Kontrollet e tatimorëve në Tiranë ditën e djeshme janë mbyllur me bllokimin e disa bizneseve që nuk ishin të pajisura me kasë fiskale apo që në mënyrë të përsëritur nuk kishin lëshuar kuponin tatimor. Aksioni i ndërmarrë nga Drejtoria e Tatimeve në Tiranë ka ardhur pas monitorimit të vazhdueshëm që u është bërë bizneseve përgjatë kësaj periudhe, ku për ato të bllokuara paralajmërimi kishte qenë më i hershëm. Ndaj 3 bar-kafeve të bllokuara ishin aplikuar gjoba 100 dhe 300 mijë lekë për moszbatim të ligjit për lëshimin e kuponit tatimor, ndërkohë që kësaj here është marrë edhe vendimi për bllokim. Tashmë këtyre bizneseve do t’u duhet që të presin 6-muaj për të riçelur aktivitetin e tyre, ose në të kundërt, duhet ta bindin administratën tatimore për ndërgjegjësim dhe përdorim të rregullt të pajisjeve fiskale. Drejtori i Drejtorisë Rajonale për Tiranën, Ismail Muça, paralajmëroi dje para mediave se për bizneset që nuk zbatojnë ligjin do të ndërmerren të gjitha masat që parashikon ligji, deri në bllokimin e aktivitetit. Ai bëri me dije se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë kohës, pasi shumë biznese në kryeqytet nuk e përdorin kasën fiskale. Kontrollet e djeshme ishin pjesë e rutinës së zakonshme të Tatim-Taksave për të ndërgjegjësuar lidhur me lëshimin e kuponit tatimor.











