Tavo: Vasili, korrupsion me tenderat e ilaçeve

Aug 11, 2011 | 12:09

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, kritikon performancën e deritanishme të Petrit Vasilit në Ministrinë e Shëndetësisë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai shprehet se në ndryshim nga dy ministritë e tjera që drejton LSI-ja, Shëndetësia nuk ka një rezultat të mirë në këtë periudhë. Sipas tij, megjithëse fondet vitet e fundit janë trefishuar për këtë Ministri, shërbimet nuk janë përmirësuar.

“Nuk ka asnjë prapavijë timen ndaj ministrit të Shëndetësisë. Nuk ka përçarje në radhët e LSI-së dhe kjo duhet theksuar. Ky është thjesht një mendim imi dhe për këtë unë zgjodha median për ta shprehur, sepse nuk ke si të fshihesh kur këtë gjendje në sektorin e shëndetësisë, pacientët ta prekin çdo ditë. Ata detyrohen të shkojnë në farmaci private për t’u furnizuar me ilaçe, kur është shteti i detyruar që ta sigurojë këtë trajtim falas në spital”, shprehet Tavo. I pyetur nëse këto kritika i bën për të marrë ai postin e ministrit të Shëndetësisë, nënkryetari i Parlamentit thotë se “Unë e thashë edhe pak më lart që nuk ka asnjë lloj prapavije tjetër, veçse qëllimi im është përmirësimi i gjendjes në këtë sektor. Janë përpjekur mediat ta lidhin faktin e kritikave të mia ndaj institucionit që drejtohet nga zoti Vasili me ndryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar në shtator. E ritheksoj, qëllimi i kritikave të mia është vetëm përmirësimi i gjendjes në sektorin e shëndetësisë, krijimi i kushteve më të mira për pacientët që do të ndikojë te qytetarët që përballen me spitalin, por edhe në performancën e Lëvizjes Socialiste për Integrim”. Në të njëjtën kohë, ai u përgjigjet edhe deklaratave të kreut të PBDNJ- së, Vangjel Dule, për unifikim të deputetëve që kanë dalë nga minoriteti. Sipas Tavos, ishte pikërisht Dule ai që i largoi nga partia deputetët Spiro Ksera dhe Kosta Barka, ndërsa për veten e tij, ai thekson se e ka bërë një zgjedhje që kur kandikoi për PS-në dhe nuk do të ketë asnjë hap mbrapa.

Zoti Tavo, ju keni kritikuar ditët e fundit ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili për performancën në këtë dikaster. Përse këto kritika ndaj një ministri të forcës suaj politike?

E bëra këtë kritikë dhe i qëndroj kësaj kritike, së pari sepse jam mjek, jam për shumë vite në Parlament si anëtar i Komisionit të Shëndetësisë. Kam thënë dhe vazhdoj të them se është e papranueshme gjendja në këtë sektor. Sot, në krahasim me vitin 2005, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është trefishuar, ndërkohë që nuk shohim përmirësim të shërbimit. E bëra në adresë të ministrit të Shëndetësisë për këtë arsye, por edhe përse është i forcës politike të LSI. Duke pasur parasysh performancën e të gjithë zyrtarëve të LSI në administratë, ndikon direkt në realizimin e objektivave elektoralë të partisë sonë. Pas dy vjetësh kemi zgjedhje të reja parlamentare dhe objektivat e LSI janë të qarta, arritjet e 2013-s nuk mund të krahasohen me votat që morëm në 2009. Në 2013 i kemi të gjitha mundësitë që të përmirësojmë rezultatin. Nuk ka asnjë prapavijë timen ndaj ministrit të Shëndetësisë. Nuk ka përçarje në radhët e LSI-së dhe kjo duhet theksuar. Ky është thjesht një mendim imi dhe për këtë unë zgjodha median për ta shprehur, sepse nuk ke si të fshihesh kur këtë gjendje në sektorin e shëndetësisë, pacientët e prekin çdo ditë. Ata detyrohen të shkojnë në farmaci private për t’u furnizuar me ilaçe, kur është shteti i detyruar që ta sigurojë këtë trajtim falas në spital. Ministria e Shëndetësisë nuk arrin ta sigurojë një trajtim të tillë dhe pacientët dërgohen në farmaci private. Këtë fakt e di tani një pjesë shumë e mirë e shqiptarëve. Është më se e qartë dhe shumë publik ky fakt. Unë nuk bëra asgjë tjetër, vetëm sa e shpreha publikisht. Performanca e Ministrisë që drejtohet nga zoti Vasili është e pakënaqshme, edhe për faktin e vonesës së reformave të domosdoshme në sektorin e shëndetësisë. Është momenti që vetë Vasili të reagojë dhe të përmirësohet gjendja në sektor sa më shpejt të jetë e mundur.

Pse ndodh kjo sipas jush, për shkak të paaftësisë së Vasilit, apo për shkak të korrupsionit në këtë ministri?

Kjo ndodh edhe për shkak të menaxhimit jo të mirë, por e ndërthurur edhe me korrupsionin. Interesat e LSI-së nuk janë të lidhura me interesat e një ministri, apo të ndonjë kushëriri ministri për ndonjë tender ilaçesh, por me interesat e qytetarëve.

Ju kritikoni performancën e Ministrisë që drejtohet nga Petrit Vasili. Si e cilësoni ju punën e deritanishme të ministrave të LSI-së në dy ministritë e tjera, Ministrinë e Jashtme dhe Ministrinë e Ekonomisë?

Objektivat e LSI-së janë të lidhur me interesat e gjithë shqiptarëve. Mund të përmend këtu heqjen e vizave për në BE dhe ka vulën e padiskutueshme LSI-ja me drejtimin e Ministrisë së Jashtme nga zoti Meta dhe që vazhdon të drejtohet po aq mirë nga zoti Haxhinasto. Kam parasysh edhe punën shumë të mirë që po bën zoti Naço në Ministrinë e Ekonomisë, dhe pse jo, duhet të përmirësohet puna në sektorin e shëndetësisë, në mënyrë që kjo të ndikojë pozitivisht në rezultatet dhe objektivat që i ka vënë vetes LSI-ja.

Ju jeni përfolur disa herë si ministër i LSI-së te Shëndetësia. Shumëkush mund të mendojë që ju po i bëni këto kritika për ta marrë vetë këtë pozicion…

Unë e thashë edhe pak më lart që nuk ka asnjë lloj prapavije tjetër, veçse qëllimi im është përmirësimi i gjendjes në këtë sektor. Janë përpjekur mediat ta lidhin faktin e kritikave të mia ndaj institucionit që drejtohet nga zoti Vasili me ndryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar në shtator. E ritheksoj, qëllimi i kritikave të mia është vetëm përmirësimi i gjendjes në sektorin e shëndetësisë, krijimi i kushteve më të mira për pacientët, që do të ndikojë te qytetarët që përballen me spitalin, por edhe në performancën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Këto kritika që ju bëni, mendoni se duhet të shkojnë deri aty sa të ketë një lëvizje nga ana e LSI-së në këtë sektor?

Nuk jam unë ai që vendos nëse duhet të largohet një ministër. Ideja ime është përmirësimi i punës në këtë sektor. Lëvizja ose jo e çdo ministri është ekskluzivitet i Kryeministrit dhe, në rastin konkret, meqë bëhet fjalë për një ministër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është ekskluzivitet i kryetarit të partisë, zotit Meta, dhe forumeve të partisë. Nuk më përket mua të shprehem për këtë gjë. Qëllimi im nuk është largimi i ministrit, por përmirësimi i punës në atë sektor.

Do t’i shtroni këto kritika në forumet e Lëvizjes Socialiste për Integrim?

Nëse do të ketë mbledhje forumesh dhe do të krijohet mundësia, pa dyshim që unë do t’i bëj këto kritika edhe në forumet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e së cilës jam edhe unë, si dhe zoti Vasili.

Në gjykimin tuaj, në shtator duhet të ketë ndryshime të gjera në qeveri?

E kam theksuar disa herë, ndryshimet në qeveri nuk i propozon një deputet dhe asnjë forcë politike. Ndryshimet në qeverisje janë e drejtë ekskluzive e çdo Kryeministri. Në rastin konkret është e drejtë e zotit Berisha për të bërë ndryshime. Çdo ministër ka një kontratë me Kryeministrin kur merr një portofol ministror dhe, në varësi të realizimit të kësaj kontrate, është Kryeministri ai që vendos për të bërë ndryshime në qeveri. Nuk jam unë ai që vendos.

Zoti Dule ka folur dje për unifikim të deputetëve që kanë dalë nga votat e minoritetit grek. Si do t’i përgjigjeshit ju një ftese nga kreu i PBDNJ-së?

Dule ka qenë personi që i ka ndarë deputetët e minoritetit. Unë nuk flas për veten time, sepse vetë e kam zgjedhur rrugën time shumë shpejt kur kam kandiduar për Partinë Socialiste dhe i kam shprehur qëndrimet e mia kundër partisë që drejton sot zoti Dule. Deputetët e tjerë të minoritetit që janë sot në Parlament të mos harrojmë që kanë qenë pjesë e partisë së zotit Dule dhe ishte ai që i përjashtoi nga partia. Zoti Kosta Barka ka qenë një ministër shumë i suksesshëm në qeverinë e katër viteve më parë të zotit Berisha, apo edhe zotin Ksera që përsëri është përjashtuar nga zoti Dule. Unë nuk kuptoj se si do të arrijë Dule sot që këta deputetë t’i bëjë prapë pjesë të partisë që ai drejton. Për sa i përket pozicionit tim, unë ju thashë që rrugën time e kam zgjedhur shumë shpejt dhe nuk mund të ndikojë sot njeri në ndonjë hap pas timin në politikë.

Ministri Vasili: Jam me pushime

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, nuk ka pranuar të komentojë kritikat e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, për institucionin që ai drejton. I kontaktuar me telefon për deklaratat e nënkryetarit të Parlamentit, Vasili tha se “Nuk ju dëgjoj mirë në telefon. Jam me pushime”. Për të mundësuar komunikimin me ministrin e Shëndetësisë, gazeta tentoi komunikimin me mesazhe, por Vasili nuk iu përgjigj. Gati dy vjet pas hyrjes në koalicion me Partinë Demokratike, LSI-ja përballet sërish me debate brenda saj. Një vit më parë ishte ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili akuzoi kreun e partisë së tij, Ilir Meta për afera korruptive. Pas largimit të Priftit, u largua edhe Meta nga posti i ministrit të Jashtëm dhe zv.kryeminsitrit dhe vendin e tij e zuri Edmond Haxhinasto, ndërsa te ekonomia shkoi Nasip Naço.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura