat e fenomenit ndryshojnë.
Nga njëra anë kemi transparencë të shtuar falë shpërndarjes së kollajshme të informacionit që kushdo disponon. Revolucionet arabe dhe lëvizja “Grua, Jetë, Liri” në Iran do të kishin qenë të pamundura pa rrjetet sociale. Një pjesë e pushtetit mediatik ka ndërruar dorë dhe ky është sigurisht një oportunitet i ri. Por, pushtetet e kanë gjithmonë lëkurën të trashë dhe xhepat të thellë, nuk dorëzohen kollaj. Vetëm forma e influencës ndryshon. Prandaj algoritmet e mediave sociale përdoren nga ata që kanë nevojë të na influencojnë; ekonomikisht për të blerë një produkt, ose politikisht për të votuar një kandidat. Mbi bazën e të dhënave të moshës, gjinisë dhe shijeve që shprehim dashje pa dashje në rrjetet sociale. Të gjithë jemi nën influencën e rrjeteve sociale, të cilat na përthithin vëmendjen, na konfirmojnë në bindjet tona të pathelluara, na krijojnë komfort mendor, duke na rrethuar me njerëz që mendojnë si ne, na largojnë gjithnjë e më shumë nga pikëpamjet divergjente, duke e bërë të pamundur debatin e civilizuar e të bazuar në disa të vërteta, të cilat i bashkëndajmë.
Konsekuenca të rënda kanë ndodhur si vrasja makabre e profesorit Samuel Paty në vitin 2020 Francë, pas një diskutimi ideologjik mes nxënësish, i cili mori përmasa krejtësisht të tepruara dhe shkaktoi një furtunë urrejtjeje në “Facebook”. Kur informacioni prodhohet dhe shpërndahet lehtësisht nga kushdo, përgjegjësitë nuk identifikohen aq lehtë. Por ndoshta nuk kemi parë asgjë akoma. Inteligjenca artificiale bën tashmë të mundur prodhimin masiv të të pavërtetave, me kosto shumë të ulët, duke e vendosur në duart e kujtdo e duke e sjellë manipulimin në nivele të panjohura më parë. Përpjekjet për rregullimin dhe kontrollin e inteligjencës artificiale nuk do të jenë aspak të lehta. Thënë ndryshe, nuk do të jetë konkretisht më e lehtë të kontrollosh një robot të inteligjencës artificiale, të cilin dikush ka interes ta ushqejë me të dhëna të pavërteta, sesa t’i ndryshosh mendjen një njeriu, i cili beson se Toka është e sheshtë në bazë të eksperiencave me të cilat e kanë edukuar.
PËRGJEGJËSIA DHE EDUKIMI I TË RINJVE
Në këtë kontekst, fëmijët e të rinjtë janë kontingjent absolutisht i rrezikuar: për shkak të vulnerabilitetit emocional, të mungesës së eksperiencës e pjekurisë, të nevojës më të theksuar për t’u pranuar nga grupi, të krahasimit të vazhdueshëm me “perfeksionin virtual” të të tjerëve, të mjegullimit midis botës reale dhe asaj virtuale. Ndërkohë që në jetën e tyre kanë nevojë të mësojnë argumentimin e nuancuar me dashamirësi, ushqehen me violencë, me ekzagjerim dhe konfliktualitet. Vrasja e djalit 14-vjeçar është pasojë tragjike e gjithë këtij konteksti. Për t’u evituar të rinjve të kenë si të vetmin horizont drogën e zbavitjes në rrjetet sociale dhe asocializimin virtual nuk do të jetë e lehtë. Është e domosdoshme të veprohet nga vendimmarrësit në rrafshin ligjor dhe në rrafshin edukativ, nga mediat dhe gjithë aktorët e tjerë në rrafshin sensibilizues të përgjegjësive familjare, individuale dhe shoqërore. Ndërhyrjet ligjore dhe rregulluese janë një ndër mjetet në dispozicion.
Një komentator anonim në rrjetet sociale nuk mban asnjë përgjegjësi për atë që shkruan. Për këtë arsye në vitin 2016, kur mbaja përgjegjësinë e sektorit digjital, propozuam një adaptim të ligjit të medias në përputhje me kuadrin e BE-së, për të shtuar si transparencën e portaleve, ashtu edhe përgjegjësinë e tyre mbi komentet anonime me gjuhë urrejtjeje. Ky ndryshim ligjor ngjan sot si një pikë uji në oqeanin e ndryshimit të nevojshëm, ligjor dhe jo vetëm. Disa prej mjeteve ligjore-rregullatore janë ndalimi real i celularëve në shkolla dhe i aksesit në rrjete sociale përpara moshës 14 ose 16 vjeç. Të tjera masa janë të mundura, duke ndjekur praktikat e vendeve të zhvilluara demokratike si psh., Australia, Minimum Age) Bill 2024 – Second reading speech | Ministers for the Department of Infrastructure. Konsultimi i gjerë mbi mbylljen e “TikTok”-ut do të jetë i dobishëm si për të sensibilizuar prindër e të rinj mbi përgjegjësitë dhe angazhimin e secilit, ashtu edhe për të marrë vendimet ligjore e politike të nevojshme e të pranuara nga shumica.
Nga ana tjetër, shumë vende janë duke ndërmarrë një transformim esencial të sistemeve arsimore, përfshi edhe planin e BE mbi edukimin digjital deri 2027. Plan d’action en matière d’éducation numérique (2021-2027) – European Education Area. Sot nuk është më e nevojshme të mësosh e të memorizosh në të njëjtën mënyrë si 20 apo 30 vjet më parë. Njohuritë dhe informacioni janë të disponueshme për të gjithë në mënyrë imediate. Ajo çka është e domosdoshme, është durimi e kënaqësia e njohjes së të vërtetave shkencore, zhvillimi i aftësive për të kuptuar dhe i argumentimit racional, kapaciteti për të analizuar informacionin dhe mendimi kritik ndaj të vërtetave të parafabrikuara, ekuilibri afektiv dhe mënyra për të jetuar bashkë në një shoqëri.
Moderimi në argumentim dhe dëgjimi e thellimi në argumentet e tjetrit janë të domosdoshëm për të jetuar në një shoqëri? A i japim këtë shembull rinisë? A i përgatisim në shkolla në këtë formë? Mbi ç’bazë i përgatisim të dinë të vlerësojnë informacionin që iu paraqitet? Si ua edukojmë respektin për tjetrin, qoftë ai i pasur a i varfër, i bukur a i shëmtuar, i shëndetshëm a i sëmurë? E fundit, por jo për nga rëndësia: a ndërgjegjësohen prindërit e ardhshëm se të rrisësh fëmijë, përtej gëzimit dhe dashurisë, kërkon njëfarë vetësakrifikimi për disa vite? Se një fëmijë nuk e heq dot qafe duke i lënë në dorë me orë të tëra një smartfon? Se për vite të tëra fëmijës duhet t’i flasësh e ta dëgjosh duke e parë në sy, ta influencosh e ta drejtosh pa u lodhur? Pyetje të thjeshta në dukje, por që kërkojnë një hulumtim serioz të praktikave më të mira në vendet e zhvilluara demokratike dhe një rishikim konsekuent të programeve shkollore. Inteligjenca Artificiale do të na shtrëngojë të realizojmë të tjera transformime. Sa më shpejt, aq më mirë.
*Ish-ministre dhe deputete
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al