
Rishikim të procedurave të tenderimit dhe furnizim me ilaçe të spitaleve. Këto do të jenë dy nga prioritetet kryesore të ministrit të ri të Shëndetësisë, Vangjel Tavo. Ai shtoi se do të dalin përgjegjësitë në rastet kur ka pasur zvarritje apo shkelje. “Në fokus të punës do të jenë prokurimet e medikamenteve në veçanti dhe të materialeve ndihmëse dhe medikamenteve, për evidentimin e përgjegjësive atje ku janë zvarritur, nuk janë zbatuar ose realizuar në kohë tenderët”, tha Tavo. Sa i përket çështjes së ndjeshme të furnizimit të spitaleve me medikamente, ministri i ri theksoi se ka marrë mbështetjen e qeverisë për të ofruar asistencë maksimale në përmirësimin e situatës. “Me përmirësimin e menaxhimit dhe administrimit të këtij sektori specifik, me përmirësimin e skemës së tenderimit të ilaçeve, besoj se zgjidhet çështja e mungesës së ilaçeve, furnizimit të spitaleve me medikamente”, tha Tavo. Në ditën e parë të punës ai deklaroi se të sëmurët me diagnoza të vështira do të dërgohen për t’u trajtuar në spitalet më të specializuara të Europës. Vazhdimi i reformës në Shëndetësi do të jetë prioriteti i punës në këtë ministri, veçanërisht sigurimi i aksesit shëndetësor, cilësia e shërbimit shëndetësor dhe siguria e tij, përmirësimi i infrastrukturës diagnostiko-trajtuese, edukimi në vazhdim specializimi dhe trajnimi i personelit shëndetësor, përmirësimi i furnizimit të spitaleve me medikamente duke mundësuar zbatimin e protokolleve të mjekimit, rritjen e autonomisë administrative të spitaleve.











