Tavo: Tenderat e ilaçeve, përfitojnë të afërmit e Vasilit

Aug 13, 2011 | 12:03
Vangjel Tavo

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, reagon ndaj deklaratave të sekretarit të Përgjithshëm të kësaj partie, Luan Rama dhe QSUTsë, pas kritikave të tij për mungesën e ilaçeve në spitale.Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai thotë se të gjitha ato që ka thënë në media do t’i paraqesë edhe në forumet e partisë, kur ato të mblidhen, por ka shtuar se nuk ka bërë asnjë sulm me karakter personal. “Për sa i përket deklaratës së ardhur nga LSI-ja për sulme personale, mund ta them për të disatën herë se nuk kam asgjë personale. Po të kisha diçka personale, do ta kisha zgjidhur personalisht, por kjo nuk ka të bëjë me sulme personale. Këtu bëhet fjalë për një fakt që është shumë i rëndësishëm, shumë problematik për spitalet shqiptare dhe që mua si mjek nuk do ma lejonte ndërgjegjja ime që të mbyllja gojën përballë këtij fakti”, është shprehur Tavo. Pas deklaratës së Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë, se deri tani janë bërë 90 për qind e tenderave të ilaçeve, nënkryetari i Parlamentit është shprehur se shumicën e tenderave e kanë marrë nëpërmjet kontratave me negocim të afërmit e ministrit Vasili. “Megjithëse QSUT-ja pretendon se janë bërë rreth 90 për qind e tenderave, informacionet e mia tregojnë krejt të kundërtën. Shumë pak prej tenderave të ilaçeve që nevojiten realisht nëpër spitale, janë realizuar. Pjesa tjetër është realizuar nëpërmjët kontratave me negocim dhe me këto kontrata të negociueshme kuptohet kush mund të ketë përfituar. Janë pikërisht ato kritika që unë kam bërë edhe më përpara nëpërmjet gazetës suaj, pra kanë përfituar njerëzit e afërt të ministrit”.

Zoti Tavo, Qendra Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) ka reaguar pas akuzave tuaja për mungesën e ilaçeve nëpër spitale, duke thënë se janë realizuar 90 për qind e tenderave të parashikuar. Cili është qëndrimi juaj për këtë reagim të QSUT-së?

Fakti që më në fund reagon QSUT-ja dhe pretendon se janë bërë rreth 90 për qind të tenderave, nuk është se e shfajëson apo e heq thelbin e kritikës sime në lidhje me mungesën e ilaçeve në QSUT. Ky është një fakt dhe këtë më shumë se kushdo tjetër e dinë shqiptarët që detyrohen të përballen me spitalet shqiptare. Megjithëse QSUT-ja pretendon se janë bërë rreth 90 për qind e tenderave, informacionet e mia tregojnë krejt të kundërtën. Shumë pak prej tenderave të ilaçeve që nevojiten realisht nëpër spitale janë realizuar. Pjesa tjetër është realizuar nëpërmjet kontratave me negocim dhe me këto kontrata të negociueshme kuptohet kush mund të ketë përfituar. Janë pikërisht ato kritika që unë kam bërë edhe më përpara nëpërmjet gazetës suaj, pra kanë përfituar njerëzit e afërt të ministrit Vasili. Nuk është se e lehtëson aspak problemin një deklaratë e tillë nga Qendra Spitalore Universitare Tiranë, përkundrazi. Unë prisja që ministri të dilte dhe të pranonte këtë fakt, që nuk është se e them unë. Ky është një fakt i ditur nga të gjithë dhe i provuar në kurrizin e tyre kur kanë pasur rastin apo fatin e keq të përballen me spitalin.

Pas akuzave tuaja të dy ditëve më parë ka reaguar zyrtarisht Lëvizja Socialiste për Integrim me anë të sekretarit të saj të Përgjithshëm, Luan Rama. Ai ju ka ftuar që kritikat t’i bëni brenda forumeve, por ka shtuar se sulmet me karakter personal janë të papranueshme. Si do ta vazhdoni ju më tej këtë debat publik?

Është normale që nga Lëvizja Socialiste për Integrim të ketë një reagim të tillë, ku të kërkohet që këto kritika unë t’i bëj në forumet e LSI-së dhe do t’i bëj ashtu. Por mua, si deputet i LSI-së dhe si qytetar i thjeshtë, askush nuk më ndalon që këto kritika t’i bëj publike, pasi sikurse e theksova, ky është një fakt shumë publik. Nuk është se po them diçka që askush nuk e di, është diçka që dihet publikisht. Unë thjesht e theksova këtë fakt me qëllimin e vetëm, përmirësimin e gjendjes në këtë sektor, pasi në këtë sektor përballen shumë njerëz në nevojë. Për sa i përket faktit të të thënit të gjërave në nevojë, unë këtë gjë do ta bëj sepse forumet i njoh dhe i respektoj.

Po për sa i përket deklaratës së Luan Ramës se sulmet me karakter personal janë të papranueshme?

Për sa i përket deklaratës së ardhur nga LSI-ja për sulme personale, mund ta them për të disatën herë se nuk kam asgjë personale. Po të kisha diçka personale, do ta kisha zgjidhur personalisht, por kjo nuk ka të bëjë me sulme personale. Këtu bëhet fjalë për një fakt që është shumë i rëndësishëm, shumë problematik për spitalet shqiptare dhe që mua si mjek nuk do ma lejonte ndërgjegjja ime ta mbyllja gojën përballë këtij fakti.

LSI: Jo sulme personale

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, është shprehur dy ditë më parë pro debateve parimore, por jo ndaj sulmeve me karakter personal. “Kritikat dhe kontestet, debati parimor dhe principal janë pa dyshim vlerë e strukturave të LSI-së dhe nga kjo pikëpamje, për Lëvizjen Socialiste për Integrim, çdo kritikë, çdo vërejtje, çdo sugjerim konstruktiv dhe parimor që vjen për të përmirësuar qeverisjen, për të rritur performancën qeverisëse të LSI-së dhe të njerëzve që përfaqësojnë LSInë në qeverisje, është pa dyshim e mirëpritur. Ndërkaq, janë jashtë sensit dhe të papranueshme të gjitha sulmet që marrin karakter personal. Prandaj edhe z. Tavo, jo vetëm si deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe si nënkryetar i Kuvendit dhe me të gjithë përvojën politike që ka, disponon të gjitha hapësirat e nevojshme të vijë e të bëhet pjesë e këtij debati”, u shpreh Luan Rama.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura