Turizmi është sektori i radhës ku administrata tatimore është përqendruar për të prezantuar strategjinë e re të përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore. Gjatë një takimi të zhvilluar ditën e djeshme me operatorët turistikë të qytetit të Durrësit, u argumentua fakti se marrëdhënia Biznes-Tatime duhet të jetë reciproke në zbatim të ligjit dhe detyrimeve për të shmangur problemet. Mesazhi i përcjellë nga administrata tatimore në këtë takim ishte se ajo është një administratë e thjeshtë, shërbyese dhe që mbledh tatimet në përputhje me programin e qeverisë shqiptare. Në këtë kuadër, përfaqësuesit e Tatimeve shpjeguan se kjo administratë është në shërbim dhe përkrahje të të gjithë atyre që zbatojnë ligjin duke vetëdeklaruar në mënyrë të korrekte detyrimet e tyre, por se, nga ana tjetër, është kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit dhe marr masa të ashpra ndaj atyre që deformojnë deklarimet. Takimi në qytetin e Durrësit me operatorët turistikë u paraprin takimeve që Tatimet do të zhvillojnë në të gjitha qytetet bregdetare, dhe kjo pasi turizmi është një sektor mjaft i rëndësishëm për ekonominë, pasi edhe punëson një numër të madh personash. Kjo praktikë e prezantimit të strategjisë së re shihet si përfitim për administratën, e cila ka parë të arsyeshme ndërgjegjësimin e biznesit për rëndësinë që ka ulja e evazionit. Kjo, sipas Tatimeve, është një praktikë që rrit konkurrueshmërinë dhe rregullon tregun në të cilin operojnë të gjithë operatorët turistikë.
Operatorët turistikë
Në anën tjetër, të gjitha ato biznese që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në fushën e turizmit në qytetin e Durrësit dhe që ishin të pranishëm në takim, vlerësuan rëndësinë që ka ndërgjegjësimi për zbatimin e ligjit. Ata kërkuan më shumë bashkëpunim me pushtetin vendor, si dhe më shumë informacion që duhet të jepet në të ardhmen që do t’i shërbejë tatimpaguesit të bëhet i përgjegjshëm, për arsyen se pse duhet që të paguajnë detyrimet në mënyrë të drejtë. Strategjia e re, që i shërben luftës kundër evazionit, sipas operatorëve, është një praktikë e mirë për të rritur vlerën e tregut në mënyrë që të gjithë të veprojnë në kushte të barabarta.











