Përmirësimi i shërbimit për tatimpaguesit, por dhe rritja e informimit për përmbushjen vullnetare të detyrimeve, kanë qenë fokusi i projektit 1.3 milionë euro, i cili u mbyll ditën e djeshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Gjatë ceremonisë përmbyllëse ditën e djeshme ishin të pranishëm drejtues të Tatimeve, konsullja e Ambasadës Suedeze në Shqipëri dhe përfaqësues të SIDA (Agjencia ndërkombëtare suedeze për zhvillimin e bashkëpunimit), që kanë kontribuar në zhvillimin e projektit. Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Mimoza Kalia, në fjalën e saj gjatë ceremonisë vlerësoi kontributin pozitiv të këtij projekti. Sipas saj, projekti ndihmoi në përmirësimin e funksionimit të shërbimit në Drejtorinë e Tatimeve në Durrës nëpërmjet ngritjes së një qendre të re për tatimpaguesit, por u bë i mundur edhe realizimi i fushatave informuese për të ndërgjegjësuar tatimpaguesit në respektim të detyrimeve.











