Tatimet: Ja evazioni te noterët

May 19, 2012 | 13:11

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Investigimi i Drejtorisë së Përgjithshme: Të gjithë deklarojnë xhiro nën 8 milionë lekë.

Hetim dosjeve dhe aktivitetit të 5 viteve të fundit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zgjedhur që kontrollin për evazion të mundshëm fiskal ta vijojë me noterët, pasi nga investigimet e fundit të saj shkeljet e hasura janë të shumta. Inspektorët e Tatimeve kanë evidentuar nga terreni një sërë praktikash antiligjore të përdorura gjerësisht nga zyrat noteriale në vend, duke lënë kështu dyshime për evazion të pastër. Por për ta verifikuar më mirë këtë, Tatimet kanë filluar një bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Noterisë, për të pasur në dispozicion të dhënat e regjistrave noterialë në lidhje me repertorin dhe koleksionin e çdo noteri që ushtron aktivitet në Shqipëri për një periudhë 5-vjeçare. Kjo do t’i shërbejë bërjes së rivlerësimit të të ardhurave dhe detyrimeve tatimore për periudhën që parashikon ligji dhe në bazë të evazionit real që do të konstatohet, do të merren edhe masat administrative e ligjore. Noterët u përfshinë në skemën e TVSH-së sipas një vendimi të miratuar nga qeveria për profesionet e lira, siç janë edhe avokatët, mjekët e dentistët, dhe është detyrë e administratës tatimore që të bëjë verifikimet e nevojshme për këto kategori.
Shkeljet
Nga investigimi i administratës tatimore pranë disa zyrave noteriale në disa rrethe në vend janë hasur shkelje të shumta të aplikuara gjerësisht. Kështu, së pari është evidentuar që xhiroja e deklaruar është nën 8 milionë lekë, kur në realitet është ndryshe. Kasat fiskale, si një detyrim i vendosur nga Tatimet edhe për noterët, nuk përdoren rregullisht. Një tjetër shkelje e hasur ka të bëjë me deklarimet që noterët bënin pranë Tatimeve për të paguar sa më pak në raport me xhiron reale. Po kështu, inspektorët kanë konstatuar raste kur zyrat noteriale kanë ndryshuar adresë, por këtë nuk e kanë përditësuar në QKR. Në shumë raste, punonjësit pranë zyrave noteriale janë deklaruar me pagë minimale prej 20 mijë lekësh dhe për këtë Tatimet janë në proces verifikimi.

Ligji për profesionet e lira
Profesionet e lira paguajnë TVSH-në 20 për qind sipas vendimit  të qeverisë të marrë një vit më parë. Më herët për këto profesione ishte një kufi prej mbi 2 milionë lekësh xhiro, për të hyrë në skemën e TVSH, por sipas legjislacionit në fuqi ky limit tani nuk ekziston.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura