“Te Bari, të gjitha sfidat të trukuara”

Feb 9, 2012 | 12:15

Hetimet dhe marrja në pyetje e të implikuarve në skandalin e basteve vazhdojnë dhe, çdo ditë e më shumë, ai që implikohet më rëndë është klubi i Barit, aktualisht në Serinë B. Përveç deklarimeve të ish-mbrojtësit Andrea Masielo (aktualisht te Atalanta), edhe infermieri i puljezëve, Anxhelo Iakoveli, ka treguar për të tjera pazare që ky klub ka bërë në prapaskenë, duke rënduar edhe më shumë akuzat ndaj kësaj skuadre. Jo më kot, dje hetuesi i Prokurorisë së Kremonës, Guido Salvini, ka lëshuar një deklaratë të ashpër, ku thekson se situata sa vjen e po merr një formë më të qartë dhe pa dyshim që këtë verë, dënimet pritet të jenë të rënda, mbi të gjitha për Barin. “Kjo skuadër është pa dyshim nga ato që ka trukuar më shumë ndeshje se cilado skuadër tjetër. Situata po fillon të marrë formë, ndaj ne nuk do të ndalemi aspak këtu. Për më shumë, edhe pse në javët e fundit janë penduar mjaft persona që kanë pasur lidhje të ngushta me Barin, si ish-mbrojtësi Masielo dhe infermeri Iakoveli, ne do të vazhdojnë punën tonë dhe në fund nuk do kemi mëshirë për asnjë”, thekson Salvini.

© Panorama.al

Te lidhura